Të gjitha janë të vërteta

 

Frrok Çupi.

Sa e guximshme të thush këtë definicion! Domethënë  se gjithçka është e vërtetë…

Por shumë herë më e guximshme do të ishte sikur të thuash se "nuk janë të vërteta!".

Sikur të thuash se nuk është e vërtetë gjithë stuhia mbi vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit, vrasje e dëshmuar si vepër e zyrtarëve më të lartë të shtetit, kjo do të ishte një marrëzi.

Përveç vrasjes, të gjitha janë të vërteta. Ka një mister ose paradoks mes gjithë kuitesencës së krimit të ndodhur. (Domethënë krimi ka ndodhur. Po e tregoj pak më poshtë). Paradoksi është ky: Këta po thonë ose po lënë për të nënkuptuar: "Qe baba duart! Nuk vramë njeri. Toma është gjallë, edhe Mëhilli po ashtu…". (Madje dikusah nga pala qeveritare tha një natë në televizion, gati si batutë: "hë mo, ja ku e keni Tomën, gjallë e shëndosh". Por po të mos ishte Tomë Doshi, deputet në disa legjslatura për Partinë Socialiste, atëherë nuk do të kishte as krim. Domethënë as do të denoncohej dhe as do të gjendeshin autorët e krimit. Sidomos kur shteti është pjesëmarrës në krim, asnjëherë "nuk ka krim". A nuk ndodhi kështu me bankierin dhe artistin Artan Santo?! Vetëm atëherë të gjitha do të ishin të pavërteta; dhe kjo gjë mund të thuhej hapur nga secili apologjet.

Në këtë rast Tomë Doshi dhe Mëhill Fufi janë në jetë. Pikërisht për këtë arsye mund të thuhet veç kështu: "Të gjitha janë të vërteta!"

A nuk është e vërtetetë se deputeti socialist i Veriut, Tomë Doshi, drejtoi gishtin kundër vrasësve dhe porositësve të vrasjes?! E vërtetë. Edhe pse sot ndodhen në maja të pushtetit, ai e tha të vërtetën. Kush mundi ta thotë të vërtetën për vrasjen e Artan Santos? Askush. Domethënë se krimi dhe ngjarja nuk ishin të vërtetë.

A nuk është e vërtetë se krimi i vrasjes së deputetëve ishte marrë vesh gjashtë muaj përpara? Sigurisht. Këtë e pohuan si Ministri i Brendshëm edhe kryetari i Kuvendit. Domethënë a jo çfarë tha Tomë Doshi, u miratua atje lart. Plani për një krim vrasjeje ndodhej në tavolinën e kryetarit të Kuvendit dhe të Ministrit të Brendshëm.

A nuk është e vërtetë se ministri i Punëve të Brendshme po kujdesej që ta çmontonte krimin? Këtë e tha vetë me gojën e tij para publikut. Ndoshta donte të thoshte se "jam njeri i mirë!, po zbusja vrasësin sepse e njoh!, e shikoni që deputetët i shpëtova nga vdekja". Po pikërisht kjo është e vërtetë: As ministri, as kryetari nuk morën armët që të ndiqnin deputetët. Ishin në dijeni të krimit dhe e fshehën në një mirësi dhe miqësi me autorët e krimit.

A nuk është e vërtetë se ministri i Punëve të Brendshme bëri dhjetra ecejake nga zyra e tij në zyrën e kryetarit të Kuvendit për të raportuar mbi çështjen "Doshi"? Këtë e tha vetë publikisht Ministri. Sipas deklaratave të deputetit Doshi, kryetari i Kuvendit kishte porositur vrasjen e tij dhe ministri po e fshihte. Por të paktën është e vërtetë se këtu ka një shkelje flagrante të rregullave funksionale të qeverisë, ministrave dhe kryetarit të Kuvendit. Në cilën republikë parlamentare moderne është parë që ministri të raportojë para kryetarit të Kuvendit?! Aq më keq që çështja lidhej me një akt terrorist të prezumuar ku përfiltet kryetari i Kuvendit. Të paktën është e vërtetë se dy zyrtarë shumë të lartë të shtetit kanë shpërdoruar detyrën.

A nuk është e vërtetë se ministri i Brendshëm ka pritur në zyrën e tij një njeri të njohur për akte kriminale dhe të prezumuar si killer i mbetur në tentativë?! E vërtetë sa nuk ka si kundërshtohet. E ka pranuar vetë Ministri i Punëve të Brendshme. Atëherë këtu nuk mund të të dalë nga koka mendimi se këtu ka një bashkëpunim të qeverisë me të inkriminuarit. Bashkëpunimi është veç për kokën e dikujt ose të disave. Nuk mund të jetë folur aty as për teatrin, as për Librin, as për Ekonominë. Veç për vrasje.

A është e vërtetë se vetë kryeministri ka porositur Ministrin: "Prite në zyrë atë mikun!". Po, e pranoi vetë kryeministri.

Domethënë, kemi ngjarje, më kot mundohen të thonë se është telenovelë dhe është ëndërr. Ka një ngjarje, krijuar nga njëra anë apo nga tjetra, ose nga të dyja bashkë. Por ngjarja është e vërtetë. Pyetni gjithë kriminalistët e botës.

Por po të kthehemi te i akuzuari kryesor, kryetari i Kuvendit. Ky deklaron se nuk kishte në plan ta vriste Doshin as Fufin. Mirë, bukuri. Por kur u akuzua Ilir Meta për vrasje, në gjithë blog-et shpërthyen komentet se e besonin. Edhe po të flitej për korrupsion ndaj Ilirit, të gjithë e besojnë. Po të thuhej se "Ilir Meta bëri një flirt me një femër në pub", askush nuk do ta besonte. Njerëzit e lidhin llojin e fajit me personin që i shkon për shtat. Përshembull po të thonin se Edi Rama ka paguar për vrasjen e Doshit, më pak njerëz do ta besonin.

Sa kohë që kjo është kthyer në besim, kjo quhet e vërtetë. Nuk ka një njeri që brenda vetes nuk e beson. E keqja nuk vret miliona, vret pesë a gjashtë, por besohet dhe krijon terror te miliona.

Tani ne të rracës shqiptare ndodhemi para një njolle të paparë. të gjithë po na shikojnë si njerëz që zgjedhim në krye të shtetit vrasës me pagesë. Askund nuk ka ndodhur. Të paktën deri më sot. Jemi të nxirë në fytyrë… A nuk është e vërtetë edhe kjo?

Të gjitha janë të vërteta. Edhe pretendimi se Tomë Doshi "nuk i ka të gjitha të sakta", mund të jetë e vërtetë. Por sa vlerë ka?! Zero vlerë.

E pavërtetë, deri më tani, janë dy gjëra:

E para, Tomë Doshi nuk është i vrarë.

E dyta, Artan Santo që u vra në qershor, i ka gjetur autorët. Mund të gjenden veç me këtë rast     

SHKARKO APP