Të paktën të mos e quajmë korrupsionin vlerë!
Nga Mero Baze
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova është vënë para një debati të sikletshëm lidhur me modelin e suksesit të derisotshëm të tij në biznesin privat dhe në punët shtetërore, që kanë qenë në konflikt interesi me njëra-tjetrën. Si në intervistën e tij në Tv Klan ashtu dhe në takimet publike, ai po e mbështet fushatën e tij duke prodhuar lajme që vënë në siklet gra që janë aty rrotull, të cilave u kujton si kanë lindur. Pastaj tregon suksesin e tij si administrator i Maternitetit që ka drejtuar mbi një dekadë si dhe klinikës së tij private.
Nuk ka asgjë të keqe që kandidati të flasë për përvojën e punës së tij si administrator i një institucioni shtetëror, apo për biznesin e tij privat. Por në rastin konkret Dr.Halimi ka një problem me pozicionin e ri politik që ka dhe sidomos ambicjen për të qenë kryebashkiak i Tiranës.
Fakti që ai ka qenë edhe drejtor i një prej materniteteve më të mëdha në vend, edhe pronar i një klinike miliona dollarëshe private, nuk është modeli i duhur për shoqërinë shqiptare. Madje ky është modeli më i shëmtuar i shëndetësisë shqiptare që duhet luftuar dhe që as zoti Beqja nuk po bën asgjë. Drejtorat e spitaleve më të rëndësishëm shqiptarë, janë pronarë dhe të klinikave më të rëndësishme private në vend, çka është haptazi një nga fenomenet më korruptive në vend. Shumica e këtyre mjekëve “të shquar” e kanë përdorur zyrën e spitalit shtetëror, si karem për të marrë klient për klinikat e tyre. Nëse shkon për skaner në spital shtetëror gjithmonë mungon një vegël, por gjithmonë drejtori i spitalit ka një skaner privat ku të çon. Nëse shkon në maternitet dhe ndjek lindjen e fëmijës, gjithmonë ka disa probleme që mund t’i zgjidh një klinikë private që të çon drejtori. Nëse ka një analizë për të bërë në një spital, gjithmonë mungon siguria, por drejtori di një laborator privat ku të çon.
Bizeni privat i Dr.Halim Kosovës ka ecur paralelisht me karrierën e tij si Drejtor i Maternitetit dhe është shumë e vërtetë që ai është më shumë administrator sesa mjek, siç ia tha me dashamirësi një ish-pedagogu i tij.
Unë nuk mund ta fajësoj Halim Kosovën tani pse ka bërë një klinikë prej disa milionë eurosh, duke qenë në punë shteti dhe duke mos hequr dorë nga puna e shtetit, por do t’i lutesha të mos na e quaj këtë si sukses, se kjo është hajdutëria që duhet të luftojmë. Një mjek i shquar që ka një klinikë private dhe e ka pasion atë punë, nuk del nga dera e klinikës private. Ai nuk ka nevojë të jetë Drejtor i Maternitetit më të madh në Shqipëri, por ka nevojë të jetë 24 orë në krye të klinikës së tij. Ai nuk ka nevojë të bëhet deputet, politikan, kryetar bashkie, por ka nevojë të rrijë në Klinikë. Fakti që ai nuk rri në klinikë, por e ka atë për biznes, tregon një pasion të rremë të tijin për mjekësinë dhe gjinekologjinë dhe një pasion të shtuar për paranë, që është e rrezikshme kur kombinohet më ëndrrën për të administruar kryeqytetin.
Pa i ikur kësaj pike shumë të rëndësishme, që dëshmon se cili pasion dominon tek Kosova mjeku apo politikani, që e bën të pasur, dua të shtoj se nuk kam asnjë dyshim se nëse Kosova do zgjidhej kryetar bashkie nuk do të merrej fare me klinikën. Ai ka dhënë prova se respekton punën që i sjell më shumë lekë. Më parë ka respektuar më shumë se klinikën e tij postin e Drejtorit të Maternitetit. Bashkia, sipas modelit që ai na ofron, jep më shumë mundësi për të bërë lekë se klinika, kështu që nuk ia kam frikën se do ta ndajë kohën mes Bashkisë dhe Klinikës.
Por meqë është fushatë dhe meqë njerëzit janë të vëmendshëm ndaj mënyrës sesi një kandidat është bërë milionerë, nuk po rrimë të kontrollojmë faturat, por së paku është mirë që modeli i shëmtuar i të pasuruarit duke bërë dy punë, një në shtet me rrogë të vogël dhe një në privat me miliona, të mos na serviret si model suksesi. Ky është një nga modelet që ka instaluar korrupsionin në shëndetësinë shqiptare dhe më tej në shoqërinë shqiptare. Vetëm në këtë vend gjen mjek të shquar që nuk ikin nga spitali shtetëror, duke pasur klinikat private, doganierë që kanë agjensi doganore private, policë që ndërtojnë pallate, drejtora arsimi që kanë shkolla private,etj. Modeli, që këtu puna e shtetit është një lop që duhet mjelur në funksion të punës private ku punëson të tjerë, duhet të marrë fund. Dr.Halim Kosova është duke na kërkuar vota për Bashkinë e Tiranës dhe para se të na bind për të ardhmen e tij, duhet të jetë më i qartë për të shkuarën e tij. Ajo është një model i shëmtuar korrupsioni i tranzicionit shqiptar, për të cilin Kosova nuk është fajtor, por është përfitues. Të paktën të mos na e paraqesë si vlerë, që ti besojmë të ardhmen.