Të gjithë jemi “Qorra dhe Horra”, përveç Kryeministrit

Nga Sherefedin Shehu*

Sikur të mos kishte qenë i pari i vendit për 6 vjet e 3 muaj sot Kryeminisrtri doli dhe na tha se do të bëjë çudira. Por njerëzit edhe pse nuk flasin kanë memorje. E vetmja çudi që pamë sot ishte humbja e besimit tek të vetët dhe kërcënimi që u bëri atyre. Në mbyllja të fjalimit u tha se: “Kush nuk e voton këtë paketë (që e quan KÇK) është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS”.
Kur ekonomia dhe shërbimet publike janë në ditën më të keqe na tha se fajin e kanë “shpifësit”. Por qytetarët “live” që i ftoi vetë thanë se: “Njerëzit vdesin për bukë dhe në spital të lënë të vdesësh po nuk u dhe lekë”. Por fjala e këtyre “shpifësve” nuk do të zinte vend nëse Qeverisë do t’i ecnin punët dhe njerëzit do të kishin bukë në shtëpi dhe nuk do të kishin frikë të sëmureshin. Pra, fajin nuk e kanë ata që duan t’i “nxijnë faqen” Kryeministrit dhe Shqipërisë por zëvendësimi i mekanizmave të tregut me koncesionet klienteliste dhe monopoliste.
Sot bëri të fortin për kontrollin e vijës bregdetare sikur të mos kishte qenë ai që ka bërë premtime për 6 vjet rrjesht. Sot shpiku ca të fortë që kontrollokan vijën bregdetare kur në fakt ai i kontrollon edhe të fortët edhe vijën bregdetare. Të fortët e kontrollojnë vijën bregdetare sepse ligjet mund të përdridhen si të duan “Maliqët” e tij. Së dyti, pronarët i ka shpallur armiq të pushtetit, i cili është në dorën e “Maliqëve” që kontrollojnë bregdetin dhe gjithçka tjetër. Nëse e ke seriozisht mos u përdridh por vetëm bëj një ligj me dy nene: 1. “Toka tek i zoti”, dhe 2. “Ndërtime vetëm në zona të lejuara dhe sipas planeve kombëtare të miratuara”.
Shfaqja e radhës u shfrytëzua për të gënjyer edhe njëherë përfundimin e legalizimeve që as e ka dashur dhe as do ta bëjë ndonjëherë. Kryeministri duket e ka harruar se çfarë ka thënë dhe çfarë ke bërë për legalizimet. Të gjithë, përveç tij, e mbajnë mend rrenën në këmbim të votave se “Shtëpitë e ndërtuara pa leje nuk prishen, edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri, se janë investime të bëra me gjak.” Ndërsa me planet e “reja” të infrastrukturës dhe vështirësitë e shpikura për procesin na mendon të gjithëve qorra.
Një “e re” e përsëritur sot ishte edhe shpëtimi që do të na vijë nga ofrimi i shërbimeve online. Me sa duket ka harruar se sa herë i ka inaguruar të ashtuquajturit “one-stop-shop” që do të sjellin mrekullinë. Por, kjo është njëlloj si të mburresh se u ke ndërruar mendjen sportelistëve “faqezi” kur në fakt ju ke ndërruar vetëm mjekrën. Sepse ne e dimë që makinat e reja do të jenë në duart e “faqezinjve” të vjetër të cilët do të na japin përgjigjet apo dokumentat e kërkuara online. Makinat e çudirave vetëm do ti maskojnë “faqezinjtë” e vjetër dhe do të shtojnë “faqezinjtë” e ri që do të ndjekin gjurmët e tyre.
Më në fund mësuam edhe shkaktarët e moshapjes së negociatave me BE. Por në 2013 ky Kryeministër nuk i votoi tre ligjet me të cilat negociatat do të ishin hapur që atëherë. Nga ajo kohë kushtet vetëm janë shtuar dhe vështirësuar dhe lista e sivjetme ishte akoma më e gjatë se ajo e para një vit kur shpalli “Hapjen e Negociatave”. Dhe për ne qorrat, sot kushtet i quajti udhërrëfyes dhe njoftoi “mekanizmin e ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit”. Ndërsa ne “qorrat” mendojmë se “mekanizmat çudibërës” duhet të fillojnë të zbatohen nga koka që po e mban peng Shqipërinë.

*Sherefedin Shehu – Ish-deputet i Partisë Demokratike

SHKARKO APP