Të kopjosh gënjeshtrat!

 

Nga Mero Baze

Në fushatën e vitit 2011, pati një angazhim të stafit të Bashës të përhapte gjithandej lajmin se Lulzim Basha ishte kundër Berishës dhe se atij i duhej dhënë një shans që ta tregonte veten, se do t’i bënte gjërat ndryshe nga ai. Madje filluan të thuren dhe legjenda se Basha ka qenë kundër vrasjeve më 21 Janar, kundër prokurimit direkt me rrugën e Kombit, kundër Gërdecit, kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë etj. Pra për gjithçka që akuzohej pushteti dhe ishte barrë në fushatën e Bashës, përhapej një opinion me leje, që Basha nuk ishte fajtor për ato dhe se ai donte një mandat për Kryetar Bashkie që të shkëputej nga Berisha.

Shumë demokratë e besuan këtë, sidomos ata që janë mërzitur nga prania historike e Berishës në krye të tyre. Tek-tuk kishte dyshues që ky e bënte false, por u pëlqente dhe si guxim.

Në të vërtetë nuk ishte fare një ide e guximshme e Bashës, por një sugjerim i Berishës. Berisha është nga të paktët politikan në Shqipëri, që ka një sens realizmi elektoral kur vjen fjala tek profili i tij. Në disa raste ai ka shmangur tubimet elektorale në fushata, ku ka menduar se i prish punë kandidatit. Tipike ka qenë sjellja e tij me kandidatët e Sarandës më 2000, 2001, e 2003, të cilët i porosiste biles që dhe ta kritikonin atë në takime.

Të njëjtën gjë bëri dhe me Bashën në vitin 2011, duke i sugjeruar atij një distancim formal prej tij, duke njohur ndjeshmërinë antiberishë të Tiranës. Berisha jo që nuk u mërzit asnjëherë nga pëshpërimat e stafit të Bashës, por dy vjet më pas pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme, ai bëri betejë të paskrupullt për të vendosur Bashën pasardhës formal, duke prishur procesin e zgjedhjeve brenda PD-së, duke u përfshirë vet si kërcënues i mbështetësve të Olldashit e duke përfunduar tek votimi i hapur me numër rendor në çdo flet votimi, që të identifikohej vota.

Tani të nëjtën gjë, po bën Doktor Halimi me Lulzim Bashën. Ka disa ditë që lëshon mufka kundër tij, duke e akuzuar për mosmbajtje premtimesh dhe qeverisje të keqe të Tiranës. Skena po përsëritet e plotë, pasi Basha për të mos i “dëgjuar” këto kritika, po bën fushatë larg Tiranës, duke e lënë të flasë më vete kandidati i tij.

Kjo nuk është vetëm një praktikë qesharake, por dhe një fyerje e inteligjencës së kryeqytetit. Nëse Kosova ka vërtetë rezerva për mënyrën si është qeverisur Tirana, ai duhet të përballet me Lulzim Bashën që është fajtor për to dhe jo t’ua thotë demokratëve të mërzitur në sheshe, në formë barcaletash. Ai që akuzon Halim Kosova, nuk është thjesht një kryetar bashkie i dështuar, por një kandidat për kryeministër i Shqipërisë, pasi është kryetar i opozitës. Nëse ai nuk bën, siç nuk bën vërtetë për të qeverisur Tiranën, si mund të pranohet të jetë kandidat për të qeverisur Shqipërinë.  Një njeri i paaftë që nuk bëri asgjë në Tiranë dhe që po detyron dhe kandidatin e vet ta kritikojë me gjasme, me shpresë se e hanë njerëzit përsëri, duhet goditur si rrezik kombëtar, jo si rrezik lokal. Si rrezik lokal kaloi. Pas 21 Qershorit ai nuk do të jetë në Bashki, por nëse Doktor Halimi e ka sinqerisht, ai duhet t’i propozojë partisë së tij ta shmangë Bashën nga drejtimi i partisë. Një njeri që ka dështuar në Tiranë, nuk mund të drejtojë fushatën në gjithë Shqipërinë, pasi sipas Dr.Halimit ai është model i  dështuar.  Ky karagjozllëk duhet të marrë fund. Ne e dimë që Doktor Halimi është në hall se nuk ka çfarë kopjon, asgjë të susksesshme nga Lulzim Basha, por nuk ka pse kopjon gënjeshtrat që ai ka prodhuar në fushatën e tij ndaj ish-kryetarit të PD-së. Të paktën në gënjeshtra Doktor Halimi duhet të jetë origjinal.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP