Të ndalet ai spot!
Nga Astrit Patozi
Javën e shkuar ngrita një shqetësim në këtë foltore. Blerjen dhe shantazhimin e medias nga mazhoranca apo qeveria e saj, e cila, sipas meje, shkëlqen, bie më shumë në sy dhe ka më shumë vlerë në kohë fushatash.
Pasi mbarova fjalën, një koleg më tregoi një fakt interesant.
“Isha duke ardhur me makinë në parlament dhe po të dëgjoja në një radio të njohur, më tha. Por tridhjetë sekonda pasi përmende Ilir Metën, fare papritmas dikush futi reklama, dhe nuk munda të të ndiqja më”.
E thashë këtë, ngaqë edhe sot kam ndërmend ta përmend kryetarin e Kuvendit, ndaj po i drejtohem që tani atyre mediave që po transmetojnë live, por që janë të detyruara ta mbrojme atë edhe nga fjala, se mund të kalojnë për pak minuta në publicitet.
Natyrisht, që ky nuk është një shqetësim personal. Nuk jam aq delirant, sa të besoj se bota ka humbur shumë, meqë fjala ime nuk u dëgjua deri në fund. Tashmë e kam bërë aq rrugë në këtë profesion sa të mos më bëjëe përshtypje fshehja apo mosinteresi mediatik për problemet që trajtoj.
Por e gjitha kjo shërben si ilustrim i drejtpërdrejt se në çfarë situate dramatike ndodhen raportet e shtypit tonë me publikun për shkak të qeverisë apo kësaj mazhorance.
Por sot, gjithësesi, dua të ngre një shqetësim tjetër.
Ne po i afrohemi me shpejtësi finishit të fushatës dhe, megjithëse këto janë zgjedhje lokale, nga të cilat nuk pritet dhe as nuk ka as mundësi që të ndryshojnë raportet e forcave qeveri – opozitë, ato po mbahen nën një atmosferë të helmuar qëllimisht dhe në mënyrë të njëanshme.
Nuk e kam fjalën këtu për mesazhet groteske të fushatës së kryeministrit dhe as për nervozizmin e pazakontë të autorit të slloganit “me qetësi dhe dashuri”.
Nuk më intereson stili i tyre i të bërit fushatë, sepse tek e fundit ai është një zgjedhje personale apo varet nga vendimet e strategjistëve. Natyrisht, nuk është normale që kryeministri tregon barcaleta kudo apo atë anekdoten e atij kryebashkiakut demokrat, që kishte frikë se e e shihnin në një fushatë, nga e cila, prej monotonisë dhe mungesës së shpirtit politik dhe argumenteve, shtypi po shkul vetëm fragmente erotike. Është pa asnjë dyshim fushata më e zvargur dhe më e shpëlarë që është zhvilluar në këtë vend, që nga viti ‘90 e këtej.
Por përtej këtyre elementeve rozë, ekziston një atmosferë ankthi dhe pasigurie, që sipas të gjitha gjasave do të cënoje rëndë cilësinë e zgjedhjeve. Ka pothuajse kudo një kushtrim për mbledhjen e të gjitha bandave, që janë vënë në dispozicion të mazhorancës dhe vringëllijnë armët e krimit mu në mes të qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë.
Për fat të keq, si asnjëherë tjetër më parë.
Qeveria, e cila është fryrë muaj pas muaji, edhe pse nuk ka pasur zgjedhje, që nga 23 qershori, duke fituar në tavolinë deputetë të opozitës, ka një eksitim të jashtëzakonshëm në këtë fushatë dhe kjo është sa e pashpjegueshme, aq edhe e frikshme. Ka me dhjetëra fakte dhe prova deri tani se po përgatitet një farsë zgjedhore dhe realisht lus Zotin që dikush të kthjellohet, sepse ka ende kohë që më e keqja të shmanget.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo klimë tensioni dhe aspak miqësore për zgjedhje korrekte, dje LSI shfaqi një spot, ku i kërkohej shqiptarëve që të mos e shisnin votën.
Gjykoj se kjo është e tepërt dhe kapërcim i çdo caku. Për mua, është njësoj sikur ISIS t’i bëjë thirrje botës që të ruhet nga terrorizmi, apo sikur Toto Rina të ftonte italianët që të mos i nënshtrohen mafias, opo më butë, sikur Sep Blateri të dënonte korrupsionin e FIFA-s në 25 vitet e fundit.
Mund të vazhdoja pafundësisht me krahasime të ngjashme, që në thelbin e tyre, të çojnë tek i njëjti përfundim.
Jam shumë i bindur që po të kishte ndodhur diçka e ngjashme në vende të tjera, mund të kishte nxitur deri edhe revolta popullore. Por edhe pse nuk pritet që të ketë të tilla në Shqipëri, përsëri unë mendoj se ai spot duhet të ndalet së transmetuari. E kam shumë seriozisht këtë kërkesë.
Dikush mund të thotë me të drejtë se kush je ti që mund t’i ndalosh apo i pengosh spotet elektorale, dhe se çdo subjekt ka të drejtat e veta për mënyrën se si e kërkon dhe e merr votën. Dakord jam me të gjitha këto. Por prapë këmbëngul se ai spot duhet të ndalet, sepse gjykoj se kjo shkon përtej çdo cinizmi. Sepse është poshtëruese edhe për vetë këtë parlament, madje për çdo personazh që merret me politikë, të çdo niveli qoftë, dhe sigurisht edhe për çdo zgjedhës, që ende beson tek sistemi.
Nëse do t’i shkojmë deri në fund këtij humori të zi, nuk është çudi që nesër të akuzohet për blerje votash opozita, e cila është kaq e pababarartë në këtë garë, sa edhe në elementin më të parëndësishëm të një fushate, siç janë flamujt dhe posterat është kudo në Shqipëri, në raportet 1 me 20, me mazhorancën në përgjithësi dhe me LSI-në në veçanti. Si asnjëherë tjetër në këtë vend.
Natyrisht, të parit për t’ia kërkuar ndaljen e këtij spoti duhet të ishte Ilir Meta, por e di që do më shkojë mundimi kot, sepse ai është, jo vetëm ideologu dhe aplikuesi më i fortë i këtij sporti të rëndë në Shqipëri, por me shumë gjasa edhe ideatori dhe autori i spotit. Po ia kërkoj me gjysmë zëri bashkëkryetarit të mazhorancës, Edi Rama, të cilit e them se fyerja e popullit nuk mund të shkojë kurresi në këto nivele, me shpresën e vakët se përgjegjesia e drejtpërdrejt që ai, dhe askush tjetër, ka për zgjedhjet, do ta bëjë që t’ia kërkojë Ilir Metës që ta tërheqë atë spot. Por kam frikë se as nuk guxon t’ia thotë, dhe as e dëgjon kush, po ia tha.
Jam gati t’ua kërkoj gjithashtu edhe ndërkombëtarëve, të cilët na vëzhgojnë dhe monitorojnë, edhe kur nuk bëjmë zgjedhje, por sidomos në kohë fushatash. E di se ata mund ta konsiderojnë çështje të brendshme, dhe ndoshta jo aq të rëndësishme, por dua t’i bind se kjo i kalon vërtetë të gjitha limitet. Fundja, po nuk e zgjidhen dot vetë, le ta bëjnë përmes KQZ-së. Le të bindin Lefterinë që ta ndalojë me vendim tranmetimin e këtij spoti, që është poshtërues edhe për ata vetë. Për Ambasadën Amerikane apo Kishën Katolike, që kanë bërë thirrje të ngjashme me atë të LSI.
Dje po dëgjoja zotin Lu që e përsëriti prapë në një aktivitet. A nuk tingëllon ky spot si një përqeshje për shqetësimin real të ambasadorit?
Le ta bëjë fundja KQZ-ja edhe arbitrarisht, ashtu siç vendosi për Këlcyrën, ndryshe nga Kurbini, duke përdorur dy standarte, për të njëjtën problematikë.
E di që jam në kundërrrymë me qëndrimin e partisë sime për këtë çështje, por nuk mund të mos e them, që ishin vendime të turpshme, pavarësht qëllimit të mirë që mund të kishte prapa tyre, edhe ai shume i diskutueshem, sipas meje. Le të bëjnë një kapercim edhe për këtë spot, siç bënë për Këlcyrën dhe Kurbinin. Mjafton që të gjendet një mënyrë.
Por nuk e fsheh dot që jam pesimist edhe për këtë version. Sepse më kujtohet një reportazh i gazetës “Tema” pas zgjedhjeve të tmerrshme të 2001-shit, këtu e 14 vjet te shkuara.
Të më ndjeni për fjalorin, por nuk mund të mos e citoj të sakte titullin e shkrimit, sepse do të humbiste shumë kuptimin.
Titulli ishte “S’pjerdh Iliri nga ODIHRI”.
Mund të ketë plot që me të drejtë të më thone se a ia vlen të investohesh kaq shumë për një spot?
Mendoj në të gjitha rastet që po, sepse ai është fyerje e drejtpërdrejt për çdo njeri të lirë, që ka respekt për veten në këtë vend. Sepse i bie që të tallemi përtej çdo cinizmi me gurin e themelit te sistemit. Do të thotë se kemi humbur çdo ndjeshmëri për këtë epidemi të rrezikshme, që po përhapet në Shqipëri me ritmet e rritjes së LSI dhe që pas pak viteve mund të shuaje çdo shpresë se mund të shpëtojmë një ditë prej saj.
Kjo nuk është një poshtërim vetëm për opozitën. Do të kishte qenë gjithësesi gjysma e së keqes. Por për çdokënd që beson tek vlerat reale e një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Mendoj se kjo që po ndodh është mbi të gjitha një thirrje për këtë parlament, ku ka plot burra dhe gra me integritet, nga të dy krahët politikë.
Por po i drejtohem në radhë të parë kolegëve të shumicës, se ne duhet të reagojmë ndaj kësaj sëmundje, që rrezikon të na përpijë të gjithëve.
Mos iu gezoni sot asaj fryrjes artificiale me të njëtin mekanizëm në këtë sallë dhe as rezultatit të deformuar që mund të sjellë nesër blerja masive e votave, pikërisht nga ata që kanë bërë spotin. Sepse jeni të parët në radhë, në mos e keni që tani brenda molen, të cilën do ta ndjeni vetëm kur t’ju bjerë në kokë çatia, nga trarët e brejtur. Kurrë mos besoni se jeni bërë të pathyeshëm, ngaqë po i merrni dhe po i blini të gjitha pushtetet.
Në këtë vend, por edhe gjetkë, qeveritë kane rënë gjithmonë atëhere kur i kanë pasur në dorë të gjitha.
Pyetja që shtrohet sot është se në çfarë drejtimi është duke shkuar ky vend? Ka vite që thuhet, ndoshta me të drejtë, se Turqia po i largohet për ditë më shumë Europës, për shkak të sjelljes autokratike të qeverisë së saj. Po pavarësisht të gjithave, turqit të dielen mbajtën zgjedhje normale, të cilat ishin ndoshta një përgjigje edhe për kursin politik të udheheqësve të saj. Por ndërsa Turqia po i largohet përditë e më shumë Europës, për nga standardet, ne po i largohemi çdo ditë e më shumë edhe vetë Turqisë. Dhe kjo është një gjëmë për ëndrrën dhe aspiratën shqiptare të integrimit.
Ne nuk duhet të ndalim thjesht këtë spot, por mbi të gjitha protagonistët, që qeshin me cinizëm pas transmetimit të tij. Ndryshe, pas fare pak vitesh, do të jemi të gjithë të blerë, sepse edhe vota e secilit prej nesh nuk do të vlejë me asnjë lek.
Fjala e deputetit të PD, Astrit Patozi, sot në Kuvend