Tirana zyrtare duhet të japë shpjegime për raportet me Serbinë

Nga Boiken Abazi –

Maja Kocijançiç, zëdhënëse në Komisionin Evropian, publikisht njoftoi para dy ditëve se më 8 dhe 9 maj, Federica Mogherini do të marrë pjesë në takimin e Brdo Brione në Tiranë. Në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor shkruan se, në datën 8 dhe 9 maj do të mblidhen në Tiranë këta përfaqësues:

Milorad Dodik (President i Republika Srpska), Aleksandar Vuçiç (President i Serbisë), Borut Pahor (President i Sllovenisë) Kolinda Grabar-Kitaroviç (Presidente e Kroacisë), Shefik Xhaferoviç (President i Bosnje Hercegovinës), Gjorge Ivanov (President i Maqedonisë së Veriut), Hashim Thaçi (President i Kosovës), Milo Gjukanoviç (President i Malit të Zi), Federica Mogherini (BE) dhe Andrzej Duda (President i Polonisë).

Vuçiçi dhe Dodiku janë përfaqësuesit më të lartë të politikave shovene të Serbisë. Të dy nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e luftojnë atë në nivel ndërkombëtar, nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e Serbisë dhe janë aleatët më të ngushtë të Putinit në Ballkan. Nëse ata janë ftuar të vinë në Tiranë javës që vjen, publiku shqiptar meriton një shpjegim të qartë nga institucionet e Republikës. A u është kërkuar atyre njohja e pavarësisë së Kosovës dhe a do jetë kjo temë kryesore e këtij takimi, bashkë me kërkesën për kthimin e mbi 1600 të pagjeturëve, drejtësi për masakrimin e mbi 12.000 civilëve në Kosovë, dënimin për ata që përdhunuan 20.000 gra në Kosovë për të cilat nuk u gjykua kurrë askush, dëmshpërblimet e luftës, kthimin e fondit pensional dhe artefakteve të vjedhura kulturore, të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc… dhe lista është e gjatë.

Nuk mund të flitet, në një anë, për treg të përbashkët dhe bashkim doganor me Kosovën, dhe, në anën tjetër, të zbatohen politika të ndryshme tregtare me vendet e rajonit. Tirana zyrtare nuk mund të sillet me Vuçiçin dhe Dodikun sikur të ishte duke folur në emër të BE-së. Nuk mund të pretendohet bashkëpunim rajonal pa kërkuar drejtësi dhe pa vendosur marrëdhënie reciprociteti të bazuara mbi të drejtën publike ndërkombëtare. Tirana zyrtare e ka për detyrë të informojë publikun për detajet e këtij takimi si dhe të mbrojë e përparojë të drejtat e shkelura të kombit shqiptar.

SHKARKO APP