Të të talli Ilir Meta!

 

Nga Andi Bushati /
Atë që po i ndodh sot, Edi Rama nuk e kishte imagjinuar as në ëndrrën e vet më të zezë. Aleati i tij e ka vënë në një pozicion po aq sa të pafuqishën edhe qesharak. 
Ndërkohë që kryeministri deklaroi me bindje dhe pareshtur se nuk do të kishte ndryshime në qeveri, vëllai i tij armik ia përplasi ato në fytyrë. Ai tregoi forcë taktike dhe dhe guxim për të vepruar duke dëshmuar se në koalicionin bicefal të së majtës, nuk mund të dëgjohet vetëm një zë.
 
Madje Meta u kujdes që të sinkronizonte edhe me Sali Berishën arsyet se përse Naço po jepte dorëheqjen, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë edhe besueshmërisë së Reformës në Drejtësi. Akuzat e ministrit të dorëhequr se bashkëpunimi në këtë projekt kishte munguar dhe parathënia e tyre nga ish kryeministri, treguan edhe njëherë se Meta dhe Berisha kanë frikëra dhe interesa të përbashkëta në këtë reformë.
 
Ilir Meta shkoi edhe më tej. Përpos që delegjitimoi sovranitetin e Ramës dhe besueshmërinë e projektit të ri për drejtësinë, ai propozoi për ministër, njeriun që e ka telendisur më shumë publikisht kreun e PS-së. Me futjen e Ylli Manjanit në qeveri, duket se ylli i plotfuqisë së Ramës mori fund. Jo vetm për deklaratat spektakolare që ministri i ri Drejtësisë ka bërë në të shkuarën por se me anë të tij Meta theu edhe një marëveshje të pashkruar në 1 prill: mositegrimin në qeveri të "tradhëtarëve" që patën kaluar nga një parti tek tjetra.
 
Dhe së fundi i pakënaqur nga ky poshtërim publik, kryeparlamentari ka vënë në punë makinerinë e tij të propagandës për të parathënë ndryshime të tjera në qeveri, pa djeninë dhe pa miratimin e kreut të saj. Ende nuk dihet nëse këto "profeci" janë thjeshtë shantazhe, apo hapa të vërtetë politikë për delegjitimimin e kësaj qeverie, por një gjë është e sigurtë: ato po e qesharakizojnë me shpejtësi portretin e kryerilindasit dhe po e shndërrojnë në groteske propogandën e tij për të bërë shtet.
 
Kur filloi betejën e heshtur me Metën, Edi Rama kishte një qëllim: të tregonte se ky koalicion qe një bashkëjetesë e detyrueshme e të mirit me të keqin. Me kurdisjen e aferës së CEZ, me fjalët që shpërndante për diplomatët e huaj, me justifikimet që përdorte për të fortët e parlamentit, për dhënien e Lagunave apo fitoret e tyre në gjykata, Rama donte të krijonte imazhin e heroit që po lufton të keqen edhe brenda vetes.
 
Por tani kur kjo histori po prek fundin, ai jo vetëm nuk ka arritur ta nxijë imazhin e Metës më shumë seç qe më parë, por bashkë me të, ai ka rrënuar edhe perceptimin për vetveten. Shantazhi i Metës dhe dorzimi para tij, jo vetëm e ka rënuar moralin e kësaj qeverisjeje, por ka shpërfaqur edhe fytyrën e saj të vërtetë: klienteliste, të kapur dhe të korruptuar.
 
Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Ilir Meta sot po kthehet nga i akuzuar në sfidues. 
 
Ai ia ka arritur ta shndërojë Ramën në një klloun që nuk e përfill as për qeverinë e tij. 
 
Prandaj kjo është dita që kryerilindasi nuk e kishte imagjinuar as në ëndrrat e tij të të zeza. Por kjo është gjithashtu dita, kur të gjithë socialistët dhe ata që besuan tek Rilindja, nuk kanë fuqi ta ngrenë kokën nga turpi. Ndoshta ata e kishin parashikuar një qeverisje të vështirë me aleatin e babzitur LSI-në. Ndoshta e kishin pritur lojën me dy porta dhe vicklat e herpashershme të Metës. Ndoshta i kishin menduar përplasjet për tendera dhe vende pune.
Por se do të vinte dita që njeriu me bllok në dorë, do të hiqte zvarë, do të nëpërkëmbte dhe përqeshte liderin e tyre, këtë nuk e kishin përfytyruar kurrë.
Ilir Meta arriti ta bëjë këtë sepse ai gjeti përballë një të ngjashëm, po aq të korruptuar, klientelist dhe jo parimor sa vetvetja. E këtë lojë ai di ta luajë mirë. 
 
Prandaj po e tërheq Raman zvarrë.
 
Në pamundësi për ta rrëzuar po e shndërron në qesharak. 
 
Pas ngjarjeve të fundit ai nuk është më një kryeministër real. Natyrisht, ai mund të vijojë të firmosë leje ndërtimi, të shkatërrojë terrene sportive, të shpërndajë para për miqtë, por pavarësisht nga këto, ai ka humbur kredibilitetin. Sepse ai mund të qëndrojë në karrige, por do të vazhdojë të jetë i tallur nga Ilir Meta.

SHKARKO APP