Thikat që po mprihen për në shtator dhe Listat e Zeza
“Në këtë pikë, Mediat, shndërrohen në “armiket” e procesit, Reformator, që në të vërtetë është një Proces i Kapjes masive, të Sistemit të Drejtësisë. Sepse Viktimat e këtij spastrimi do të Flasin, për të mbrojtur veten, ose për të kundërsulmuar vendimmarrësit e shkatërrimit të karrierave të tyre”…
Nga Artur Zheji
Goditja e parë pritet t’u jepet mediave. Sepse në përgatitjen e listave, Lista të Zeza për armiqtë që duhen goditur dhe shkarkuar dhe Listat Rozë, të miqve që duhen nxitur dhe përkrahur, mund të bëhet sigurisht një zhurmë e madhe.
Sepse plani i kryeministrit, duket se është “goditja përfundimtare e Sistemit të Drejtësisë”. Që do të thotë zhbërja e këtij Sistemi, që Qeveria Rama-Meta, nuk e ka nën kontroll dhe ribërja e një Sistemi të Ri të Drejtësisë, kryesisht nën kontrollin e kryeministrit.
Në hartimin e Listave të Zeza, ka dy palë kritere:
- Kriteri i parë, që do të publikohet dhe do të përhapet në media.
- Kriteri i dytë, që lidhet me historikun e besnikërisë së gjygjtarëve të “rinj”, ndaj kryeministrit dhe shpurës së tij.
Padiskutim që Kriteri i Parë, lidhet me prapaskenat korruptive që ka në të vërtetë, aksh Gjykatës apo Prokuror. Pronat, bizneset apo llogaritë bankare që nuk mund të justifikohen me të ardhurat e punës së tyre të ligjshme. Për këtë u bë një provë disa muaj më parë, me Gjykatën e apelit dhe me gjykatësin që mori Vendimin e papëlqyer ndaj Kryepolicit, për cështjen e përgjimeve të paligjshme. Gjykatësit që mori atë vendim, ju fotografua shtëpia e madhe, bahcja dhe kërcënimi për të shkuar më tej, ishte i hapur. Dhe ky kërcënim mediatik, shto këtu edhe ulurimat akuzuese të kryeministrit, e bëri efektin e vet. Gjykata e Apelit u struk dhe ndrroi vendimin 180 gradë, duke e rikthyer me bisht në shalë Kryepolicin në krye të detyrës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Mirëpo halli i madh, nuk është ky. Duke i dhënë popullit të egërsuar për drejtësi reale, profilet e gjyqtarëve realisht të korruptuar, mediat janë në të vërtetë ndihmëset më të mëdha, të Qëllimit të kryeministrit.
Çështja shtrohet në 2 hallka të tjera. Ata, jurist të “nderuar” që do të marrin këto vendime, dhe që gjenden në Listën Rozë, janë po aq të pasur, në mos edhe më tepër, se ata, për të cilët do të merret Vendimi i shkarkimit. Mjafton që një apo disa gazetarë të vëmendshëm, të hedhin një sy, te pasuritë që kanë, anëtarët e komisionit të Reformës, apo familjarët e tyre, për të kuptuar, hipokrizinë kriminale të këtij procesi politik. Nën maskën dhe alibinë Reformatore.
Në këtë pikë, Mediat, shndërrohen në “armiket” e procesit, Reformator, që në të vërtetë është një Proces i Kapjes masive, të Sistemit të Drejtësisë.
Sepse Viktimat e këtij spastrimi do të Flasin, për të mbrojtur veten, ose për të kundërsulmuar vendimmarrësit e shkatërrimit të karrierave të tyre.
Por nuk duhet të kenë Gojë! Nuk duhet të kenë Media që t’ua përhapin fjalët, sepse do të mbiquhen Shpifje apo Ndërhyrje në Procesin e Vettingut!
Dhe prandaj stafi i specializuar i qeverisë, në mënyrë të talentuar, ka vendosur ta fillojë Lojën e Madhe të pushtimit të Sistemit Gjygjësor dhe të Vettingut, në një Shqipëri me gojë të mbyllur, ose me gojë të kontrolluar mirë nga Qendra e Censurës Komëbtare, në emër të Ligjit. Materializuar në nenet 13 dhe 6, që kërkohen të imponohen paraprakisht. 360gradë.al