Ti, që nesër do njollosesh!

Nga Gent Strazimiri

Ti, që nesër do njollosesh!

Do njollosesh në gisht, por kjo s’ka asnjë rëndësi!

Do njollosesh I shtrënguar, nën presion a kërcënim për “bukën e gojës”, për biznesin që ke, për “kempin”, “përkrahjen sociale”, vendin e punës së motrës, vajzës a djalit, nuses a dhëndrit, por as kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Ty nesër të duan të njollosur, që të jesh I dallueshëm nga pjesa tjetër, ajo që nuk pranon njollë!

Të duan të dallueshëm nga ajo pjesë që, në emër të dinjitetit personal e kolektiv, ka zgjedhur t’I qëndrojë përballë presionit të mafias me kravatë, me taka e çanta “firmato”, apo qoftë edhe me kokë të rruar e tatuazhe ngamos, për të mos t’I vënë vetes njollë.

Nesër, ti do ia arrish të jesh I dallueshëm nga ajo shumicë që refuzon njollën- damkë, për të ruajtur LIRINË dhe DINJITETIN!

Njollën që do marrësh nesër, do e ruash si sytë e ballit deri të hënën, që të identifikohesh para “tyre” me njollën, jo me dinjitetin, kapacitetin personal a profesional.

Atë njollë-damkë, ta duan si provë që ke hequr dorë nga çdo molekulë dinjiteti, që ke hequr dorë nga liria, që je thjesht një mall, objekt, gjësend a gjëkafshë që ka një çmim: copën e bukës!

Ti e di, dhe përsëri do njollosesh, I ndërgjegjshëm dhe indiferent për faktin se me njollën që po pranon të marrësh nesër, po merr në qafë një vend të tërë me gjithë ç’ka brenda, me fëmijët dhe të ardhmen e tyre, me të rinjtë dhe ëndrrat e tyre, me të moshuarit dhe qetësinë e tyre.

Ti, sot mund t’I gjesh vetes çdo justifikim, t’I japësh vetes mirëkuptim të plotë në vendimin për “domosdoshmërinë e njollosjes nesër” sepse, njolla të duhet si provë për “të hënën” që të zgjidhësh “hallin” tënd, por pas të hënës, do ketë edhe një “të martë”, një “të mërkurë”… e kështu me radhë…

E keqja që na ka ngërthyer nuk do qëndrojë gjatë, është në grrahmat e fundit.

Ajo do të ngordhë si çdo e keqe që këmi hequr, dhe prej saj ty do të të mbetet vetëm njolla. Ajo njolla që ti do të marrësh nesër, me vetëdije të plotë dhe indiferencë të përçmueshme, të përbuzëshme për cilindo që sot vuan prej saj dhe ka vendosur t’I qëndrojë përballë, I panjollë.

Atë ditë ti do kërkosh mirëkuptim, do nxjerrësh përpara si mbulesë për njollën që ke vendosur të marrësh nesër, “hallin e madh e të pazgjidhshëm”, që të detyroi të njollosesh e të bëhesh pjesë e së keqes që po na mbyt.

Atë ditë, (dhe s’është larg), ti do marrësh veç atë që meriton njolla që me vetëdije të plotë ke vendosur të marrësh nesër: përbuzjen, përçmimin, si çdo objekt, mall, gjësend a gjëkafshë…

Ti, do vlesh aq sa çmimi që I ke vënë vetes sot me njollën që do marrësh nesër, e që nuk do e pastrosh dot kurrë!

SHKARKO APP