Të të lësh ministrat në derë

 

Nga Mero Baze

Aleati kryesor i Partisë Socialiste, Ilir Meta, ka bërë një kërkesë publike për ndryshime në qeveri, duke e konsideruar se enegjitë e konsumuara nga betejat e fundit, mund të kenë nevojë për impulse të reja. Kërkesa është bërë publike, pasi janë qetësuar disi gjakrat mes tij dhe kryeministrit Rama në debatin për çështjen e CEZ.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kërkesa publike e Metës, ka disa nuance të pazakonta politike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nuanca e parë e kësaj kërkese, është se Meta, kur bën fjalë për ndryshime në qeveri, ka parasysh ministrat socialistë, pasi nëse do të bënte fjalë për ministrat e vet, ai do të bënte propozime konkete për kryeministrin Rama. Duke theksuar se ndryshimet janë në dorë të zotit Rama, Meta është duke i kërkuar të ndryshojë disa ministra socialistë “për t’i dhënë impulse të reja” qeverisjes.

Ndryshe nga çka ndodhur në qeverisjen Berisha- Meta, kur Meta ndryshoi brenda ditës ministrat e vet, pa u konsultuar me Berishën, por duke marrë një vendim politik, këtë radhë Meta po sugjeron ndryshime, duke konsideruar se karroca e pushtetit ka probleme nga krahu i socialistëve.

Nuanca e dytë e kërkesës së Metës është se ai e ka inkuadruar kërkesën e tij në fund të konsumimit të një debati të lodhshëm publik, që më shumë e mjegulloi se e sqaroi çështjen CEZ, dhe ku ai e pa vetën disa herë të vetmuar dhe nga socialistët. Në këtë pikë, ai e shikon nevojën e ndryshimeve në qeveri, edhe si një shenjë besimi dhe kompesimi për të ecur bashkë pa probleme përpara.

Së treti, Meta po e bën kërkesën publikisht, jo se e ka të vështirë t’ia thotë përballë Ramës, por se dëshiron të mos marrrë kosto për një sërë problemesh në qeverisje, sidomos në financa, shëndetësi dhe natyrisht në energjitikë, Ministri, e cila i prodhoi dhe debatin politik rreth CEZ. Duke mbajtur një qëndrim publik për ndryshime, Meta kërkon t’u thotë socialistëve, se nuk është gati të marrë kostot e problemeve që krijojnë ministrat socialistë.

Kërkesat e tij publike, më shumë se sa ndonjë objektiv konkret, janë një përpjekje për të ndarë përgjegjësitë para publikut dhe për t’u thënë shqiptarëve, se ai është i gatshëm të reflektojë për keq-qeverisjen, ndërsa ai që e mbron atë është kryeministri. Dhe e vërteta është, se ideja e ndryshimeve në qeveri, ka një pritshmëri shumë më të madhe nga publiku, se heroizmi i Edi Ramës për të mos i prekur asnjë qime floku ministrave, duke i shpallur ata monumente që ruhen nga kryeministri, edhe kur janë me probleme. Në këtë pikë Meta është më afër pritshmërisë së publikut, bile dhe socialistëve, se sa është Edi Rama, i cili nuk ka pse “bën be” për kokë të ministrave.

Thelbi i kësaj beteje publike të Ilir Metës nuk është ndonjë emër i përveçëm, edhe pse disa të tillë i ka nën gjuhë. Thelbi është që ai do të ndajë llogaritë, për problemet e keq-qeverisjes publikisht. Ai më shumë se kërkon t’ia nxjerrë nga dera disa ministra, kërkon t’ia lërë ata në derë Edi Ramës.

TEMA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?