Tradhëtia bashkëshortore, sa kushtojnë detektivët privatë në Tiranë
Ajo që në fillim ishte menduar thjeshtë si një fantazi policeske filmash apo dokumentarësh, sa i përket hetimeve apo ndjekjeve nga dedektivët privatë, sot është kthyer në realitet dhe një biznes shumë fitimprurës.
Tradhëtia bashkëshortore renditet e para, gjetja e fëmijëve që një prind i ka marrë me vete jashtë vendit pasi është divorcuar, vjedhjet brenda përbrenda firmave me disa ortakë e deri tek vrasjet e pazbuluara nga ana e shtetit. “Shumë njerëz gjithnjë e më shumë po kërkojnë nga ana jonë shërbim vëzhgimi në terren kryesisht për tradhëti bashkëshortore. Mëse shumti ato që kërkojnë hetime private nga ana jonë janë gra nga mosha 45 deri 54 vjeçe. Janë femra që kanë martesa rreth 20- 25 vjeçare. Por ka dhe kërkesa jo pak edhe nga meshkujt për bashkëshortet e tyre. Ajo që bie në sy është se edhe këta meshkuj janë të rreth kësaj moshe 45 deri 60 vjeç” informon një punonjës i kësaj zyre.
Sipas tij, mëse shumti personat që u kërkohet të përgjohen janë nga fusha e biznesit, zyrtarë të lartë të administratës shtetrore. “Ne na kërkohet që dyshimet t’i kthejmë në prova, nëse ato dyshime janë të bazuara. Duhet të provojmë me fakte dhe prova. Ne vetëm mbledhim prova nëse ka. Nuk bëjmë asnjë koment. Kur arrijmë të mbledhim provat ia japim personave të interesuar. Hapat që hidhen më tej janë thjeshtë çështje e brendëshme mes personave në çift”, rrëfen drejtuesi i kompanisë së hetuesve privatë, shkruan java.
Veprimet fillestare
Përpara se të ndërmerren veprime për të ndjekur persona të caktuar, fillimisht dëgjohen me vëmendje se cilat janë ankimimet që ato kanë dhe nëse ka bazë për të ndërmarrë veprimet e mëpastajme. Kryesisht klientët ankohen se “njëri nga bashkëshortët rri më shumë sesa duhet në punë”, “lëviz gjithnjë e më shpesh jashtë vendit”, “darka dhe dreka të shpeshta pune”, etj., duke shtuar në këtë mënyrë dyshimet për një person të tretë në mes. Punonjësit e kësaj zyre shprehen se shpesh vetë personat që përgjohen ua bëjnë më të lehtë sepse vijojnë të jenë ende të shkujdesur pasi mesa duket se kanë kuptuar se “dikush u është vënë pas”.
Si zbulohet tradhëtia
Ka disa mënyra sesi hetuesit privat përpiqen të faktojnë dyshimet. Por nga ana tjetër shumë gjëra varen nga kërkesa e klientëve të tyre. Ka kërkesa ku bashkëshorti apo bashkëshortja kërkon vëzhgim vetëm në terren, për të kuptuar se me kë takohet, ku shkon, sa vonohet nëpër vende të ndryshme etj. Pas kësaj i dorëzohen fotot klientit bashkë me përshkimin e faktuar të itinerarit. Ky shërbim mesatarisht kushton rreth 1200 euro. Nëse ka dyshime për persona të caktuar kërkohen vëzhgime shtesë mbi bazën e një tarife tjetër që shkon në rreth 1600 euro. Pjesa që kushton më shumë është kur kërkohen vëzhgime elektronike që parashikon pajisje përgjimi si aparat fotografik me teleobjektiv për fotografimin në distanca të largëta, videokamera normale dhe mjete “mikro” si kamera të montuara në orë dore, varëse, syze etj., mikrofona valorë, si dhe celularë përgjues. Kur personi ka predispozitë për tradhëti mjaftojnë një javë për të kompletuar gjithë operacionin.
Kur dyshojnë për në zyra u vendosin përgjues në vendin ku punojnë.
Kur kapesh me “presh ne duar”
Ata që derdhin paratë për shërbimin e hetuesve privatë më shumë sesa kuriozitet kërkojnë të kenë një mundësi të madhe në dorë ku të provojnë shkeljen e kurorës martesore kur të përballen në gjykatë. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, gjykatat nuk i marrin parasysh provat e mbledhura në rrugë private, pasi ato konsiderohen se janë mbledhur në kundërshtim me ligjin “për përgjimet” dhe me “privatësinë e personit”. Burime të besueshme bëjnë të ditur se në shumicën e rasteve provat e mbledhura në këtë rrugë mëse shumti u besohen “avokatëve ndërmjetësues”, të cilët kontaktojnë me personin ku i kërkohet që të gjejë një ujdi me bashkëshortin apo bashkëshorten për ndarjen e pasurisë në rast divorci.