Tirana dhe Prishtina, a po lind një armiqësi e re
Tirana dhe Prishtina kanë hyrë në një debat të rrezikshëm, që ndonëse po bëhet për futbollin, fsheh ndarjen e madhe mes dy vendeve, që deri më sot është mbajtur e tulatur në emër të patriotizmit. Fanella e Kombëtares ka mjaftuar për të hedhur në një qoshe xhamadanin vija- vija dhe për të ngritur një pikëpyetje të madhe. Sa ndihemi afër njëri- tjetrit?
Po të shohësh polemikat e herëpashershme që shpërthejnë në media (futbolli, muzika serbe, qëndrimi ndaj Beogradit, e deri tek përvojat personale në të dyja anët) krijohet përshtypja se kemi qenë më mirë kur nuk kemi qenë bashkë. Ose më saktë, kur nuk njiheshim.
Në 100 vitet e fundit, njohja reciproke ka qenë e cunguar dhe e deformuar. Pushtimi serb dhe izolimi i Shqipërisë prej Enver Hoxhës, e penguan jo vetëm fizikisht por e manipuluan edhe si perceptim njohjen dhe realitetin në të dy vendet. Tirana besonte se “kosovarët” ishin të lumtur se nuk ishin të izoluar. E këta besonin se ata andej ishim të lumtur sepse ishim të lirë. Procesi i njohjes qe traumatik në fillim të viteve ’90. Në Shqipëri u shfaq pjesa më spekullante dhe delirante e Kosovës, që me një grusht parash mund të bënte ç’të donte në një vend të çoroditur dhe të babëzitur për shkak të izolimit dhe varfërisë. Pastaj erdhën vitet ’98- ’99, lufta e Kosovës, ku për herë të parë njohja hyri në një proces më normal, (kontakti i drejtëpërdrejtë i mijëra njerëzve me njëri- tjetrin), por që gjithsesi ishte emocional. Tmerret e luftës, solidariteti njerëzor, patriotizmi i vënë në provë, ndjenja e rezistencës ndaj një armiku të jashtëm, triumfi i shqiptarëve pas një shekulli padrejtësish, etj, bënë që edhe kjo njohje të ishte nën ndikimin e entuziasmit, pasioneve, këngëve patriotike, dehjes nga avujt e pavarësisë dhe idesë së bashkimit. Një zbulim i njëri- tjetrit nën efektin dalldisës të lirisë.
Faza tjetër e njohjes, ajo që nisi pasi zjarri u shua e pasionet u ftohën, është ajo që po përjetojmë edhe sot. Ku emocioni ia ka lënë vendin normalitetit dhe ku marrëdhëniet njerëzore po ndërtohen si të tilla pa u kushtëzuar nga ngjarje të mëdha historike si lufta, pushtimi, izolimi, çlirimi, pavarësia. Sot po njihemi në përditshmërinë e zakonshme, në lëvizje të lirë, në komunikim të hapur, në takime, miqësi, krushqi, biznes, pushime, studio televizive, koncerte e ndeshje futbolli. Të zhveshur nga pesha e ngjarjeve dhe ndikimi patriotik që ato prodhuan.
E nga kjo njohje normale, po zbulojmë çdo ditë e më shumë se ndarja mes nesh qenka më e madhe nga sa kemi menduar. Se eventet e mëdha vërtet na kanë afruar emocionalisht, por nuk kanë mbushur dot hapësirën midis, të krijuar përgjatë një shekulli. Se mes Tiranës dhe Prishtinës ka diferenca të mëdha kulturore, të cilat e bëjnë edhe më të vështirë afrimin.
Mjafton një debat për sportin për të treguar se sa e paqëndrueshme është lidhja jonë, se si një raport kaq i rëndësishëm mund të varet edhe nga një top futbolli. Sepse ky debat në fakt është produkt i njohjes tonë të mangët dhe të cekët. Cektësi që, sapo gjen rastin, shpërthen në arrogancën idiote dhe të pakuptueshme të Tiranës, apo në mllefin dhe cinizmin e tepruar të Prishtinës. E që mund të degradojë në “luftë të ftohtë” pikërisht për shkak se buron nga zemërimi primitiv i “asaj që po ta bën i yti” dhe jo nga analiza e defekteve të shoqërive tona.
Kjo që po ndodh mes nesh është pasojë e shoqërive të mbyllura, që vlerësimin për njëra- tjetrën e bazojnë tek historia, simbolet, folklori dhe jo tek përditshmëria, dija dhe arsyeja. Prandaj dhe sherri bëhet më i zhurmshëm, sepse nuk është pasojë e arsyetimit por e zhgënjimit apo lëndimit fëminor: Si mundet dikush i Shqipërisë ta thotë këtë për ne? Si mundet një i Kosovës të flasë keq për Shqipërinë? Ne presim nga njëri- tjetri diçka përtej marrëdhënies normale njerëzore, një lloj sakrifice, përbetimi dhe dashurie pa kushte, që buron nga drama apo krenaria e të qënit shqiptar dhe jo një raport besimi e vlerësimi që krijohet duke jetuar e komunikuar çdo ditë. Ne ua kemi mbivendosur ngjarjet e mëdha përditshmërisë tonë, duke i marrë frymën normalitetit njerëzor.
Edhe kombëtaren e futbollit e kemi përjetuar si një ngjarje të madhe historike që na bashkon si e tillë, por jo si njerëz që e njohim njëri- tjetrin dhe prandaj duam të jemi bashkë. E kemi përjetuar si xhamadani vija- vija, si Shqipëri etnike, si është Kosova është Shqipnia, prandaj sot gjendemi përballë keqkuptimeve apo zhgënjimeve naive për njerëz të rritur.
Eshtë paradoksale kur sheh se shqiptarët në Tiranë u zhgënjyen që disa futbollistë shkuan me ekipin e Kosovës, ndërkohë që shpërthyen në gëzim kur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA. E ky zhgënjim i palogjikshëm, vijohet më pas nga polemika të njerëzve të logjikshëm që e thellojnë keqkuptimin, bllokojnë nevojën jetike të njohjes normale reciproke dhe e mbajnë debatin përsëri në nivel emocional.
Ndaj edhe Kombëtarja, që deri dje të gjithë mendonim se na kishte bashkuar më shumë se kurrë, sot po na e përplas në fytyrë largësinë e madhe që kemi. Sepse edhe ajo ka qenë një ngjarje që ka kushtëzuar njohjen tonë normale. Ndonëse dihej që një ditë ajo do të ndahej, ky fakt po përjetohet si një dramë kombëtare dhe jo si një zhvillim sportiv i parashikueshëm, duke nxjerrë në pah brishtësinë e raporteve Tiranë- Prishtinë, të cilave nuk po u vimë aspak në ndihmë.
Shikoni se sa me lehtësi përfshihen në një debat të tillë emocional emrat më të njohur të publicistikës shqiptare. Dhe sa pak shkruajmë ne, veçanërisht ata që i njohin mirë dallimet Tiranë- Prishtinë, për përditshmërinë, përvojat personale, ndryshimet dhe të përbashkëtat mes dy vendeve. Një proces që do t’i shërbente shumë njohjes normale për ta na afruar, nëse vërtet e duam këtë. Dhe duhet ta bëjmeë këtë, sepse në të kundërt, debatet që nisin për futbollin fare lehtë mund të përfundojnë në traktate armiqësie, që kur ndodhin brenda llojit dhe mbi baza emocionale, lëshojnë më shumë shkëndija.