Të votojmë me duar në xhepa

 

Nga Artur Zheji

Gjithmonë më të vjetërit thonë dhe këshillojnë, në udhëkryqe hallesh apo prapësish të jetës: “Kujdesuni në radhë të parë për shëndetin!” apo “Shëndeti mbi të gjitha, të tjerat shkojnë e vijnë!”

Dhe ti o vlla, o motër, o mik, o qytetar apo fshatar, në qendër apo në periferi, me nerva të tendosura nga pasiguria e së nesërmes, apo ti që bluan në mendje plane zhvilluese për tokën tënde, apo ti që je rreshtuar në një parti, se partia sot është strehë, është nënë e babë, shok e vlla të bëhet pra partia, merre në radhë të parë me qetësi e nge këtë çështjen e votimit më 21 qershor.

Voto, por mos u skuq e mos u ngrys, e mbi të gjitha mos u sherros me njeri, ditën e votimit dhe për tifozerinë ndaj kandidatit tënd apo të partisë tënde.

Shëndeti mbi të gjitha, paqja mbi të gjitha!

Paqja me miqtë, me komshinjtë, me shokët, me farefisin, me kundërshtarët politikë të kandidatit tënd, paqja me mikun e tavolinës që voton për partinë që ti nuk e voton apo nuk e sheh dot me sy, Paqja është më e rëndësishmja gjë që i duhet familjes tënde, të sotmes dhe së nesërmes tënde, mes njerëzish me mendime, interesa apo edhe me  shije të ndryshme.

Sepse shumë shpejt, gjithë këto emocione zgjedhore do të kryejnë ciklin e tyre bëmëmadh, me kushtrime e bërtitje me sa zë në kokë të liderëve dhe të kandidatëve, do të qetësohen e koha do t’i marrë në udhëtimin e saj të paskaj, nga njëri cak i pafundësisë në tjetrin.

Pankartat, flamujt e sloganet, fotot e stërmëdha do të vyshken shpejt, ashtu sikur vyshket gjithçka në këtë jetë, herët a vonë, lart apo poshtë në hierarkinë shtetërore apo sociale.

Andaj miq, motra e vëllezër, shmangeni sa të mundeni adrenalinën që ju shtyn dhe ndërsen të turreni kundër tjetrit sepse ai ndan një kod tjetër me ju, apo sepse ai voton kundër apo voton për interes, apo se tha kështu e ashtu, se shau nëpër dhëmbë Edin, Lulin, Ilirin apo Saliun.

Votoni. Ashtu sikur hani një panine me salsiçe. Me vëmendjen që salsiçen ta përtypni mirë. Shtyjeni me një gotë dhallë apo një shurup molle.

Gjeni të çarën e kutisë së votimit, vini kryqin pranë emrit që parapëlqeni apo që mendoni se do t’ju mbarojë ndonjë punë, shpresoj të mos jua ketë me të hedhur, palosni fletën, prekeni të çarën e kutisë dhe hidheni. Hidheni votën tuaj dhe kthehuni në shtëpi apo në ndonjë kafene për qejfin tuaj e pa kokëçarje!

Ja pra kaq thjesht, larg marrëzive me emocione të forta që janë si uthulla, që populli thotë se kur uthulla është e fortë, ajo prish pikësëpari enën e vet. Ruani mirë enën tuaj ekzistenciale. Do t’ju duhet aq sa do të barisni mbi dhe.

Shkoni po mundët drejt votimit, me duar në xhepa dhe fishkëlleni ndonjë këngë për qejfin tuaj.

"Mapo"

SHKARKO APP