Të tregohesh i kujdesshëm nuk do të thotë dobësi

 

Në Hanover ishte planifikuar të jepej një shenjë solidariteti. Eshtë e hidhur që ndeshja e futbollit u desh të anulohej. Por e gjitha ka edhe anën e saj të mirë, mendon Sabine Kinkartz.

A kanë fituar tani terroristët? A kanë mundur ata të mbjellin aq shumë frikë dhe mosbesim, sa të na kenë nën ndikimin e tyre? A është shenjë turpi, që një eveniment kaq simbolik si ai, që ishte planifikuar në Hannover, të anullohet në momentin e fundit? Që të gjithë, edhe kancelarja dhe ministrat e saj, që donin të shkonin në stadium me kokën lart, u desh të ktheheshin?

Sabine Kinkartz

Sabine Kinkartz

Eshtë një ndjenjë e hidhur, një ndjenjë brejtëse, dhe jo vetëm shumë tifozë të futbollit pyesin veten, nëse anulimi qe vërtet i nevojshëm. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, tha se po, por një shpjegim të plotë ai nuk mundi të japë. Por ai iu lut opinionit publik që të ketë besim. Ai tha se nuk do të krijojë pasiguri në popull, dhe se as nuk do të rrezikojë hetimet. Kjo mund të ndodhte, nëse merren vesh shumë gjëra, në një kohë që gjurmët janë ende të nxehta.

Qëndrim bindës

Thuhet se ka pasur arsye të forta për anulimin. Informacionet u shtuan aq shumë gjatë pasdites, saqë refuzimi ishte i pashmangshëm. Për mua ato që tha de Maizière, tingëllonin bindëse. Megjithatë tani shumëkush do të thotë: me siguri ministri dhe aparati i tij i sigurisë kanë marrë një lajm të gabuar të shpërndarë qëllimisht, ose thjesht janë ngatërruar. Si në Alsdorf, ku pas një informacioni nga popullata u arrestuan papritur shtatë të dyshuar dhe gjithë ditën u krijua përshtypja se po arrihej një sukses në kapjen e terroristëve. Dhjetë orë më vonë nga kjo nuk mbeti asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë.

Po më pas i di gjërat gjithmonë më mirë. Sidoqoftë kur ka dyshime, duhet të mbizotërojë kujdesi. Ashtu si në atë mbrëmje, kur, sigurisht pasi u peshuan mirë të gjitha mundësitë, ndeshja në Hannover u anulua. Për Thomas de Maiziere kjo nuk do të ketë qenë e lehtë. Por ai kishte përgjegjësinë dhe duhej të garantonte sigurinë e mijëra njerëzve. Dhe ajo është më e rëndësishme se një simbol. Po sikur në stadium të kishte shpërthyer me të vërtetë një bombë?

Kujdesi nuk do të thotë tërheqje

Dhe një gjë të mirë kishte e gjitha: Në Hannover u dëshmua se policia e ka gjendjen me të vërtetë nën kontroll. Në mënyrë të sigurtë, pa kaos dhe panik, tifozët u dërguan në shtepi. Gjithçka funksiooi, siç duhej, dhe ky fakt të lë një shije të mirë. Për shkak se ky nuk do të ketë qenë operacioni i fundit policor në luftën kundër terrorit. Ne do të jetojmë për një kohë të gjatë me rrezikun dhe duhet të dimë të veprojmë me kujdes dhe me mençuri. Kjo mund të jetë një shenjë e fuqisë dhe nuk do të thotë se duhet të tutemi.

SHKARKO APP