“Tirana më mësoi të mos kem frikë”
25 vjet më parë, më 13 korrik 1990, shqiptarët e ngjarjeve të 2 korrikut mbritën me tragete nga Durrësi në portin e Brindizit, Itali. Rreth pesö mijë vetë, burra, gra dhe fëmijë shkelën tokën e ëndërruar të Perëndimit të lirë duke kontribuar me largimin në fundin e shpejtë të regjimit komunist. Por si kishin qënë 10 ditët e tyre në ambasada, si hynë, kush i mbështeti, çfarë përballuan?
Jam ulur me Lothar Parzeller në kafenenë “Safran” në rrugën e Ambasadave. Në korrikun e vitit 1990 ai punonte si roje sigurie në ambasadën gjermane. Tani ndodhet në Tiranë, i ftuar nga ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann, si aktor dhe dëshmitar i dorës së parö në përkujtimin e atyre ngjarjeve, që ambasadori gjerman i cilëson si “fillimin e një miqësie të madhe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë”. Bisedojmë për atë kohë dhe përpiqemi të rakordojmë kujtimet tona.
“Kisha pak muaj që kisha ardhur në Tiranë. Isha 27 vjeç, jetoja në Hotel Tirana se Ambasada Gjermane ishte në përfundim e sipër. Lëvizja me biçikletë, shkoja shpesh tek pishinat pranë Liqenit Artificial. Nuk kisha kuptuar asgjë për represionin, mungesën e lirisë, varfërinë ku jetonin shqiptarët. Një ditë, në një kafene, iu afrova një grupi studentësh për të biseduar me ta. U ngritën menjëherë si me urdhër. Aty për herë të parë kuptova gjithçka,” thotë Lothar Parzeller.
Nuk do të vononte që ai të kuptonte shumë më tepër dhe të përfshihej në ngjarje të tilla që të ndryshojnë së brendshmi.
“Ishte një mbrëmje e nxehtë. Unë dhe gjithë rojet e sigurisë kishim lënë hotelin dhe flinim në ambasadë. Kisha mbaruar orarin e punës, kur në oborrin e pasëm të ambasadës katër burra kërcyen nga muri dhe hynë brenda.” thotë Lothar Parzeller.
E pyes: Sa ishte data, sa ishte ishte ora? Ai nxjerr nga xhepi një bllok të vogël shënimesh, ngjyrë blu, në formë drejtëkëndeshi dhe e shfleton.
“Ky është ditari im për ato ditë. Ja ta shoh…kam shkruar: “Në datën 1 korrik, në orën 20.00 të mbrëmjes katër persona hynë në ambasadë. Njëri ka një plagë të madhe në këmbë dhe ka humbur shumë gjak.” Më vonë, po atë mbrëmje, më tha se ishte qëlluar nga policët që ishin pas murit. Fola në telefon me kolegë të ministrisë sime në Gjermani se çfarë mund të bënim që të mos vdiste, se vazhdonte të humbiste shumë gjak.
Në orën 2 pas mesnate erdhi një doktor shqiptar. Të nesërmen në mëngjes që të katört i vendosëm në katin e fundit të ambasadës, që të mos dukeshin. Më kujtohet mirë frika që kishim se mos Sigurimi i shihte dhe futej në ambasadë që t'i merrte. Shpresonim se mund ata mund të mendonin që nuk i kishim pranuar” thotë Lothar.
Por mbrëmja e ditës së nesërme, 2 korrikut 1990 do ta përballte atë me diçka krejt të pazakontë.
“Po bënim zgarë me policët e tjerë gjermanë në pjesën e pasme të ambasadës. Kur dëgjojmë një zhurmë të madhe, murin përballë nesh të shembet dhe një kamion të ngarkuar plot me njerëz të hyjë në ambasadë. Nxitova të bëj fotografi, video që më pas bënë xhiron e botës,” – kujton ai.
Lothar hap përsëri ditarin dhe lexon me zë: “2 korrik, ora 16.00 pasdite. Një kamion i ngarkaur me 63 vetë hyri në ambasadë. Në kabinën e kamionit shoferi, me gruan dhe dy djem, njëri 5- 6 vjeç, tjetri bebe disamuajshe. Shoferi i plagosur rëndë.” Kam edhe një fotografi ku dukem unë dhe ai që po i mbyll plagën e madhe. Mbaj mend që i vendosa një krem në ngjyrë të kuqe për ta dezinfektuar dhe pastaj i fashova plagën. Kam edhe një fotografi tjetër ku të gjithë ata që hynë me kamion janë ulur përballë shkallëve të rezidencës së ambasadës” – kujton Lothar Parzeller .
Guximi që ushqen shpresa mund frikën nga vdekja
Ai më tregon sesi e çara që shkaktoi kamioni në murin e ambasadës bëri të mundur që njerëzit të vërshonin përmes saj dhe të futeshin në ambasadë. Nën plumbat e policëve, pikërisht tek e çara ku turrej turma që ulërinte.
“Nuk arrinim të shihnim ata që qëlloheshin para se të hynin përmes të çarës në territorin që i përkiste ambasadës sonë. Më kujtohet një djalë i ri që sapo kaloi të çarën u rrëzua. Nuk merrre dot frymë dhe ishte zbardhur, bërë si mehit në fytyrë. I hoqëm rrobat. Pamë se kishte dy vrima, një në anën e majtë të kraharorit, tjetrën në të djathtën. Vrima të vogla, pa gjak. Nga njëra, kur ai merrte frymë, dilte ajër. Bashkë me një polic të ambasadës e çuam në spital, në kirurgji. Mjekut i thamë që është nën kujdesin tonë. Ai e futi urgjentisht në sallë. Ne prisnim pas derës. Në një moment të caktuar në spital vijnë njerëzit e Sigurimit. Ishin civilë, një tip tjetër policësh nga ata që kisha parë deri atëhere në Tiranë, ishin trupmëdhenj, muskulozë, të shtinin frikën. Donin të hynin tek salla e operacionit dhe ta merrnin djalin. E vetmja armë që kishim ishte pasaporta diplomatike që e kishim marrë me vete. U thamë sigurimsave “ju nuk mund të hyni këtu”, duke u tundur pasaportat tona në fytyrë. Ndenjëm pa lëvizur për 48 orë para sallës së reanimacionit, kishim uri, etje por nuk lëvizëm. Pastaj erdhi një urdhër me radiomarrës që të ktheheshin në ambasadë. Sigurimi kishte bërë me dije se nuk do të merrej më parasysh pasaporta diplomatike dhe nëse nuk largoheshim do të shpalleshim “persona non grata”. U kthyem në ambasadë ku na prisnin të plagosur të tjerë. Më vonë, nga një doktor kubanez, që ndodhej në spital morëm vesh që Sigurimi e kishte marrë nga reanimacioni dhe nxjerrë në pavion. Më erdhi shumë keq, kur mora vesh që kishte vdekur…”
Ujë, bukë, djathë, fruta për 3.000 vetë
E çara e kamionit u mbyll. Ambasada gjermane duhet të ishte e sigurtë. Por njerëzit tentonin të kapërcenin murin, ku ishin vendosur copa xhami të thyer.
“Ndërkohë numri i njerëzve kishte kaluar 3.000 vetët. Mes tyre shumë të plagosur, të sëmurë, fëmijë dhe gra shtatzana. Madje një prej tyre lindi në ambasadë një vajzë. Kujdesesha për të sëmuret, kisha bërë një kurs për ndihmën e parë, që e bëjnë gjithë policët në Gjermani. Shumica i kishin duart dhe këmbët të plagosura, kaviljet e thyera. Ishte një lojë me vdekjen. Duhet të kapeshe tek muri me xhama dhe të hidheshe shumë shpejt matanë murit, që të mos të të kapnin plumbat. Burrat rrinin jashtë tek zona e parkimit, të sëmuret, grate dhe fëmijët në ambasadë. Sollëm një doktor nga Gjermania që të vizitonte të sëmurët” thotë Lothar Parzeller. Përballimi i të përditshmes, për më shumë se 3 mijë veta, në hapësirën e kufizuar të ambasadës gjermane nuk ishte i lehtë. Por ai u bë pothuajse një heroizëm kur Sigurimi preu furnizimin me ujë të ambasadës gjermane.
“Nuk e di as se kush arriti të sjellë ujë me autobote në obrrrin e ambasadës, as kush e pagoi. Ishte një domosdoshmëri për higjenën minimale dhe shmangien e epidemive. Çdo ditë dilnim me një furgon dhe shkonim në furrat e bukës së asaj kohe dhe kërkonim të blinim gjithë bukën, në ushqimore gjithë djathin, tek fruta–perimet gjithe frutat. Në sallën e ambasadës ku tani bëhen takime, koncerete dhe ku zhvilluam takimin përkujtimor për ngjarjet e 2 korrikut, shpërndanim sipas listave, që kishim përgatitur, racionet e përditshme: ujë, bukë, djathë, fruta .. për 3 mijë vetë!!!” thotë Lothar Parzeller.
Largimi drejt lirisë
Kur i dërguari i posaçëm i Sekretarit të atëhershëm të Pergjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, suedezi Staffan de Mistura mbriti në Tiranë për të siguruar të drejtën e lirisë së qarkullimit të njerëzve në ambasada drejt Perëndimit, Ambasada Gjermane ishte në pararojë të gjithë ambasadave në Tiranë për të mundësuar largimin e tyre nga Shqipëria
“Më 8 korrik 1990 filluam punën për pajisjen me pasaporta. Përsëri në të njëjtën sallë ku shpërndanim ushqimin, një fotograf gjerman bëri më shumë se 300 fotografi dhe të gjithë plotësuan formularët përkatës. Organizuam njerëzit në grupe dhe përgatitëm gjjithshka. Në mbrëmjen e 12 korrikut, pas mesnatës, me autobuzë të 3 mijë shqiptarët që kishin hyrë në ambasadën tonë dhe rreth 2 mijë të tjerë në ambasadat e vendeve të tjera perëndimore u nisën me autobusë drejt Durrësit. Më vonë mora vesh që kishte pasur incidente nga Sigurimi. Autobuzë të ndaluar, njërëz të nxjerë jashtë tyre. E nesërmja , 13 korrik 1990, i gjeti në Brindizi, Itali. Më në fund ne liri.” thotë Lothari..
Nuk kam më frikë nga asgjë
Pas Tiranës Lothar studioi inxhenjeri kompjuterike dhe iu bashkua shërbimit diplomatik gjerman. Më thotë se tani punon në Ambasadën Gjermane në Romë.
“ Që nga 1990 isha për herë të dytë para disa muajsh në Ambasadën Gjermane në Tiranë për të installuar një sistem të ri kompjuterik. Kur i thashë amabasadorit gjerman Hoffman se kisha qënë para 25 vitesh, atij i shkëlqyen sytë, sepse po ideonte përkujtimin e 25 vjetorit të ngjarjeve në Ambasaden Gjermane. Unë kam ruajtur të gjitha fotot , videot, kam ditarin. Bashkëpunuam për materialet filmike dhe fotoekspozitën për këtë përvjetor. Gjithë sa përjetova në korrikun e 1990-ës në Tiranë më bënë të aftë të mos kem frikë. Jo se jam hero, është një eksperiencë që më mësoi të mos kem frikë”, thotë Lothari.
Të mos kesh frikë do të thotë të jetosh jetën në plotërinë e saj. Tirana ia shpërbleu kështu Lotharit humanizmin dhe përkushtimin e tij.
DW