Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë
Nga Alfred Peza
Arrestimi i një shtetasi izraelit me 250 mijë euro të padeklaruara që udhëtonte nga Moska për në Shqipëri, përveç bujës së lajmeve të një të diele të vakët si edhe vetë temperaturat e marsit, nuk do të kishte bërë aq zhurmë, nëse prej disa ditësh në Shqipëri nuk do të kishte një debat tjetër. Një debat përsëri me para. Një debat gjithashtu me para të padeklaruara. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe me para ku përmendet Rusia dhe lihet të nënkuptohet Moska gjithashtu.
Ka qenë debati politik, mediatik dhe publik për financiamin e një procesi lobimi pranë administratës Trump nga ana e PD dhe kryetarit të saj Lulzim Basha për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të vitit të kaluar, ai që ka dominuar javën e shkuar në Tiranë. Ndaj lajmi i policisë kufitare të Rinasit, ndoshta pati një jehonë edhe më të shtuar. Nëse i njëjti do të kishte ndodhur në një kohë tjetër, e në një kontekst debatesh të tjera, me tema të ndryshme nga kjo aktualja, me siguri që do të kishte qenë jashtë fokusit të tanishëm.
Nëse këtij lajmi i bashkangjisim edhe të tjera si ajo e kapjes në Rinas të një izraeliti tjetër kohë më parë me një aparat kundër përgjimeve. Më tej akoma, të një greku me të njëjtën ose me një pajisje të ngjashme por me finksione të njëjta. Të një italiani në Portin e Durrësit më pas, e kështu me radhë… nis dhe kupton se këto lajme të çojnë në fund të fundit, tek një përfundim: Zhvillime të kësaj natyre dhe të tjera si ajo e arrestimit të një vrasësi mafioz grek me pagesë; kapja e një sasie prej 613 kilogramësh kokaine të pastër në Maminas që vinte nga Kolumbia, Italia e Malta, e kështu me radhë, duket sikur të çojnë në një vend. Gjurmët e tyre të orientojnë drejt një pike. Të çojnë, në një destinacion.
Të gjitha rrugët e këtyre zhvillimeve me linja dhe personazhe të huaja, ku përzihet paraja, interesat kriminale, trafiku ndërkombëtar i niveleve më të larta, përgjimet apo frika dhe paranoja prej tyre, e kështu me radhë… të çojnë në kryeqytet. Në Tiranë. Atje ku përzihen interesat politike dhe të elitave të ekonomisë, medias, krimit, diplomacisë, spiunazhit dhe e të gjithë atyre që luajnë fijet e mbidheshme dhe të nëndheshme të zhvillimeve kryesore në këtë vend dhe të shqiptarëve në Ballkan.
Ka 3 000 vjet që njerëzimi ka përdorur një shprehje, sëbshku edhe me shqiptarët e secilin prej nesh, e cila thotë se: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Për aq kohë sa Roma ka qenë në jo pak kohë, kryeqendra e botës, kryeqyteti i artit, i kulturës, i ligjeve, pushtetit, intrigës, luftrave, pushtimeve, çlirimeve, ndarjeve, copëzimeve, e kështu me radhë. Sigurisht që me kalimin e shekujve dhe dekadave, rëndësia e Romës dhe e Vatikanit duket sikur kanë rënë paksa. E bashkë me to, edhe përdorimi i shprehjes aq të famshme.
Ndërkohë që për këtë botën tonë, për këtë hapësirën tonë, qendra e botës shqiptare mbetet Tirana. Të gjitha rrugët të çojnë atje. Sa më shumë që kjo bota jonë e vogël, dikur e harruar krejt dhe jashtë vëmendjes së botës së madhe,- megjithëse sandwich mes qyteterëimit të lashtë grek dhe atij romak,- i afrohet integrimit modern europian, aq më shumë kanë filluar që gjërat të lëvrijnë. Ndoshta si krejt pa lidhje të gjitha veç e veç këto zhvillime duken të shkëputura nga njëra tjetra. Por me një pikë të përbashkët, gjithësesi. Pavarësisht se vijnë ashtu rrotull, ato duket se synojnë veç një gjë, mesin. Tiranën.
A nuk thamë se të gjitha rrugët e shqiptarëve të çojnë atje?!/Alpenews.al