Teatri Kombëtar shqiptar dhe Notre Dame e Parisit

Nga Mentor HOXHA (Paris)-
…Prej katër vitesh banoj si qytetar i ligjshëm në Francë. Punoj dhe të drejtat e mia ligjore nuk mi cënon askush si në Shqipëri. Kam të drejtë të protestoj kur të dua unë, madje dhe në këto kohë pandemie dhe të kërkoj të drejtat e mia kur ata më cënohen. Duke qenë në punë, dhe i izoluar prej dy muajsh nga pandemia, isha larguar paksa nga aktualiteti shqiptar dhe po përgatisja një vëllim poetik për ta botuar në frëngjisht. Meqë, sot kisha pushim, sapo u zgjova në mëngjez, përgatita kafen dhe hapa mediat shqiptare për të parë ndonjë lajm të mirë mbi pandeminë në vendin tim, pasi në Shqipëri kam nënën 80-vjeçare që kam katër vite pa e takuar dhe të afërmit e mi të shumtë, por ç’të shihja. Teatri Kombëtar ishte rrethuar nga policë të shumtë të armatosur gjer në dhëmbë si për luftë. Ata qëllonin pa mëshirë me grushte, shkelma, dhe shkopinj gome, si dhe përgjaknin dhe arrestonin gazetarin e njohur, Alfred Lela, aktorët, Neritan Liçaj dhe Robert Budina, kryetaren e LSI-së, zonjën Monika Kryemadhi, ish deputetët Kërpaçi dhe Flamur Noka, si dhe me dhjetra aktivistë dhe gra të reja e të moshuara vetëm pse protestonin paqësisht për mbrojtjen e një godine me një histori mbi 70 vjeçare të shpallur monument kulture nga shteti shqiptar dhe nga shoqatat evropiane që mbrojnë trashëgiminë botërore. Teksa shihja fadromat që shembnin barbarisht dhe pa pikë mëshire tempullin skenik të aktorëve shqiptarë, m’u kujtuan fotot shokuese që më tregonte shoqja ime e shkollës në Francë nga Siria, Lamya mbi aktet vandale të talebanëve në Siri ndaj monumenteve të kulturës siriane. Madje, ata kishin masakruar për vdekje edhe xhaxhain e saj vetëm pse kishte guxuar të mbronte një monument të lashtë ku ishte drejtor. Akoma nuk më besohet, që Shqipëria, e cila para pak kohës mori rekomandimin për t’iu bashkuar BE-së dhe që shqiptarët mezi e presin një gjë të tillë, ngrihet një varrmihës në kohë pandemie dhe me metoda barbare si Neroni, apo si ISIS dhe talebanët në Irak dhe Siri, varros përgjithmonë godinën më të famshme historike, kulturore, politike dhe albanologjike në Shqipëri. Ky akt barbar më kujton diktatorin Enver Hoxha, i cili më 1967 fshiu memorien historike dhe fetare të kombit shqiptar duke shembur kishat dhe xhamitë për të ndërtuar memorien e tij historike që ishin momunumentet e dëshmorëve komunistë, monumentet socialiste, apo bustet e tij që ndodheshin në çdo institucion shtetëror. Ky i sotmi, shembi një monument historik për të ndërtuar kulla gjigande për të përfituar miliona euro për vete dhe për fëmijët e tyre, të cilët i kanë me studime në universitetet më të njohura të botës dhe që paguhen nga taksat e qytetarëve të varfër shqiptarë që mezi ushqehen në këtë kohë të vështirë pandemie.
BASHKË ME TEATRIN U SHEMB EDHE NJË PJESË E HISTORISË SIME KULTURORE
Godina 80-vjeçare e Teatrit Kombëtar nuk ishte vetëm tempulli i artistëve shqiptarë, por i mbarë shqiptarëve. Madje edhe varrmihësi i saj, Edi Rama, si për koeçidencë, dashurinë e parë e përjetoi pikërisht në auditoret e këtij teatri me një aktore të fashme dhe shumë të bukur të këtij të teatri, të quajtur Matilda Makoçi. Fryt i kësaj dashuri është Grigori, edhe ai një artist, piktor si i ati dhe në fushën e artit si e ëma. Në bisedat e mia të sotme me miqtë të shumtë në Francë dhe nga e gjithë bota nxorëm tre shkaqe që kanë detyruar kryeministrin shqiptar për ta prishur këtë tepull skenik: E para, kjo bëhet për të përfituar shuma të mëdha në euro nga ngritja e kullave në këtë zemër të Tiranës, e dyta, ndofta te kjo godinë, kryeministri ka përjetuar diçka të tmerrshme në jetën e tij dhe fantazmat si në tragjeditë e Shekspirit, “Hamleti” dhe “Lady Makbeth” nuk e lënë aspak të qetë, ose ai vuan nga huçilacione si personazhet psikologjikë të Frojdit. Nuk ka si të ndodh ndryshe, pasi një artist, siç është kryeministri, shqiptar nuk ka pse prish një tempull të tij kulturor.
Lidhja ime me Teatrin Kombëtar Shqiptar është e hershme dhe fuqishme. Duke qenë gazetar dhe shef kulture në disa gazeta të njohura ditore dhe kryeredaktor në disa revista të njohura në Shqipëri, e kam vizituar shpesh këtë godinë, kam shijuar shfaqjet e panumërta të vëna nga regjisorët më të njohur shqiptarë dhe të interpretuar nga aktorët tanë më të mirë, kam pirë kafe dhe kam shkëmbyer biseda pune me artistët të të shquar të Shqipërisë, si dhe kam botuar në shtypin e përditshëm dhe në revistat e njohura shqiptare mbi 500 intervista exluzive me aktorët më të njohur të këtij teatri, si Kadri Roshi, Hajrie Rondo, Timo Flloko, Vasjan Lami, Serafin Fanku, Gëzim Kame, etj., intervista që i kam botuar edhe në katër librat e mi me intervista. Kam botuar qindra artikuj kritikë mbi shfaqjet e vëna në skenën e këtij teatri dhe mbi interpretimin e aktorëve, si dhe kam përgatitur një enciklopedi me mbi 1000 aktorë, regjisorë dhe dramaturgë shqiptarë ku shumica i përkasin pikërisht këtij teatri. Për përgatitjen e kësaj enciklopedie, të cilën e kam gati për botim, kam shfrytëzuar edhe arkivin e këtij teatri.
NOTRE DAME DE PARIS, TEATRI KOMBËTAR DHE LOTËT E PARISIENËVE DHE TË ARTISTËVE SHQIPTARË
Franca është vendi me më shumë me monumente kulture, fetare dhe historike në botë. Shteti Francez dhe francezët janë shumë të ndjeshëm ndaj trashëgimisë së tyre dhe në asnjë rast nuk guxojnë të rrafshojnë objekte të tilla për kulla që u shërbejnë atyre, apo oligarkëve. Madje, një nga arësyet e kapitullimit të Francës para ushtrisë gjermane në Luftën e Dytë Botërore ishte pikërisht ultimatumi që i dhanë gjermanët Francës, që nëse nuk do dorëzohet do bombardohet Kulla Eifel. Francezët pranuan më mirë kapitullimin se sa bombardimin e simbolit të tyre historik. Kryeministri shqiptar e di shumë mirë këtë, pasi ka jetuar tre vjet në Paris, po për të kanë më shumë vlerë paratë dhe oligarkët se sa memoria historike e kombit shqiptar. Kur më 15 prill të vitit të kaluar u dogj nga zjarri katedralja e fashme Notre Dame në Paris shumë parizienë u mblodhën rreth godinës dhe me lotë në sy shihnin si shkrumbohej historia e tyre mijravjeçare. E kam parë nga afër këtë ngjarje tragjike për Francën dhe historinë botërore dhe kam botuar disa artikuj për këtë tragjedi. Sot, teksa, shihja nga larg lotët çurg të ish deputetes Albana Vokshi dhe të disa artistëve të njohur shqiptarë për prishjen e tepullit të kulturës shqiptare, m’u rikujtuan lotët e parizienëve të shumtë në atë prill të trishtë që vajtonin simbolin e tyre historik, kurse në kryqytetin e vendit tim, shumica e tiranasve të përçarë nga politika e shihnin pa lot në sy shkatërrimin e simbolit të tyre nga mediat. Notre Dame de Paris dhe Teatri Kombëtar Shqiptar, patën një fat të ngjashëm tragjik por me varrmihës krejt të kundërt. Monumenti i famshëm francez u dogj nga natyra, kurse monumenti shqiptar u dogj nga një njeri i kulturës. Për djegjen e Katedrales së Parist shprehën keqardhje të gjithë liderët e botës dhe miliona qytetarë nga e gjithë bota, madje edhe Edi Rama dhe Ismail Kadare, si dhe nisi dhe një hetim, për shembjen e paligjshme dhe në mënyrë barbare të tepullit skenik shqiptar heshti Kadare, një pjesë e artistëve dhe disa aktorë të njohur që kaluan pjesën më të madhe skenike te ky teatër, heshti drejtësia shqiptare, shumica e mediave të blera nga qeveria, ambasadorët në Shqipëri dhe Bashkimi Evropian. Për rikonstruksionin e Katedrales u dhanë miliona euro nga Qeveria Franceze dhe qeveritë e huaja, madje Edi Rama dha 100 mijë euro, kurse paratë për e ndërtimin e teatrit të ri në Shqipëri do dalin nga xhepat e qytetarve të varfër shqiptarë, ndërsa fitimet nga kullat që do ndërtohen te teatri do t’i gëzojë Edi Rama dhe fëmijët e pushtetarëve dhe të oligarkëve të vendit më të varfër në botë.
HESHTJA E ISMAIL KADARESË DHE E NDËRKOMBËTARËVE
Shembja e një monumenti kaq të rëndësishëm kulturor dhe historik në një kohë pandemie dhe dhuna barbare dhe e panevojshme e ushtruar nga Policia e Shtetit Shqiptar ndaj njerëzve që mbronin këtë tempull duhet të kishte sjellë padyshim reagimin e ndërkombëtarëve, apo të personaliteteve të larta shqiptare, si Ismail Kadare, pasi tek ky teatër është inskenuar edhe një pjesë e veprave të tij ku është dënuar regjimi komunist dhe diktatura. E bija e tij, Gresa iu bashkua para disa kohëve protestës së artistëve që mbronin Teatrin, ndërkohë shkrimtari i shquar me banim në Paris nuk ka reaguar fare. Heshtja e ndërkombëtarëve, e Kadaresë, apo e shumicës së mediave kryesore dëshmon qartë se këtej e tutje, duhet të jetë populli shqiptar, ai që duhet të marrë në dorë fatet e tij, përmes nje rezistence të gjatë dhe të palëkundur, pasi Edi Rama nuk largohet me dëshirë nga pushteti siç kanë bërë Sali Berisha dhe Fatos Nano. Ndërhyrja e ambasadorëve në Shqipëri ka zbehur rolin opozitar dhe ka favorizuar Edi Ramën. Vetëm në vende të vogla, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, ambasadorët e huaj dhe ndërkombëtarët mbrojnë qeverinë dhe sulmojnë opozitën, ndërkohë në vende të fuqishme demokratike nuk i pyet njeri. Rast për t’u marr shembull është fqinji ynë Greqia, e cila ka organizuar shpeshherë manifestime të fuqishme kundër ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në punët e shtetit helen, duke djegur flamuj të Bashkimit Evropian, të Gjermanisë dhe të SHBA-së, kurse liderët tanë politikë zbythen para presionit të ndërkombëtare, siç ndodhi me Lulzm Bashën dhe PD, të cilët nga presioni i një zyrtari amerikan ua la pa garë vendin kryebashkiakëve rilindas duke mos hyrë në zgjedhje dhe duke mos bërë fare rezistencë. Nëse opozita shqiptare do kishte penguar zgjedhjet lokale, Edi Rama do ishte zbythur dhe nuk do kishte përfituar asgjë, siç përfitoi gjithçka që deshi më pas. Opozita duhet ta kuptojë, se nëse dikush tenton të të marr me forcë diçka që nuk i takon dhe t’i ia jep pa bërë asnjë rezistencë, atëherë ai mësohet me ty dhe t’i merr të gjitha. Dikush që të qëllon me grusht në fytyrë dhe t’i nuk ia kthen, ai të qëllon përsëri, madje të mbyt fare, pasi nuk ka më frikë nga ti. Edi Rama i pamëshirë u mësua me opozitën shqiptare që më shumë ka fjalë se rezistencë, kështu që ia mori të gjitha të drejtat që i takonim me kushtetutë. Dhe tani nuk ka forcë opozitare që e ndalon. I ka fituar në tavolinë të gjitha ndeshjet me opozitën e lodhur nga opozitarizmi i gjatë dhe nga ndërhyrja e shpeshtë e ndërkombëtarëve në favor të qeverisë dhe në dëm të opozitarizmit dhe të kombit shqiptar.
TEATRI, RËNIA E OPOZITËS DHE E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI
Me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Edi Rama doli edhe një herë triumfator kundër opozitës dhe qytetarëve shqiptarë. Ky është triumfi me nokdaun i Edi Ramës ndaj frontit opozitar dhe vendosja përfundimisht e diktaturës rilindase në Shqipëri. Me këtë fitore, Edi Rama nuk ka më se ç’të marrë, pasi i ka marrë të gjitha. Fitorja e sotme e Ramës është njëlloj si triumfi i Ahmet Zogut në dhjetor të 1924-ës ndaj Fan Nolit, i cili rrëzoi përfundimisht demokracisë në Shqipëri, vendosi Monarkinë dhe u vetshpall Mbret i Shqiptarëve nga Asambleja Kombëtare e dominuar prej tij. Zogu sundoi si monark deri më 7 prill 1939 kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë duke sjellë një tjetër spektër politik në Shqipëri. Me marrjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Rama i ka fituar të gjitha ata që ka dëshiruar, por ka fituar edhe ambasadorët e huaj, që nga njëra anë lavdërojnë qeverinë shqiptare për reformat, nga ana tjetër i bëjnë thirrje qeverisë për ndalimin masiv të azilantëve shqiptarë që mësyjnë në vendet e BE-së, në vend që t’i bëjnë pyetje vetes, pse po ikin kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria. Edi Rama ka kapur në mënyrë të paligjshme të gjitha institicionet shqiptare, duke filluar nga të gjitha bashkitë, drejtësinë, mediat, shoqatat civile dhe ndërkombëtarët, Në këto rrethana, atë e rrëzon nga pushteti absolut vetëm një ndërhyrje e huaj ushtarake, ose Lufta e Tretë Botërore. Në kushtet politike, ekonomike e sociale ku ndodhet sot Shqipëria, shqipëtarët kanë dy rrugë: ose të kapin armët dhe të sulmojnë qeverinë dhe vilat luksoze të pushtetarëve, ose të largohen familjerish nga Shqipëria. Unë dhe rreth një milionë shqiptarë kemi zgjedhur largimin përfundimisht dhe familjerisht nga vendi ku lindëm dhe u diplomuam. Me humbjen e sotme, opozita dhe Fronti Opozitar kanë dy rrugë: ose të dorëhiqet dhe t’ua lënë vendin liderëve të rinj më energjikë që janë të gatshëm të ndeshen për jetë a vdekje me Edi Ramën ose të përballen vetë fizikisht me kryeministrin duke rinisur në mbarë vendin protestat e pambarimta deri në rrëzimin e Ramës, krijimin e një qeverie intelektualësh pa Ramën kryeministër dhe zhvillimin sa më shpejt të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e lokale. Rrugë tjetër nuk ka. Nëse duan të mbijetojnë politikisht, të mos dëgjojnë më ndërkombëtarët, por të dëgjojnë shumicën e qytetarëve shqiptarë që kërkojnë rrëzimin e Rilindjes dhe rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Opozita dhe populli shqiptar nuk kanë ç’farë të humbin më, pasi i kanë humbur të gjitha. Kanë humbur lirinë, drejtësinë, demokracinë dhe dinjitetin. Tashmë është koha për rifitimin me çdo kusht të këtyre të drejtave, ndryshe do shuhemi si komb, pasi do ikin të gjithë nga vendi. Opozita duhet ta kuptojë qartë që misionin që i ka caktuar historia e realizon vetëm me votuesin shqiptar dhe jo me ndërkombëtarët që e shohin Shqipërinë si vend ideal për të mbushur xhepat e tyre me paratë e shqiptarëve të varfër. Si gazetar opozitar prej afro 20 vitesh kam menduar se pas rrëzimit të regjimit komunist 40 vjeçar në Shqipëri, vendi im do të integrohej shumë shpejt politikisht dhe ekonomikisht me standardet e vendeve perendimore, por shembja e Teatrit në kohë pandemie, largimi i opozitës nga parlamenti dhe emërimi pa garë i bashkiakëve socialistë në të gjitha komunat e vendit ma ka shuar këtë shpresë, ndonëse po luftoj të rifitoj nderin tim të nëpërkëmbur nga njerëz të pashkollë me pushtet. Gjatë gjithë jetës sime kamë qenë opozitar i të gjitha partive politike, sepse ky është edhe misioni i çdo gazetari të ndershëm, ndërkohë nuk jam anëtar i asnjë partie politike dhe nuk kam patur asnjë post politik dhe publik, ndonëse kam tre diploma me nota të shkëlqyera nga universitete të njohura brenda dhe jashtë Shqipërisë. Karrierën time profesionale e kam realizuar pa ndihmën e asnjë partie politike dhe si i tillë kam qenë, jam dhe do të jem opozitar me çdo pushtet që shkel dhe nëpërkëmb të drejtat e mia dhe të bashkëkombasve të mi.
PSE U ZGJODH PANDEMIA PËR REALIZIMIN E ËNDRRËS 20 VJEÇARE TË KRYEMINISTRIT
Edi Rama ka dashur ta prish këtë monument kulture që kur u largua nga Parisi në vitin 1998 pas një qëndrimi tre vjeçar për t’u rizgjedhur Ministër Kulture në Qeverinë e Fatos Nanons dhe më pas krybashkiak i Tiranës. Ëndrra e tij 20-vjeçare nuk u realizua atëherë, pasi nuk kishte besnikërinë dhe egërsinë shtazarake të policëve të Lleshit, pasi ishte një copë kryetar bashkie, por u realizua sot në mëngjez me gaz lotësjellës dhe me shumë dhunë, gjak, arrestime dhe shoqërime të shumta në polici. Tamam si një ujk plak dhe i regjur në gjueti ai zgjodhi pikërisht errësirën për të prishur godinën dhe për të sulmuar e përgjakur kundërshtarët e prishjes së këtij tempulli artistik. Ky akt barbar ndaj historisë së kombit shqiptar në kohë pandemie dhe në errësirë si çakejtë që shfrytëzojnë errësirën për të sulmuar dhe shqyer prenë e tyre nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Sot, kur populli shqiptar, i mbetur pa punë dhe pa ushqim nga periudha afro tremujore e izolimit përshkak të pandemisë false të Edi Ramës, kryeministri shqiptar kryen këtë akt barbar duke ndezur një zjarr të ri, fitili i të cilit mund të shtriihet deri në Surrel dhe në mbarë Shqipërinë. Në këtë moment, kur njerëzit duhet të mbajnë distancën sociale nga pandemia, ai rihap një vatër të re zjarri që mund të shkaktojë protesta të fuqishme mbarëkombëtare dhe të infektoj qindra shqiptarë. Dita e sotme nuk ishte koha e duhur për prishjen e kësaj godine, por duhej lënë pas pandemisë kur shqiptarët t’i ishin kthyer punës dhe jetës normale. Rama zgjodhi pikërisht këtë periudhë, pasi pas pandemisë mund të kishte një rezistencë të fuqishme qytetare. Pandemia ishte një rast i volitshëm për ta konkretizuar ëndërrën e tij 20 vjeçare. Nxitimin e tij e kundërshton dhe mjeku i shquar infeksionist, Prof. Dr. Tritan Kalo i cili i trinditur se pse e prishja e Teatrit ndodhi pikërisht në kohën e koronavirusit shtron pyetjen nëse strukturat shtetërore kanë kaq kohë, sa të merren me shembjen e Teatrit Kombëtar, sidomos në një periudhë pandemie dhe ditëve në kufizime që po kalon vendi.

SHKARKO APP