Të ngremë monumentin e Majmunit!
Nga Artan Fuga
Ka dy teori për prejardhjen e njeriut.
Njera është teoria darviniste që e konsideron njeriun të prejardhur nga bota e kafshëve, pikërisht nga majmuni si paraardhësi ynë i drejtpërdrejt, si pasojë e seleksionit natyror. Majmunët më të përshtatur me kushtet u bënë njerëz…
Pastaj është teoria kreacioniste sipas së cilës lloji njerëzor u krijua në mënyrë mistike nga Zoti që i dha arësye, moral, gjuhë, imagjinatë, pikërisht për ta adhuruar Krijuesin.
Por, ka edhe një teori të tretë, ajo energjetiste, prej fillimit të shekullit të kaluar, që shpjegon se ka një energji që vjen kozmikisht dhe ndalon nëpër etapa të ndryshme, bima, kafsha, njeriu, në këtë kuadër majmuni është etapa pararendëse e njeriut por jo parardhësi i tij.
Sidoqoftë, askush nuk e mohon se fizikisht njeriu ka trashëguar nga kafsha pra nga majmuni.
Majmuni është zanafilla jonë.
Cdo njeri që është mbi Tokë, edhe ai më i mënçuri, më i pushtetshmi, më i pasuri, vjen nga një majmun, gorrillë ose nuk e di çfarë lloji tjetër.
Edhe të varfërit, jevgjit, psikopatët, fëmijët, klerikët, pedagogët, në fillim ishin majmuna.
Edhe shefat edhe vartësit kanë qenë majmunë.
Të gjithë njësoj.
Atëhere përse nuk ja u njohim këtë meritë majmunëve?
Përse ngremë monumente për burrat e brezave të kaluar, dhe bëhemi hipokritë, nuk i ngremë një monument majmunit?
Majmuni ka qenë burri i parë i shquar që na dha jetë, na bëri të mundur të gjitha të mirat e mëvonshme.
Pse kemi turp nga parardhësi i ynë sikurse ca provincialë që nuk u tregojnë shokëve dhe miqve xhajat me qeleshe dhe tezet me brekushe.
Majmuni është zanafilla jonë, tradita jonë, pasuria jonë universale.
Gjithmonë kështu e pëson njeriu që ka qenë në origjinë të diçkaje, e injorojnë, e harrojnë, ky është fati i tij, dhe në vend të tij dalin ca të tjerë që kanë shumë më pak merita. Për të ngritur meritat e veta ata harrojnë themeluesin e asaj që kanë trashëguar.
Lëre po e përdorin edhe si sharje sinonimin e tij kur i thonë njeri tjetrit : Ik ore majmun!
Asgjë nuk do të shkojë mbarë derisa ndonjë kryetar bashkie i ndriçuar nga dritat e mendjes nuk do të ngrejë në sheshin e qytetit të tij përmendoren e Majmunit të parë.
Një përmendore gjigande MAJMUNI, ku në çdo 1 prill të shkohet për homazhe nga figurat kryesore të qytetit dhe nga shoqatat, për të kërkuar ndjesë për gënjeshtrat e shekujve ku Majmuni është persekutuar.
Na duhet një monument gjigand Majmuni.
Keni për të parë do të ndjehemi më në fund të çliruar.