Trajnerët e huaj, këta nazelinj të kombëtares shqiptare

 

 

 

*Nga RAMADAN BIGZA


Pas nderit të madh, që iu bë kohët e fundit trajnerit De Biazi, kujtova se ai do të ndryshonte disi nga të tjerët. Them do të ndryshonte, sepse ndryshe nga të tjerët ai u bë edhe qytetar shqiptar, u vlerësua me tituj të ndryshëm etj. Dhe natyrshëm për rezultatet në drejtimin e kombëtares ai është paguar edhe më shumë se të tjerët. Por, pikërisht në kulmin e gëzimit, “Ganiu” filloi të dalë në origjinën e të huajit, që nuk kënaqet me pak. Ai u prek aq shumë, kur mësoi se Igli Tares i ishte bërë një ftesë për të drejtuar kombëtaren dhe nuk ngurroi të shkruajë se ishte i gatshëm të ndërronin poziononet. Pra, Tare të vijë trajner i kombëtares dhe De Biazi të shkojë te Lacio si drejtor sportiv i saj.

Më vonë ai u shpreh optimist për mediat greke, duke thënë se kishte dëshirë të drejtonte kombëtaren e tyre. Më në fund, ai doli tek arsyet e vërteta, që e shtyjnë për të qenë disi i irrituar në kulmin e një gëzimi. Siç është shprehur për një media të huaj, ai ka nxjerrë arsyet e vërteta të zhurmës së tij. “Unë mendoj se jam mes trajnerëve më pak të paguar të kombëtareve të kualifikuara. Sa paguhem? Më mirë të mos e them, se pastaj nuk shkon më askush te Shqipëria”. Nuk e di saktësisht se sa merr De Biazi, sepse as ai dhe as federata nuk e bënë publike asnjëherë pagën, çka nuk ndodh në vendet e tjera. Por, ma merr mendja se edhe shtetësia iu dha që ai të mos paguajë taksa si i huaj, duke e favorizuar mjaft në krahasim me të huajt e tjerë që punojnë në Shqipëri.

Dua t’i kujtoj De Biazit se një ish-trajner i kombëtares, shumë më i aftë se ai, një personalitet i futbollit, Medin Zhega, në kohën e Dukës merrte vetem 500 (50 mijë) lekë shqiptare. Nuk kishte as zyrë dhe nuk iu krijua asnjë kusht për ta drejtuar seriozisht atë. Më kujtohet se ai shkoi, siç tha, për të fituar në Gjermani pa bërë asnjë ndeshje miqësore. Ndërkohë, De Biazi, sot, ende pa vajtur në shtëpi të tij, i janë rezervuar dy ndeshje miqesore. De Biazi me këto veprime më kujton trajnerët e tjerë të huaj, që drejtuan Shqipërinë. E, megjithatë, shqiptarët kanë ditur të respektojnë edhe trajnerët e huaj. Fakti se që nga viti 2002 e deri tani, pra për 13 vjet rresht, ata u kanë besuar vetëm të huajve, flet qartë për këtë. Por, duhet thënë se nuk kanë marrë kurrë prej tyre atë, që kanë kërkuar.

Të huajt janë sjellë ndaj nesh me njëfarë fodullëku, që është krejtësisht jashtë civilizimit të vendeve nga kanë ardhur. Kohë më pare, Dosena i thoshte një prej futbollistëve më të mirë që kanë veshur fanellën e kombëtares së Shqipërisë, Bledar Kolës, kush je ti, ku luan… ? Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Bariç me Alban Bushin, madje më keq, duke thënë “nuk të njoh”?! Apo rasti i Brigelit, që nuk denjoi t’i ofronte në ekipin kombëtar, paçka se Bogdani e Beqaj ishin në kulmin e tyre. Me të njëjtën mënyrë është sjellur edhe De Biazi me Shkëlzen Gashin. Futbollisti kosovar, edhe pse u shpall lojtari më i mirë i Zvicrës, për De Biazin ai nuk i pështatej skemave të tij?! Edhe pse në epokën “De Biazi” janë parë e vlerësuar 148 futbollistë, nuk e di pse janë jashtë saj Bernard Berisha, që aktualisht gëzon një formë të shkëlqyer te Skënderbeu, apo futbollisti i Interit, Rey Manaj.

Mendoj se kombëtarja jonë nuk e ka këtë luks që të refuzojë futbollistë të këtij kalibri. Unë nuk them që trajneri nuk ka meritë në kaulifikimin për finalet e “Euro 2016”, por besoj, gjithashtu, se ai nuk do ta kishte arritur këtë objektiv nëse nuk do të kishte ndihmën e jashtëzakonshme të federatës. Madje, që nga viti 2002, kur të huajt “pronësuan” kombëtaren tonë, FSHF-ja ua ka plotësuar atyre të gjitha kushtet, ndoshta shumë më mirë se të ishin trajnerë në ndonjë vend tjetër. Dhe kjo ka ndodhur edhe kur vendi ynë ka kaluar vështirësitë më të mëdha ekonomike, edhe kur ka lënë mangut shumë nga infrastruktura, që i duhet një futbolli të kohës. Por, trajnerët e huaj, asnjëherë nuk e vlerësuan këtë shpërblim. Nuk mund të mos bësh një kthim në kohën jo shumë të shkuar, për të kujtuar se si italiani Dosena e braktisi kombëtaren tonë, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.

Nuk mund të harrohet thënia e Brigelit se “Shqipëria nuk ka as edhe një për qind mundësi për t’u kaulifikuar”, nuk mund të harrohet Bariç, që foli gjatë për shitje të ndeshjes në Rumani, por nuk përmendi as edhe një emër, nuk mund të harrohet Ari Haan, që erdhi me objektiva të mëdha, por iku pa realizuar asgjë. Kësisoj, nuk mund të harrohet edhe Kuzhe. I cili, gjithmonë mendoj për rezultatin e ditës dhe asnjëherë për të ardhmen. Dhe tani na del De Biazi me disa kërkesa, që nuk kanë të bëjnë fare me suksesin e kombëtares. Se në fund të fundit, nëse ai si trajner ka meritën e tij në këtë sukses, meritën më të madhe e ka kombëtarja jonë, që me rezultatet dhe lojërat e saj i dha emër të madh një njeriu, nuk them anonim, por pa asnjë diskutim, krejtësisht modest në punën e tij. “Euro 2016” është ende një betejë e hapur, por nëse ka diçka për t’u kujtuar është padyshim tifozëria e zjarrtë. Tifozët kuqezinj ishin kudo, ato ishin më shumë se një lojtar në fushën e lojës. Ata nuk i meritojnë sjellje të tilla trajnerësh. Cila është zgjidhja, mund të thoni ju?

Mendoj se pas kësaj here presidenti Duka duhet ta hedhë vështrimin te trajnerët shqiptarë, të ketë më shumë besim tek ta dhe t’u japë mbështetjen e duhur. Tanimë ne kemi shumë futbollistë, që kanë shkëlqyer në kampionate të ndryshme europiane dhe përveç qytetërimit kanë marrë edhe licenca trajnerësh. Se kush mund të jetë ky, apo kush mund të jenë këta, e di federate, e cila tashmë ka një njohje të gjerë për djemtë shqiptarë që drejtojnë në skuadra të ndryshme, por çuditërisht i mungojnë Shqipërisë. Një punë e mirë ka nisur me afrimin në kombëtare të Bushit, Bogdanit, Lalës e më parë Strakoshës. Por ende jashtë saj janë emra të njohur si Besnik Hasi, trajner i Anderlehtit, Bledar Kola, ish-trajner i AEK-ut, Rudi Vata, Roland Luçi, Adrian Barbullushi etj., apo edhe trajnerë të kampionatit shqiptar. Imagjinoni si do të jetë kombëtarja e ardhshme kur gjithçka të jetë “Made in Albania”.

SHKARKO APP