Të fshehtat e 42 trëndafilave blu që iu dhuruan Bashës

Nga Desada Metaj

Reforma në drejtësi ka ribashkuar 2 aleatët e vjetër sot në Rogner. Ilir Meta dhe Lulzim Basha, kanë shtrënguar duart pas nje periudhe të ftohtë mes tyre. Edhe pse gjatë bashkëqeverisjes nuk e fshihnin simpatinë dhe miqësinë mes tyre, dy vitet e fundit Basha nuk i kurseu akuzat ndaj Ilir Metes ndërsa dhe ky i fundit leshoi herë pas here thumba në drejtim të beniaminit të dikurshëm. Por siç ndodh rëndom në politikë, inatet i kanë lënë pas dhe sot Basha e Meta treguan se ende ka dëshirë për bashkëpunim.

Por nëse Basha e përdor këtë takim dhe njëkohësisht mundësi te fundit për të gjetur gjuhën e përbashkët për reformën, shumë pikëpyetje ngrihen mbi qëllimet e Metës për këtë tryezë plot me qetësi dhe dashuri. I ndodhur para qëndrimit të ashpër dhe të prerë të diplomatëve te huaj për reformën dhe limitet kohore të miratimit të saj, Lulzim Basha ndoshta ka tentuar show-n e fundit të tryezave për t’i treguar ndërkombëtarëve që ai dhe PD kanë ende vullnetin për ta bërë Shqipërinë me një strukturë të re në drejtësi.

Krejtësisht më i qartë në qëndrimet dhe lëvizjet e tij, Ilir Meta jo vetëm nuk ka reflektuar qëndrime kundër reformës, por ka bërë të qartë që në fillim se LSI nuk do të votojë reformën nëse PD nuk do të jetë dakort me projektin e dorëzuar në parlament. E duket se ne funksion të kësaj ishte dhe “lapsusi” i përfshirjes në punimet e kuvendit edhe të votimit për reformën. Shenjë e qartë që LSI tashmë nuk ishte e treta e përfaqësuar në takimin Rama – Basha, por lokomotivë e një iniciative të re,që ndoshta mund të përkthehet ca më vonë edhe në një aleancë. Pikërisht kjo lëvizje e fundit, por jo e vonuar e Kryetarit të Parlamentit,mund të shihet nga disa dhe si një demonstrim force per aleatin Rama,marrdhëniet me të cilin vitin e fundit kanë qenë plot ulje- ngritje dhe konflikte, shpeshherë të mbajtura larg vëmendjes së shtypit.

Fare qartë Ilir Meta ka lenë të kuptojë se është “nostalgjik” për kohën kur qeveriste me Sali Berishën. As ai dhe as ish-kryeministri, pavarësisht pozicioneve aktuale, nuk e fshehin simpatinë dhe sharjet e kursyera mes tyre. Afrimi i sotëm me Bashën dhe mundësia e vakët për të gjetur një konsensus është ndoshta mënyra e re, që Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë gjetur për t’i treguar Edi Ramës pafuqinë e tij dhe jo vetëm të numrave në parlament kur bëhët fjalë për aleatët e vjetër. Sepse më parë se Basha t’i ketë thënë “po” Ilir Metës për takimin e sotëm,dikush që është lider de facto dhe “shpikësi” i aleancave fluide, ka bërë të tjera plane që ndoshta do ta bëjnë skenën politike shqiptare interesante në javët e fundit të qershorit. Edhe pse përfundimisht, kjo reformë nisi dhe përfundoi si sfida e diplomatëve të huaj në Shqipërinë krejt indiferente ndaj letrave ku shkruhen ligje e të mbërthyer nga ethet e europianit të futbollit. (opinion.al)

SHKARKO APP