Teknologji shqiptare: Urë pa hekur, dhe e ka fajin përroi pastaj
Nga Mentor Kikia –
Kjo është ura e shembur në Kalivaç, Lezhë. Njoftimi i autoriteteve vendore thotë se nga Komanda e Xhenjës ka nisur menjëherë puna për riparimin saj, pasi u shemb nga lumi.
Por mua më tërhoqi një detaj i “vogël”.
Këto copat e këputura të urës, nga sa shikohet, ka vetëm beton dhe nuk ka patur asnjë shufër hekuri brenda. Qëkurse u shpik ndërthurja e hekurit me betonin, teknologjia e ndërtimit fluturoi. Por në Shqipëri kanë nisur ti bëjnë edhe urat vetëm me beton.
Një përrua, në po të njëjtën mënyrë, këputi edhe një urë në një fshat të Elbasanit nja tre vjet më parë. Këmba e urës ishte beton “safi”, ngritur zhavorr, pa asnjë fije hekuri, dhe pastaj ia vunë fajin përroit. U bënë nja dy verifikime dhe në preventiv dilte se për këtë urë ishin përdorur 16 ton hekur.
Është koha që përveç riparimit, këto ndërtime të hetohen edhe për kushtet dhe standardet teknike që janë përdorur, pasi kryetarët e komunave dhe bashkive, nëpër fshatra, kanë bërë të 99-tat me fondet publike.