Të bindësh Brukselin me mjetet e Ramës

I thonë që Shqipëria është në 19 vendet më të korruptuar të Botës nën qeverisjen e tij dhe ai tregon se ka arrestuar zyrtarët e opozitës, i thonë që bën sikur e do Reformën në Drejtësi, por është ai që po e shkatërron atë dhe u tregon shkarkimin e Llalës që i mbaroi mandate…

Nga Enton Abilekaj

Arrestimi i disa zyrtarëve lokalë të opozitës, e ka ndihmuar Ramën në Bruksel të tregojë raste konkrete të arrestimeve të peshqve të mëdhenj. Pa u menduar dy herë, për çfarë po thoshte, për informacionin që mund të kenë atje për Shqipërinë, Rama tregoi arritjet e Reformës në Drejtësi, që duket sikur po e dirigjon vet. E para shkarkimi i Llallës, e dyta vettingu fillon këtë javë me procesin e dëgjimit të gjyqtarëve dhe e treta arrestimi i disa peshqve të mëdhenj sa Llalla, por këtë herë në politikë.

Dhe për çudi, është vet Kryeministri që e ofron shërbimin live nga televizioni i tij privat, që ka ndërtuar me paratë tona. E dëgjojnë në Shqipëri, por ai nuk e vret mendjen që bashkëkombësit e tij e dinë të vërtetën. Na mundëson të dëgjojmë se Adriatik Llallës nuk i paska përfunduar afati në 3 dhjetor 2017, por e paska hequr Edi Rama, se reformën në Drejtësi nuk po e çojnë përpara institucionet e dala nga konsensusi politik i korrikut 2016 por vullneti I kryeministrit,  se arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Lezhës, nuk është një akt I prokurorisë po I Qeverisë.

Ndoshta për këtë nuk është edhe aq larg së vërtetës. Fabula ngjan me atë të Reganit dhe Gorbacovit për demokracinë. Kur Regani i kërkonte Gorbacovit lejimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe i solli si shembull që në SHBA çdo qytetar amerikan ka të drejtën të hyjë në zyrën e Presidentit, të përplasë dorën në tryezë dhe t’i thotë: Zoti President! Nuk më pëlqen politika juaj. Gorbacovi e quajti këtë një normalitet që ndodhte edhe në Bashkimin Sovjetik, ku çdo qytetar mund të shkonte në zyrën e Presidentit dhe të thoshte të njëjtat fjalë: nuk me pëlqen politika e Presidentit të SHBA.

Më këtë fabul, Edi Rama shkon në Bruksel, pasi ka nisur të luftojë konkretisht korrupsionin në nivele të larta, duke arrestuar zyrtarët e lartë të opozitës, të zgjedhurit e kundërshtarëve të tij. I thonë që Shqipëria është në 19 vendet më të korruptuar të Botës nën qeverisjen e tij dhe ai tregon se ka arrestuar zyrtarët e opozitës, i thonë që bën sikur e do Reformën në Drejtësi, por është ai që po e shkatërron atë dhe u tregon shkarkimin e Llalës që i mbaroi mandate, i thonë që po i komprometon institucionet e Drejtësisë dhe tregon datën kur fillojnë dëgjesat e vettingut. Ndërkohë që shpreson që truket e hedhura pa elegancë nëpër takime të funksionojnë, në mos për ndërkombëtarët, për të gënjyer shqiptarët, të gjithë shpresën e ka përqendruar tek marrëveshjet e shpejta me Greqinë, si të vetmen mundësi që të marrë një notë kaluese.

Vizita në Bruksel vetëm 2 javë përpara daljes së rekomandimit nga Komisioni Europian, praktikisht është një vizitë lobuese. Ndërsa BE i ka kërkuar rezultate konkrete në Reformën në Drejtësi Brenda muajit mars dhe akoma nuk është ndërtuar asnjë prej institucioneve të reja, ndërsa i kanë kërkuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe kapen tonelata, jo vetëm më hashash por edhe me kokainë, ndërsa “Miqtë e Shqipërisë” i kanë kërkuar arrestimin e peshqve të mëdhenj që në janar dhe po u çon cironka blu në muajin mars, e ka kuptuar që nuk mund të marrë rekomandim pozitiv në prill dhe rrezikon hapjen e negociatave në qershor.

Ndërsa BE i ka kërkuar ristrukturimin e ekonomisë, kalimin nga ekonomi e bazuar në industrinë e ndërtimit, në ekonomi prodhuese, duke i dhënë prioritet bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, ai shkon aty për të fshehur lejet e kullave me të cilën ka dënuar me vdekje jo vetëm Tiranën, por gjithë ekonominë. Ndërsa BE i kërkon rritjen e konkurueshmërisë dhe si rrjedhim edhe terrenit të investimeve të huaja, Edi Rama shkon aty për të fshehur parajsën e parave të pista që janë lëshuar pa fre për të krijuar ekonomi oligarkikë të një dore biznesmeshësh preferencialë. E vetmja shpresë e tij për të kapur ndonjë rekomandim qyl, është sjellja prej djali të mirë në raport me fqinjët, kthimi i miqësisë me Greqinë, pavarësisht kostos së marrëveshjeve. Ai ka shkuar aty me një thes me dhurata për t’i bërë komisionerët të heqin sytë nga e vërteta. Kjo është arsyeja që nga Brukseli u gëzua për lajmet e Tiranës, festoi vetëm autorizimin e Presidentit për Paktin Detar. Tani u hap rruga për një Pazar, që në qershor të hapen negociatat. SYRI.net

SHKARKO APP