Transferimi i krimit në Veri
Nga Frrok Çupi.
Po të mos ishin… plot gjëra, krimi shtetëror nuk do të zbulohej kurrë.
Sepse, sipas studimeve të E.Wayne Ross, shteti është krijuar për të bërë krime. Sipas studiuesit, fillimisht ai lindi si agjenci “per të tmerruar njerëz”, derisa u kthye në “viktimë’, ose në ‘krim pa viktima’. Vetë tezat e Max Weber mbi sovranitetin e ‘shtetit’ pohojnë se ai kërkon monopolin e ushtrimit legjitim të forcës mbi individët…
Po të mos ishin disa elementë të thjeshtë, qytetarët tanë post- komunistë nuk do ta kuponin kurrë se me aktin e burgimeve masive në Lezhë, shteti po bënte vetëm transferimin e krimit në Veri të vendit. ‘Qytetarët në komunizëm’ besojnë si ‘Mesinë’ çdo akt dhune dhe poshtërsie që ushtron shteti mbi ta. Ja këtu jemi sot… Po të mos shfaqeshin disa elementë, të gjithë do ta ‘hanin’ për “mesi’ të shtetit.
Për shembull po të mos ishte kjo Prokurore e Përgjithshme që u zgjodh për ‘një minutë’, dhe u kthye në kamxhik në duar të pushtetit. Mirëpo edhe kështu, sikur Prokurorja Marku të mos shërbente verbazi, prapë nuk do të kuptonim gjë. Por ajo iu hyri katundarëve të vet, bashkë-besimtarëve, atyre që u kishte trokitur në derë ‘për një filxhan kripë’. Prokurorja e zbuloi veten se po bënte ‘politikë penale’, njësoj si në epokën e diktaturës. ‘Politika’ kulmore penale e kryer prej prokurores ‘një minutëshe’ është transferimi i krimit në Veri të vendit- thelbi i qëllimit të pushtetit. Pushteti, vetëm me këtë mënyrë mund të tmerrojë njerëz dhe të shfaqet ‘viktimë’.
Po të mos ishin edhe disa gjëra të tjera, ky krim i ‘transferimit të krimit’ në Veri, nuk do të zbulohej…
Allahbaft!, shyqyr!, që është media në shërbim të qeverisë. Kjo i zbulon të fshehtat e pushtetit dhe i zbulon sikur po i bën mirë pushtetit…
Po të mos ishte media pro pushtet, ne nuk do të kishim kuptuar se pushteti po transferon krimin… Transferon nga vetja te tjetri… nga grupi i vet te grupimi tjetër…, nga zona ku shteti kryen krimin, në një zonë ku është ushtruar gjithmonë tmerrimi i njerëzve…, nga një bregdet ku trafikohen drogë, armë dhe njerëz- në një bregdet që ‘ia tundin’ Kosovës si dhuratë: “E do? Do të ta japim!’.
Ja kështu… Top Channel, një televizion përjetësisht majtist, por edhe i lidhur aktualisht me pushtetin, sot ka zbuluar qëllimin e transferimit të krimit. TCH, në një koment me titull “Kriminalitet dhe politikë, përse në qarkun e Lezhës veprojnë disa grupe?”, i ka bërë një nder viktimës, dhe një zhnder pushtetit.
“Lezha është një nga qarqet më problematikë sa i takon kriminalitetit” shkruan TCH, sikur ka zbuluar botën e paqenë. Vetëm qëllimi për të shtruar një platformë arrestimesh dhe dhune të diferencuar mbi Veriun e vendit- mund ta krijonte këtë marrëzi të qëllimshme.
Pastaj TCH tregon për “Lidhjet mes krimit dhe politikës janë bërë shkaktarë edhe për incidentet më të rënda që kanë ndodhur në proceset zgjedhore në këtë qark”, siç shkruan. Kështu e transferon krimin jo vetëm gjeografikisht në Lezhë, por edhe nga PS te LSI që tani është shpallur armike.
“Ngjarja më e rëndë është vrasja e një komisioneri të LSI me 23 qershor të vitit 2013, në një ngjarje ku mbeti i plagosur me armë zjarri edhe Mëhill Fufi. Kandidati i Partise Demokratike, vinte nga një familje e njohur e zonës…”
TCH rëndit krimet që janë kryer në kupolën e pushtetit: Akuza mbi deputetin Arben Ndoka, vëllai i tij Aleksandër “u ekzekutua në rrethana të panjohura”. Vetë Arbeni “u prek nga dekriminalizimi”. TCH bën paradën e krimit deri te Fran Frrokaj- kryetar i Bashkisë, Lezhë.
Edhe konflikti mes deputetëve Gent Strazimiri me deputetin Ndoka që “nuk ishte i pari deputet socialist problematik në këtë qark”. “Armando Prenga do të arrestohej në 2015-ën për plagosje, për një konflikt mes tij dhe familjes Cali, të afërm të ish deputetes demokrate Albina Dede”, shkruan TCH.
“ Edhe Prenga, që sipas prokurorisë prekej nga ligji i dekriminalizimit dha dorëheqjen nga mandati”. TCH rëndit ‘prova’ se krimi ndodhet vetëm në Veri, edhe kur ndodh në Kuvendin e Tiranës, ai prapë është nga Veriu.
“Qarku i Lezhës, ka edhe një histori të ngjeshur kriminaliteti. Në vitin 2016 u përhap gjerësisht kultivimi i drogës, ndërsa atje u zbulua edhe laboratori i heroinës në Fushë Kuqe, e cila për policinë ishte pronë e të ashtuquajturit “Baron i drogës”, Gëzim Çela”, shkruan TCH.
Sikur të mos ishte edhe një media si kjo, kushedi kur do ta kuptonim strategjinë kriminale të shtetit për ta transferuar krimin në Veri. Por ja që janë këto. Edhe kryetari i PD, në prag të zgjedhjeve 2017, pat deklaruar për një gazetë austriake se ‘krimi vjen nga deputetët katolikë”, por e përgënjeshtroi…
… Pa këto nuk do të kishim kuptuar se ‘krimi ndodhet vetëm në Veri’. Këtu, vetëm këtu kultivohet droga, këtu janë avionët që transportojnë drogë, këtu nisen gomonet përmes Otrantos, këtu u mbyt anija Kater i Radës, këtu ndodhet Xibraka e laboratorit të drogës; këtu është Bregu ku shteti po vjedh tokat, këtu në Veri është edhe Kavaja, janë edhe Habilajt…
Një ditë, kur ta lëshojnë, do të gjejnë edhe rrënjët e Saimir Tahirit…, nga Lezha.
Gjithë periudha e diktaturës e kishte vënë gishtin mbi Veriun si zonë e krimit. Tani kjo është e tepërt… Sikur këta të mos donin të mbulonin krimin e tyre me ‘Veriun’, atëherë do të quhej diktaturë politike… Por kur këta mbulojnë krimin me ‘Veriun’ atëherë është diktaturë e vjedhjes dhe shprishjes së gjakut…/Veritas/