Të mbajt’ e jotja
Nga Enkel Demi
Nikollë Lesi pati guximin të publikonte një fjalë që qarkullonte prej gati një muaji në Tiranë. Në Vjenë është organizuar një takim mes Edi Ramës dhe Lulëzim Bashës. Lajmi i gazetës “Koha Jonë” u bë edhe më i besueshëm sepse vetë Basha i kishte paraprirë duke dhënë shpjegime të hollësishme përse kërkonte dorëheqjen e Ilir Metës dhe jo të kryeministrit Edi Rama.
Prej shumë ditësh flitet shkoqur për një marrëveshje e cila kërkon eliminimin politik të Ilir Metës. Bëhet e sigurtë se palët kanë rënë dakord për një ligj të ri elektoral, ku Shqipëria do të ketë gjashtë rajone, gjashtë lista të mbyllura proporcionale (sërish kryetarë monarkë), dhe primin e famshëm, i cili i jep forcës së parë një bonus deputetësh për të garantuar qeverisjen, siç ndodh rëndom në Greqi. Kjo do të ishte vetëvrasje për Partinë Demokratike, e cila edhe në rezultatin e saj më të mirë elektoral, atë të vitit 2009, nuk ia doli të marrë më shumë vota se Partia Socialiste (veç 22 marsit 1992). Megjithatë, fjalë janë!
Po kështu, thuhet që është rënë dakord për ndryshimet kushtetuese, për reformën në drejtësi, duke i kthyer këto reforma rrënjësore në bipolare, pa pyetur askënd tjetër nga aktorët politikë vendas.
Kjo marrëveshje mund të jetë dhe shkaku i përhapjes së idesë së një qeverisje me bazë të gjerë, PD-PS. Mediatikisht mbështetësit janë të shumtë, megjithëse në këtë rast Babaramo do të thoshte se çdo deviacion gjenetik pjell monstra.
Deri më tani askush nuk e ka përgënjeshtruar Nikollë Lesin, ndërsa hamendësimet janë bërë zeje e preferuar si nga ata që i ka bërë të njohur gruaja, si nga ata që janë bërë vetë.
Problemi qëndron se marrëveshja, nëse është kryer, ka vetëm dy palë, Ramën dhe Bashën. Mungon Berisha. Ky i fundit ka mbajtur një takim të martën me gazetarët (zakonisht del të mërkurën), dhe në dyzet minuta i është përveshur kreut të qeverisë për çështjen e CEZ-it. Nuk është fshehur, por ka bërë dallimin e qëndrimit të Metës për gjykimin ndërkombëtar dhe e ka orientuar opozitarizmin edhe një herë drejt Ramës, të cilin nuk harron kurrë ta thërrasë me emër të plotë. Në anën tjetër, Meta ka kujtuar që është malësor, dhe po tha “po”, i vdiq nëna asaj pune. Pra, të mënjanuarit e Vjenës treguan “burrni”.
Jo shumë orë më pas, Lulëzim Basha, njeriu që shpjegonte një ditë më parë përse kërkonte vetëm dorëheqjen e Metës, lëshon një tekst në faqen e tij elektronike që e akuzon kryeministrin se na i ka falur CEZ-it 600 milionë euro, dhe risjell në kujtesë qarkun e Fierit dhe ato kohë të vështira kur qeveria përpiqej ta zbuste mërinë e Stefan Fyles duke i ndarë një copë tortë për të birin.
Ndoshta marrëveshje nuk ka, dhe kjo mund të jetë thashethem Tirane që joshi Nikon, por nëse ka, Rama i bie të jetë lodhur kot. Duhet të ishte takuar në Vjenë me Berishën, se ky tjetri të lë në gjysmë të rrugës dhe të nxjerr keq, si puna e analizave tek Fevziu, që në këtë këndvështrim u ngjajnë parashikimeve të Jorgo Pulës për yjet!
Tesheshi.com