Tërmetet dhe shteti qesharak i Ramës
Nga Mili Xhani –
Zona e Korçës është tronditur dje nga disa lëkundje të forta tërmeti. Qendra Europiane e Tërmeteve EMSC raporton se goditja më e fortë, 4.5 e Shkallës Rihter ka qenë 10 kilometra larg Bilishtit. Ndërsa dy lëkundjet e tjera kanë qenë në një shkallë më të ulët, 3.4, dhe 3.7. Thellësia e tërmeteve ka qenë deri në 10 kilometra, gjë që ka bërë që lëkundjet të jenë më të forta dhe më të rrezikshme. Për shkak të tronditjeve qytetarët e Korçës kanë dalë në rrugë nga frika e shembjes së shtëpive. Ndërsa një pjesë e banorëve që jetojnë në pallate shumë kate në Korçë kanë zgjedhur që të flenë jashtë nga frika e lëkundjeve të tjera gjatë natës. Ministria e Mbrojtjes njoftoi dy orë pas rënies së tërmetit se nuk ka pasur dëme materiale, por në terren e rezulton ndryshe. Të paktën 12 shtëpi janë dëmtuar në fshatin Qafëzezë të Korçës. Po në këtë fshat, një muaj më parë, ra një tjetër tërmet i fuqishëm që shkatërroi shumicën e banesave. Lëkundjet e djeshme rrëzuan dhe ato pak shtëpi që mbaheshin në këmbë.
Qarku i Korçës prej disa ditësh është nën alarm nga tërmetet për shkak dhe të tronditjeve që vijnë nga tërmetet e shpeshta që kanë rënë në Greqi. Në zonën e Kastorias në Greqi, pak kilometra nga kufiri me Shqipërinë edhe dje ka rënë një tërmet 4.5 ballë i Shkallës Riheter. Ndërkohë që në vendin fqinj gjatë javë të fundit ka një aktivitet sizmik të shtuar që ka vënë në alarm gjithë autoritetet greke.
Fatmirësisht tërmetet dje në Korçë kanë kaluar pa dëme serioze. Lëkundjet kanë ndodhur në momentin që institucionet në Tiranë janë përfshirë në debatin më idiot për përballimin e fatkeqësive dhe katastrofave natyrore. Në mënyrën më të papërgjegjshme, institucionet e qeverisë, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministria e Mbrojtjes nxorën në media një letër konfidenciale të kreut të shtetit. Në letër, Presidenti duke u nisur nga situata në Greqi ku tërmetet në Kretë dhe në Athinë shkaktuan dëme të mëdha dhe kanë vënë në lëvizje gjithë strukturat e emergjencave civile, kërkonte që edhe institucionet shqiptare të mos gjendeshin të papërgatitura për situata të ngjashme. Greqia është shtet kufitar dhe nuk duhet ndonjë njohuri specifike për ditur që kur nisin lëvizjet tekonike në një vend, nuk përjashtohet mundësia që më pas të përsëriten edhe disa pika të tjera, këtej apo andej kufirit. Letra ishte një dokument konfidencial, ku kreu i shtetit në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, u sugjeronte institucioneve që të shikonin planet e emergjencave. Por institucionet që kanë detyrë monitorimin e situatës në gjithë territorin, në vend të përgjigjeshin zyrtarisht e përdorën letrën për të manipuluar opinionin publik dhe për të sulmuar kreun e shtetit. Përgjigja më jo zyrtare ishte ajo e Ministrisë së Mbrojtjes dje, e cila deklaronte se tërmetet nuk parashikohen ndaj dhe nuk kemi përse marrim masa. Letra e Ministrisë, e shkruar me stilin e kryeministrit, në vend të përgjigjej për çështjen që kishte ngritur kreu i shtetit, ironizonte me parashikime dhe pamundësinë për të ditur se kur ndodh tërmeti.
Dhe si për ironi të gjithë palëve që bënin si shkencëtar dhe sizmiologë të regjur, tërmeti i djeshëm në Korçë i vuri në provë. Fatmirësisht nuk pati dëme. Por ata që thoshin se nuk kemi përse të marrim masa, dje u provuan se janë jo seriozë për funksionet që mbajnë. Ministria e Mbrojtjes dha njoftimin për tërmetin gati dy orë pasi kishin ndodhur lëkundjes. Madje konfirmoi se nuk kishte dëme, kur vetë banorët e fshatrave deklaruan se janë dëmtuar disa shtëpi. Lajmet për dëmet, në vend të jepen nga njësitë vendore dhe autoritet qeveritare, që e kanë detyrë ligjore, jepeshin nga mediat dhe qytetarët. Por teksa sulmonin presidentin dhe thonë se i kanë marrë të gjitha masat, janë të njëjtat institucione që ende nuk kanë gjetur zgjidhje për banorët e dëmtuar nga tërmeti i 1 qershorit në Korçë. Një sjellje e tillë institucionale duke dashur të sulmojë politikisht presidentin me një çështje kaq serioze, tregon se kemi një qeveri paaftë. Mjaftuan lëkundjet dje në Korçë për të kuptuar se çfarë institucionesh qesharake kemi ndërtuar.