Të ndahemi nga regjimi që nxit dhunën e të fortit mbi të dobëtin
Nga Astrit Patozi
Me policin, që i mori jetën 25 vjeçarit Klodian Rasha, nuk ia vlen shumë të merresh sot. As më takon, dhe as kam dëshirë ta bëj. Uroj, pa shumë shpresë, që fatin e tij ta vendosë një proces i drejtë hetimor dhe gjyqësor.
Ndërkohë që familjes se tij nuk ka gjë në botë që ia lehtëson dhimbjen për humbjen e njeriut të shtrenjtë.
Kurse me shtetin që kemi ndërtuar, ia vlen të vësh kujën e të mos ndalesh.
Ka plot njerëz sot, jo domosdoshmërisht në anën e qeverisë, që mund të mendojnë apo edhe mund të guxojnë të thonë se vrasja ka qenë thjesht një rastësi fatale.
Por pyetja është se si ka mundësi që në këtë vend nuk ndodh asnjëherë që një ligjzbatues të tejkalojë kushtet e mbrojtjes së domosdoshme, kur ka përballë të fortët e botës së krimit apo edhe ata të politikës.
Dhe kjo nuk vlen vetëm për policin, por edhe për prokurorin, gjykatësin, tatimorin dhe çdo nëpunës tjetër të kësaj republike të kalbur nga korrupsioni dhe padrejtësia.
Si shpjegohet që gjithmonë tejkalimet apo shfrimet e kërbaçit të pushtetit bien gjithmonë mbi shpinën e më të varfërve, më të pambrojturve dhe më të pazëshmëve të kësaj shoqërie të traumatizuar?
Ndaj edhe Shqipëria duhet të shpëtojë një ditë e më parë nga një regjim, ku të fortët prej dekadash i kanë dhënë vetes të drejtën për t’i dhunuar sistematikisht më të dobëtit, madje në disa raste duke u marrë atyre edhe jetën.