“Terrorizëm islamik” apo “terrorizëm në emër të Islamit”?
“Ideja është kjo: nuk mund të sulmohet ky lloj i terrorizmit, pa u sulmuar Arabia Saudite. Nuk ka fushatë ushtarake që do t’i kap të gjithë terroristët që shkollohen aty. Është shumë më e lehtë që të mbyllet shkolla, se sa të kapën nxënësit”…
Nga Berat Buzhala
Të shkruash prej periferisë për tema kaq të mëdha, kaq serioze, siç është religjioni dhe qytetërimi, vazhdimisht më është dukur një akt kurajoz, me nuanca, nga pak, qesharake.
Kjo për shkak të neve që shkruajmë, por edhe për shkak të atyre që na lexojnë.
Sidoqoftë, për mirë a për keq, edhe ne shqiptarët e kemi hisen tonë për atë çfarë po ndodh në arenën ndërkombëtare. Qoftë me kuadro ushtarak në terren, por edhe me audiencë jashtëzakonisht të interesuar për të mësuar se çfarë po ndodh.
Mbrëmë në Nice ndodhi ajo çfarë pritej të ndodhte. Nuk pritej të ndodhte saktësisht aty, por patjetër diku në Perëndim. Lufta, sa e di unë, nuk ka përfunduar. E nëse nuk ka përfunduar, atëherë do të ndodhin akte të tilla.
Terroristët do të tregohen secilën herë më kreativë, se sa kanë qenë herën e fundit. Në të ardhmen nuk do të sulën me kamionë në një turmë tjetër, sepse do ta kanë më të vështirë. Do të shpikin diçka tjetër. Lemeritëse.
Nuk kam çfarë të shtoj në këtë drejtim. E nuk kam çfarë të shtoj as për pikëllimin. Janë thënë të gjitha në Facebook, në log të burrave. Prej të dyja kampeve.
Ajo çfarë më është dukur interesant këto dy ditë, por edhe muajt e fundit, është një lloj lufte e heshtur, në kampin e atyre që e dënojnë terrorizmin. Është një palë që këto krime i quan “akte terroriste”, duke mos e përmendur fare islamin; një palë tjetër që këto akte i quan “terrorizëm islamik” dhe grupi i tretë, ku jam edhe vetë, që këto krime i quan “terrorizëm në emër të islamit”.
Nëse nuk do ta elaboroja pak më tutje këtë çfarë e thash, sigurisht që nuk kam thënë asgjë.
Çfarë do të ishte terrorizmi islamik?
Nëse qendra e Islamit është Arabia Saudite, aktet që po kryhen viteve të fundit nëpër Perëndim, që prej 11 shtatorit 2001 e deri me mbrëmë, pa asnjë frikë do të mund të quheshin Terrorizëm i pastër islamik.
Në bazë të njohurive të mia më të mira, e që nuk janë të jashtëzakonshme por janë të mjaftueshme për të ardhur në një konstatim solid, nëse islamizmi shikohet prej farë na servon Shtëpia e Saudit, Arabia Saudite, atëherë është islamizëm i rrezikshëm, është islamizëm që prodhon terrorizëm.
Në atë truall, në atë shtet krijohen në mënyrë legale kuadro të përshtatshme për veprimtari terroriste, përmes shkollës Wahhabi. Dhe kjo nuk është gjë e re. Nuk është as e këtij shekulli. Daton që nga fundi i shekullit i të 18’të, kohë kjo kur kishte ndodhur edhe miqësia, ose aleanca e Muhhamad bin Saudit me Muhhamad Abd Al – wahhabi. Ky i fundit si propaguesi i islamit puritanist, ose tradicional, që shkonte krejtësisht ndesh me islamin që në atë kohë përfaqësohej nga Perandoria Osmane.
Pa dashur të zgjatëm me të dhëna që mund t’i lexoni edhe në Wikkipedia, por është interesant të thuhet se luftërat e para të wahhabive, dhe të Shtëpisë së Saudit, ishin me Perandorinë Otomane. Madje është interesant të thuhet se i pari që i kishte mposhtur këta ishte një shqiptar, valiu i Egjiptit të sotshëm, Muhhamed Alia.
Sigurisht që pesha e saudëve dhe wahhabive ishte margjinale deri në shekullin e kaluar, kur këta arritën që t’i pushtonin shumicën e vendeve të shenjta islame, duke e përfshirë edhe Mekën.
Duke qenë tash zotëruese të vendeve të shenjta, saudët, nuk ishin më vetëm përfaqësues të një fisi nomad. Nëpër duart e tyre duhej të kalonin të gjitha ata myslimanë që dëshironin ta përmbushnin obligimin e Haxhit, njërën prej shtyllave kryesore te islamit.
Sigurisht që një gjë e tillë u jepte atyre pushtet simbolik tek të gjitha ata myslimanë që shkonin atje. I pari i saudit ishte një lloj Kalifi i vetëshpallur, duke e zëvendësuar tash Sulltanin, marrë parasysh fundin e Perandorisë Osmane.
Sigurisht që ka edhe detaje të tjera shumë relevante, por ajo çfarë është e rëndësishme për shkrimin të thuhet është se: Arabia Saudite, familja e Saudit, nuk duhet të shikohet nga prizmi i sotëm.
Nuk ka asgjë të shenjtë në këtë familje, përpos faktit që në mënyrë shumë të suksesshme janë veshur me pushtet, në një vend mjaft të rëndësishëm, siç është vendi ku është varrosur Profeti.
Mirëpo kjo nuk ishte pak. Ata në këtë mënyrë filluan ta shesin, ta predikojnë këtë lloj të islamit, që atyre ua kishte shitur Wahhabi. Ky ishte një islam represiv: Që kërkonte nga besimtarët që të jetonin si në kohën e Profetit, siç na mësojnë hadithet – jo më pak se qindra mijëra, ku secili zgjedh prej tyre ato që i përmbushin më shumë; që fjala e Zotit është e painterpretueshme dhe e pandryshueshme, pa marrë parasysh cili shekull ishte.
Ishte e kundërta e asaj çfarë kishin bërë myslimanët hanefi në Perandorinë Otomane, ose çfarë kishin bërë ata edhe shumë më herët.
Por kjo politikë, wahhabi, kjo shkollë, kjo metodë e të menduarit, do të vazhdonte të ngelte në margjina të zhvillimeve botërore, sikur nën këmbët e tyre të mos dilte naftë mbi tokë.
Duke u shndërruar në një fuqi të madhe ekonomike, në një partner të rëndësishëm me Perëndimin, sauditët, ose Arabia Saudite, përgjatë 100 viteve të fundit, ka bërë lloj-lloj koncesionesh politike, por asnjëherë nuk ka hequr dorë nga shkolla religjioze wahhabi.
Sigurisht që ideja pse ata kanë qenë konsistent në ketë drejtim ka qenë krejtësisht personale. E vetmja mënyrë për të qëndruar gjatë në pushtet, si familje mbretërore, ka qenë duke i mbajtur qytetarët e saj krejtësisht të paedukuar, të pakulturuar, e pse jo edhe të paditur. Ata duhej të besonin e të mos mendonin. Dhe për të arritur një qëllim të tillë shkolla wahhabi ishte ilaçi më i mirë. Sipas kësaj shkollë, asgjë nuk ka nevojë që të zbulohet më, asgjë nuk ka nevojë të thuhet më. Të gjitha janë thënë, të gjitha janë zbuluar. Popullit i duhet vetëm të hajë bukë e të lutet. Kjo në fakt është thelbi i kësaj shkolle, e cila është marrë nga wahhabët prej shkollave tradicionale, të para shumë shekujve.
Saudëve asgjë nuk i ka ndihmuar më shumë se sa shkolla Wahhabi. Dhe një gjë e tillë nuk i ka penguar as Perëndimit. Ka lulëzuar tregtia. Kanë qarkulluar një-zot-e-din sa triliona dollarë. Pompat e naftës kanë punuar. Të kënaqur sauditët, të kënaqur Perëndimi. Meqë nafta ishte forca kryesore e zhvillimit ekonomik, të gjithë ishin të interesuar që në Gjirin Persik të qëndronin në pushtet të njëjtit njerëz, të mos kishte protesta opozitare, të mos rrezikoheshin aleancat e krijuara. Mirëpo në ndërkohë, nën radarin e të gjithëve, kuadrot e shkollave wahhabi kishin filluar të bëheshin burra. Mësimet e marra nga themeluesi i shkollës, nga Wahhabi, kishin filluar të japin fryte. Sigurisht që kulmi ishte me 11 shtator të vitit 2001.
Që të kthehem edhe njëherë te fillimi i këtij kapitulli: Nëse Arabia Saudite do të konsiderohej si qendra e botës për interpretim të islamit, atëherë pa dyshim që krejt çfarë po ndodh është terrorizëm islamik. Shkollat e tyre prodhojnë terroristë anekënd botës, posaçërisht në vendet e Afrikës Veriore, por edhe tek ne në Ballkan, ku ndikimi i tyre është jashtëzakonshëm. Është shumë më i madh se sa ndikimi i tyre në Turqi, ose në Azi. Për këtë arsye ky islam është terrorist. Por ky islam nuk është islam zyrtar. Ky është thjeshtë njëri prej tyre. Sepse aktualisht myslimanët nuk kanë Papë të tyre, që njihej si Kalif. Nuk kanë as Vatikan, siç kanë pasur dikur.
Terrorizëm në emër të islamit
Sipas meje, ky nuk është “terrorizëm islamik”. Ky është thjeshtë një terrorizëm në emër të islamit. Një terrorizëm që është kultivuar para syve të Perëndimit, nga partneri më i ngushtë i Perëndimit në atë rajon, nga Arabia Saudite. Nxënësit e shkollave saudite janë rritur e bërë burra. Ata tash janë shpërndarë nëpër botë, kryesisht në Lindje të Mesme, me emisar special në Evropë. Nuk po bëjnë asgjë më shumë e as më pak se sa interpretim me besnikëri të mësimeve të marra në vendlindjen e tyre, ose në shkollat e financuara nga Arabia Saudite.
Sigurisht që tash nuk është koha e duhur për të bërë pyetje të tilla, sepse gjaku ende nuk është tharë në rrugë, por megjithatë pyetja më e mirë është kjo: Si është e mundur që SHBA dhe Perëndimi ta mbështes për muri secilin diktator të botës, e ta shikojë përmes gishtave, ose të mos e shikojë fare, një shtëpi famëkeqe siç është ajo e Saudit?
Si është e mundur që më shumë raporte negative të bëhen kundër Erdoganit dhe Putinit – që gjithashtu i meritojnë – e asnjë fjalë të mos thuhet për Arabinë Saudite, në vendin ku çdo kush që e hap gojën për gjërat më bazike rrahet si kafshë, si në mesjetë, me kamzhik, mu në shesh? Si është e mundur që të tolerohet një sadist, siç është i pari i saudëve, që edhe më tutje sektor mjaft të dashur e ka atë të xhelatëve, që prejnë koka çdo ditë – mos të harrojmë, m’u në shesh, që ta sheh e gjithë bota, por të mos e raportojë askush?
Pra, askush nuk i ka krejt duart e pastra në gjithë këtë biznes. Perëndimi është kapur keq me naftën e arabëve, e këta të fundit i duan dollarët e Perëndimit, por janë të detyruar që t’i mbajnë hapur shkollat e tyre, sepse pa to nuk qëndrojnë dot në pushtet. Sigurisht që kohë pas kohe shohim sulme terroriste edhe në Arabi Saudite. Tash, secili prej nxënësve nuk i ka kuptuar njëlloj mësimet e marra aty. Dikush prej tyre e ekzagjeron, ose bën sikur e ekzagjeron.
Ideja është kjo: nuk mund të sulmohet ky lloj i terrorizmit, pa u sulmuar Arabia Saudite. Nuk ka fushatë ushtarake që do t’i kap të gjithë terroristët që shkollohen aty. Është shumë më e lehtë që të mbyllet shkolla, se sa të kapën nxënësit.
Mirëpo, Arabia Saudite, saudët, nuk janë personifikimi i islamit. Ata janë njëri segment, siç mund të jetë ndonjë segment ekstremist i ndonjë religjioni tjetër. Nëse themi se terrorizmi është islamik, atëherë po themi që mbi 1 miliard myslimanë janë rekrutë terroristë, por që do ta japin kontributin e tyre në një kohë të caktuar.
Kjo është e pavërtetë. Siç edhe po mund ta shihni, shumica dërmuese e sulmeve terroriste, shumica e terroristëve, janë ose arab, ose të shkolluar në Arabi. Më sa më kujtohet mua deri më tash asnjë turk i vetëm nuk ka kryer asnjë sulm të tillë. Si është e mundur? Si është e mundur që Indonezia, vendi më i madh mysliman në botë qëndron kaq e qetë? Pse në Kosovë u përfshimë kaq më zjarr në këto konflikte, tek pasi vendi ynë u vizitua nga organizatat humanitare arabe?
Si përfundim: Perëndimi, ironikisht, po sulmohet prej partnerëve të tij tregtarë. Toleranca që ka treguar për dekada të tëra ndaj një familje zhvatëse, asaj Saudi, po i hakmerret.
Express