“Telefoni i prishur” i reformës në drejtësi
Nga Eduard Zaloshnja
Kur dëgjon udhëheqësit më të lartë politikë shqiptarë sesi fajsojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e konsensusit rreth reformës në drejtësi, të kujtohet loja fëminore e “telefonit të prishur”. Në atë lojë, meqë fjala shkon vesh më vesh, pa u dëgjuar nga të tjerët, mund të fillojë si lepurush te fëmija i parë në rradhë, e të përfundojë si gomar tek i fundit.
Ja ç’ka thënë Lulzim Basha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, në lidhje me negociatat për reformën në drejtësi (sipas Top Channel-it): “Në 3 shkurt, Donald Lu dërgoi me e-mail 5 opsione, ndër të cilat edhe atë të vendeve të rezervuara [për partitë kryesore në këshillat e larta të gjyësorit dhe të prokurorisë]. Në 14 shkurt, i kthyem përgjigje me e-mail ambasadorit Lu, duke i thënë se PD-ja bie dakord për vendet e rezervuara. Në 17 shkurt kjo i komunikohet PS-së”, tha Basha, dhe vazhdoi më tej: “Të gjitha janë në e-mailet me ambasadorin Lu dhe, nëse është e nevojshme, do të publikohen. Si Nulandi dhe këshilltari i Merkelit, me të cilin fola dje në telefon, janë të qartë se këtë formulë [të vendeve të rezervuara] e ka propozuar vetë Rama, e ka konfirmuar Venecia, dhe se ne thjesht po kërkojmë atë për të cilën është rënë dakord”.
Ndërsa Edi Rama deklaroi mbrëmë në emisionin Top Story se kundërshtimi kryesor i PD-së kishte qenë votimi me 3/5 për anëtarët e këshillave të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë, dhe varianti i vendeve të rezervuara mund të shërbente si zgjidhje zhbllokuese vetëm nëse PS-ja nuk hiqte dorë nga votimi me 3/5. Por meqë PS-ja hoqi dorë dhe pranoi votimin me 2/3, nuk kishte më kuptim të diskutohej për variantin e vendeve të rezervuara, i cili, sipas Ramës, po shfaqte probleme të theksuara në Kroaci, ku është zbatuar para disa vitesh.
Dhe ne shqiptarët e thjeshtë si ta marrim vesh nëse është thënë “lepurush” apo “gomar” nga “fëmija” e parë në lojën “telefoni i prishur”? Ambasadori Lu, i cili ka qenë në mes të kësaj loje, dihet që nuk mund të dalë e të thotë publikisht se cili nga “fëmijët” gënjen. Mirë a keq, ai është munduar të shërbejë si negociator mes dy palëve që, normalisht duhej ta kishin arritur vetë një marrëveshje, dhe ai s’mund të fajësojë publikisht njerën apo tjetërn palë, sepse në fakt, kjo nuk është një lojë fëmijësh.
Edhe në të shkuarën, janë bërë ndryshime të rëndësishme të kushtetutës apo kodit zgjedhor përmes negociatave të fshehta, të ndihmuara nga ambasadorë të rëndësishëm, por pa pjemarrjen e ligjvënësve. Këta të fundit vetëm kanë votuar për ndryshimet brenda natës, duke u besuar udhëheqësve të tyre. Dhe aq më pak ka marrë vesh publiku se ç’është diskutuar në ato negociata të fshehta.
Një nga shumë kushtet për ekzistencën e një demokracie liberale është edhe transparenca. Ndryshimet kushtetuese apo edhe ndryshime të tjera të rëndësishme të ligjeve duhet të nisin me një draft që paraqitet në kuvend nga disa parti, nga një parti apo nga një grup deputetësh (ata mund të këshillohen po të duan paraprakisht me ekspertë vendas e të huaj, me Venecian e Brukselin, me Uashingtonin e Berlinin, apo me kë të duan). E rëndësishme është që diskutimet, ndryshimet, dhe votimi për draftin duhet bërë në sy të publikut, duke nisur që nga komisionet parlamentare, e deri në sallën e Kuvendit. Në këtë mënyrë, nuk do të kishim nevojë të pyesnim ambasadorin Lu se çafrë ka shkruar në e-mailet e tij, sepse e dimë që ai do të jepte një përgjigje evazive në çdo rast. Ndërsa kur diskutimi bëhet publik, ai dhe ambasadorët e tjerë mund të këshillojnë apo bëjnë trysni mbi palët në konfidencë, por s’do të kishim nevojë të hamendësonim se çfarë është thënë, përderisa gjithçka është transparente.
PS-ja duket se do ta paraqesë më së fundi në Kuvend draftin për reformën e drejtësisë, por tani gjakrat janë ndezur aq shumë, sa nuk bëhet më fjalë për debat, por për luftë. “Nëse edhe një deputet i opozitës voton një draft pa konsensus, PD kalon në përballje totale, përfshirë edhe djegien e mandateve derisa të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, ka thënë sot Basha në mbledhjen e grupit parlametar të partisë së tij.
Pra, nëse reforma miratohet me 94 vota në Kuvend, nuk bëhet fjalë për një diskutim rreth saj – bëhet fjalë thjesht për një përdorim “kulaçi” e “kërbaçi” nga ana e Ramës dhe ambasadorëve të interesuar për miratimin e saj, derisa të bëhen (nëse bëhen) 94 votat. Respublica.al