Të ecësh si karavidhja
Nga Dritan Hila
Nëse fjala patetike për të drejtën e njeriut për t’u zgjedhur njëkohësisht kryetar bashkie dhe kryetar partie e Dashamir Pezës, deputet i PS-së dhe mik i Edi Ramës, do të mbahej në një forum për demokracinë në Zvicër dhe jo në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit Popullor, mund të ngatërrohej fare mirë me atë të një epigoni të Aristotelit. Por meqenëse jemi në Shqipëri, dardha e ka bishtin mbrapa, ndaj fjala e Dashit nuk ishte hiç më shumë se ajo e një guri shahu, në lojën e madhe që po luan Edi Rama për akaparimin e jetës politike dhe ekonomike të Shqipërisë për 15 vjetët që vijnë dhe posaçërisht për Erjon Velinë si lojtari i tij kyç i kësaj skeme.
Në këtë projektligj, caktohet se një kryetar bashkie nuk mund të zgjidhet më shumë se tre herë në këtë funksion. Kur 4 vjet më parë, gazetari Mentor Kikia organizoi një konferencë që i propozonte Parlamentit kufizimin e mandateve të kryetarëve të bashkive në dy të tilla, asnjë prej partive të mëdha nuk e pranoi. Shembulli i ofruar u mor nga Italia, vendi, i cili ka vuajtur sidomos në pjesën jugore të saj, pikërisht nga tarafet, klientelizmi dhe trafiku i personave që do të zgjidheshin kryetarë komunash. Por partitë shqiptare kishin pikërisht hallin e këtyre tarafeve që do t’i ndihmonte në fitimin e mandateve politike për deputetë.
Sot, nuk do të thotë aspak se partitë shqiptare u bënë më mendjehapura. Thënia e përdorur në komision se “12 vjet i duhen një kryetari të realizojë vizionin e tij”, është propagandë. 12 vjet janë gjysma e jetës produktive të njeriut, dhe nuk është normale që ti lihet peng jeta e qytetarëve një individi. Pasi asnjë individ shqiptar nuk është më imun nga skleroza politike se presidentët amerikanë dhe kryebashkiakët italianë. Por kjo është pjesë e skemës së Ramës që të qeverisë me njerëz të besuar dhe njëkohësisht të ruajë format demokratike. Ky ligj nuk e pengon Velinë të zgjidhet edhe tre herë të tjera, Qazim Sejdinin të kapë numrin gjashtë të mandateve dhe po aq të kapi Vangjush Dako. Këta njerëz, shto numrin e atyre të Vlorës dhe Sarandës, janë njerëzit më të besuar të Ramës me të cilët ndan projektet ekonomike të tij. Kredia prej 1.2 miliardë dollarë që do të merret nga Banka Botërore, do të disbursohet kryesisht në këto rrethe, me praktika tenderimi të cilat tashmë askush nuk ka dyshimin se janë klienteliste.
Pika e dytë problematike e ligjit, ajo që mos të ndalohej një kryetar bashkie të bëhet edhe kryepartiak, ka lidhje me Erion Veliaj, i piketuar nga Rama si kryetar i ardhshëm i PS. Në projektet e Ramës, Veliaj, është personi të cilin e shikon më të dëgjueshëm në zbatimin e dëshirave të tij, dhe me maksimumin e dhuntive që lejojnë një pasardhës të jetë edhe trashëgimtari i fronit edhe mosvrasës i mbretit. Veliaj është varianti lejla i Lulzim Bashës.
Edi Rama e ka të qartë se në një qeverisje më shumë se 15 vjeçare që e ka përllogaritur ai në krye të qeverisë ose në hije të saj, do të ketë probleme me drejtësinë. Dy vjetët e parë, me mënyrën si jepen tenderat, me klientelizmin, me mosmarrjen parasysh të asnjë ligji juridik në administrimin ekonomik, e kanë bërë të goditshëm nga çdo drejtësi minimalisht e pavarur. Ndaj është naive të mendosh se reforma në drejtësi do të sjellë një trupë që do ta pastrojë politikën. Por edhe nëse për çudi kjo ndodh, ja ku ka siguruar nën mëngë asin politik Veliaj, i cili do të sabotojë çdo iniciativë për dënimin e korrupsionit që po ndodh momentalisht në Shqipëri.
A do ja dalë Rama në këtë projekt të tij? E vërteta është se ai po ja bën hyzmetin në të gjitha drejtimet: po monopolizon ekonominë në duart e tij; po përqendron pushtet ekonomik; ngre skemën e një bllokimi politik në të ardhmen. Asgjë nuk i është lënë rastësisë. Shumica e ligjeve të miratuara dhe ato në projekt, i shërbejnë përqendrimit të pushteteve në duart e Ramës. Vendi po ecën së prapthi me hapin e karavidhes. E vetmja mënyrë që kjo mos të ndodhë, është një reagim negativ i Ilir Metës ndaj gjithë këtyre ligjeve dhe gjithashtu ribërja e Kodit Zgjedhor si mënyrë për të diversifikuar tregun politik. Nëse kjo nuk ndodh, ledhi i fundit i shpresës që ky vend mos përfundojë ekonomikisht pronë e disa familjeve të mëdha dhe demokracia të kthehet në farsë, do të jetë dalja e forcave të reja politike dhe vota e shqiptarëve.