Tirana, shumë kandidatë, asnjë projekt

Nga Skënder Minxhozi

Nga zgjedhjet e 21 qershorit na ndajnë ende diçka më pak se tre muaj. Partitë e mëdha po përgatiten për një garë e cila do të ketë më shumë rëndësi si një test politik për palët, sesa si një zhvillim me peshë në fatet e vendit. Do të votohet për herë të parë mbi bazën e hartës së re territoriale, e cila krijoi shumë fërkime në gjysmën e parë të vitit të shkuar, por që tani është pranuar nga të gjitha forcat politike.

Një ndër betejat më interesante të zgjedhjeve lokale është tradicionalisht ajo e Tiranës. mjafton të kujtohet se në zgjedhjet e shkuara, në vitin 2011, numërimi i votave mes Ramës dhe Bashës nxorri fillimisht fitues të parin me vetëm dhjetë vota, çka u përmbys nga kandidati i dytë përmes një procedure hileqare dhe të pabesueshme. “U ndryshuan rregullat e lojës, pas përfundimit të lojës”, u shpreh një zyrtar i lartë amerikan me atë rast.

Këtë rradhë gara e Tiranës paraqitet si një situatë simetrike, por e përmbysur. Në 2011 ishte Rama ai që garonte si kryebashkiak, duke qenë njëherësh kryetar i opozitës. Në pozitën e tij identike, ndodhet aktualisht Lulzim Basha, njëherësh kryetar bashkie dhe kryetar i partisë më të madhe të opozitës.

Përtej kësaj rrethane kurioze, ajo që po ndodh në dy shtabet politike, ngjason sërish (fatkeqësisht) me precedentët e viteve të shkuara. Sidomos përsa i përket mënyrës sesi partitë e mëdha po veprojnë për të zgjedhur kandidatët. Në zgjedhjet e përgjithshme, duke parë edhe skemën përzgjedhjes dhe të votimit, PD e PS i kanë dorëzuar në KQZ listat e kandidatëve në minutën e fundit. Mbahen mend zgjedhjet e vitit 2009, kur përfaqësuesit e dy forcave politike hynë në dyert e Pallatit të Kongreseve me lista në duar, vetëm në orët e fundit të afatit të parashikuar në ligjin elektoral.

Është e kuptueshme loja taktike që bëhet me kandidatët. Partitë ruajën në distancë njëra-tjetrën, për t’ja përshtatur kandidatin e tyre, emrit që do të vendosë në listë pala tjetër. Por nëse shohim atë që ndodh aktualisht me Tiranën, ku një kryetar partie dhe bashkie heziton të deklarojë nëse do rikandidojë ose jo, apo kur partia në pushtet vijon të bëjë sondazhe me emra të vërtetë ose të rremë, për të kuptuar se loja taktike ka kaluar caqet e një logjike normale.

Tirana është një qytet që ka nevojë të njohë jo vetëm emrat e kandidatëve, por edhe projektet e tyre. Ta ngushtosh garën vetëm tek emrat e garuesve, nuk ke bërë zgjedhjen e mirë për qytetin. Teksa PD përkundet në dilemën “Basha ose jo”, PS nga ana e saj, më saktë kryeministri Rama, lëkundet edhe ai mes zgjedhjes së një emri. Listës së disa ministrave apo zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilët për hir të së vërtetës janë të vetmit që dalin para zgjedhësve me një produkt konkret, i janë shtuar këto orë edhe partiakë që rreken të dalin mbi ujë vetëm falë patericave të klaneve që kanë pas vetes. Nëse Rama zgjedh të kandidojë në Tiranë persona që mbështeten tek të tjerët, me parë sesa tek vetja, ai do të bëjë një gabim jo të vogël taktik, që mund të çonte vota tek të tretët. Më së pari tek kandidaturat e pavarura, të cilat identifikohen këto orë me emrin e Gjergj Bojaxhiut. Një pretendent serioz ky, për të mbledhur një pjesë të votës së protestës në qytet.

Kryeqyteti meriton një garë emrash, por edhe projektesh. Vetëm kështu në 21 qershor do të mund të votojmë bashkiakun me idetë dhe vizionin e tij dhe jo vetëm konjukturën politike që e ka zgjedhur. /Revista Java/

SHKARKO APP