The Economist: Si të parandalohet kriza e Covid-19 dhe të sigurohet rimëkëmbja
Qeveritë duhet të jenë në gjendje të sigurojnë mbështetje financiare për njerëzit dhe kompanitë
Brenda vetëm dy muajve, ekonomia botërore është kthyer përmbys. Tregjet e aksioneve kanë rënë deri në një të tretën dhe në shumë vende, fabrikat, aeroportet, zyrat, shkollat dhe dyqanet janë mbyllur në përpjekje për të frenuar virusin, shkruan The Economist. Punëtorët janë të shqetësuar për punët e tyre dhe investitorët kanë frikë se kompanitë nuk do të arrijnë të paguajnë borxhet.
Kjo gjendje reflekton një nga tkurrjet më të mprehta ekonomike të kohëve moderne. PBB-ja e Kinës u tkurr me 10-20% në janar dhe në shkurt, krahasuar me një vit më parë. Për sa kohë që virusi do të vazhdojë përhapjen, rënie të ngjashme kanë të ngjarë të ndodhin edhe në Amerikë dhe Europë, të cilat mund të shkaktojnë rënie të mëtejshme në Azi. Ndërhyrja masive e qeverisë është e nevojshme për të siguruar që kjo tronditje të mos përshkallëzojë në depresion. Por masat e zakonshme nuk mjaftojnë – duhen vënë në dispozicion mjete të reja financiare dhe sa më shpejt.
Autoritetet perëndimore kanë premtuar shpenzimin e shumave të mëdha. Një vlerësim i përgjithshëm për Amerikën, Gjermaninë, Britaninë, Francën dhe Italinë, përfshirë premtimet e shpenzimeve, uljen e taksave, injeksionet e parave nga bankat qendrore dhe garancitë e huasë, arrin në shumën 7.4 trilionë dollarë, ose 23% e PBB-së së tyre. Megjithatë, bankat qendrore janë përgjegjëse për mbi katër të pestat e kësaj mase dhe qeveritë po bëjnë shumë pak.
Ka një gamë të madhe politikash që ofrohen, nga pezullimet e pagesave hipotekore, te ndihmat financiare për kafenetë e Parisit. Ndërkohë, mjetet stimuluese konservatore mund të mos funksionojnë mirë. Normat e interesit në vendet e pasura janë thuajse zero, duke mos i lejuar bankat qendrore të përdorin mjetin e tyre kryesor. Qeveritë zakonisht përpiqen të stimulojnë kërkesën kur vërejnë rënien e saj, por njerëzit e izoluar në shtëpi nuk mund të shpenzojnë lirisht. Historia në këtë rast nuk mund të shërbejë si udhëzuese. Pandemia globale e vitit 1918 ndodhi kur ekonomia ishte shkatërruar nga lufta. Kina provoi pasojat e një shtetrrethimi, por modeli i saj shoqëror është i ndryshëm nga ai i Perëndimit.
Çfarë duhet bërë? Një plan ekonomik duhet të synojë dy grupe: familjet dhe kompanitë. Dhe duhet vepruar në mënyrë të shpejtë, efikase dhe fleksibël, sepse nëse virusi ndalet dhe më pas përhapet sërish, punëtorët dhe kompanitë do të jenë të sigurt se do të kenë ndihmën e qeverisë kur të jenë në nevojë. Duhet filluar me familjet, ku nevojiten edhe shpenzimet më të mëdha qeveritare.
Një synim është mbrojtja e njerëzve në një pozitë më të dobët, duke subvencionuar pagat e të sëmurëve dhe duke siguruar që personat e pasiguruar të kenë kujdes shëndetësor. Shpenzimet qeveritare gjithashtu duhet të përdoren për të parandaluar pushimin e punonjësve nga kompanitë që po përballojnë humbje dhe kjo mund të arrihet duke subvencionuar pagat e punëtorëve. Gjermania ka marrë masa të duhura në këtë drejtim.
Qeveritë duhet të përsosin sistemet dixhitale që të mund të shpërndajnë para në mënyrë të drejtpërdrejtë te familjet, siç shpreson të arrijë Hong-Kongu. Qëllimi duhet të jetë aftësia për të siguruar mbështetje të mjaftueshme dhe të shpejtë. Shumë vende, përfshirë Amerikën, mbështeten në shërbime të ngadalta postare dhe agjenci tatimore, për shpërndarjen e parave. Nëse fondet mund të dërgohen menjëherë përmes telefonave celularë ose llogarive bankare online, njerëzit do të ndihen më të sigurt dhe do të shmangin grumbullimin e parave, gjë që mund të ngadalësojë procesin e rimëkëmbjes pas kësaj situate.
Gjithë këto shpenzime do t’u kushtojnë shtrenjtë qeverive, por stimuli fiskal prej rreth 1% e PBB-së deri tani në të gjithë Europën, është shumë i ulët. Plani i Amerikës për të shpenzuar 5% është më pranë synimit, duke pasur parasysh rrezikun e një rënieje dyshifrore të PBB-së.
Teksa deficiti buxhetor rritet, qeverive do t’u duhet të emetojnë një sërë obligacionesh. Bankat qendrore duhet t’i blejnë këto obligacione në mënyrë që të mbajnë rendimentet e ulëta dhe tregjet në baraspeshë. Inflacioni është një shqetësim i rendit të dytë dhe rreziku i tij është i ulët. Për të parandaluar një krizë të eurozonës, Banka Qendrore Europiane planifikon të blejë asete me vlerë 750 miliardë euro. Por ajo dhe qeveritë europiane duhet të japin edhe garanci të qartë të mbështetjes sovrane për Italinë dhe ekonomitë e tjera periferike.
Prioriteti i dytë është dërgimi i parave për miliona kompani, falimentimi i të cilave do të dëmtonte rëndë potencialin e ekonomisë. Kompanitë po përballen me një mungesë parash, në një kohë kur duhen paguar faturat. Tregjet e bonove janë të mbyllura për shumë prej tyre. Vonimi i pagesave do të nxiste papunësinë dhe borxhet e këqija në banka dhe do ta bënte më të vështirë rikthimin e veprimtarisë tregtare. Shumica e qeverive kanë ndërhyrë, por në mënyra të pamjaftueshme.
Franca thotë se shtetëzimi është një opsion – të cilit kompanitë do t’i rezistojnë. Amerika po mbështet tregun e letrave tregtare, por ky financon vetëm një pjesë të të gjithë borxhit të korporatave dhe përdoret nga kompanitë e mëdha – jo të vogla, të cilat punësojnë shumicën e njerëzve. Gjermania dhe Britania kanë ofruar skema të garantimit të kredisë, por është e paqartë se kush do të përpunojë miliona aplikime për hua.
Qasja më e mirë është përdorimi i sistemit bankar – pothuajse të gjitha kompanitë kanë llogari bankare dhe bankat dinë si të japin kredi. Qeveritë duhet t’u ofrojnë bankave fonde të lira për t’u dhënë hua klientëve, duke garantuar se do të marrin përsipër pjesën më të madhe të humbjeve. Huamarrësve që shlyejnë kreditë më herët mund t’u ofrohen bonuse.
Për realizimin e këtyre objektivave ka pengesa të mëdha. Borxhi publik dhe i korporatave do të rritet. Do t’u ofrohen përfitime njerëzve të pasur dhe do t’u jepet kredi kompanive që nuk drejtohen mirë. Por edhe me këtë listë të frikshme efektesh anësore, avantazhet janë më të shumta. Paratë do të shpërndahen shpejt. Njerëzit në një pozitë më të dobët, do të kenë mundësi të plotësojnë nevojat themelore. Familjet do të ndihen të sigurta të shpenzojnë kur të jenë përmirësuar kushtet. Dhe kompanitë nuk do të sakrifikojnë forcën e punës dhe fabrikat e tyre, duke qenë të gatshme t’i rikthehen veprimtarisë kur të ketë kaluar kjo periudhë e vështirë