Trazira të mëdha në ishullin turistik grek Kos mes policisë dhe emigrantëve
Trazira të mëdha plasën mes emigrantëve në ishullin grek Kos këtë mëngjes, me oficerët e policisë të detyruar me fikëse zjarri dhe shkopinj gome në një përpjekje të dëshpëruar për të shpërndarë turmat.
Incidenti ndodhi gjatë një procedure regjistrimi që po zhvillohej në një stadium në qytezën Kos, në juglindje të ishullit.
Një grusht oficerësh u vendosën për të vënë rregull mes turmave duke i goditur emigrantët me shkopinj gome e shkumën e fikëseve të zjarrit, duke shkaktuar kështu panik mes qindra vetëve.
Tensionet në ishullin turistik u rritën akoma më shumë ditën e sotme, me paralajmërimin e kryetarit të bashkisë për gjakderdhje në rast se situata degjeneronte më tej, duke thënë se numri i emigrantëve kishte arritur në 7000, në një kohë që e gjithë popullsia e qytezës Kos është 30 mijë.
Të tronditur, autoritetet policore greke po luftojnë për vënë në kontroll numrin e madh e në rritje të klandestinëve që vijnë me gomone nga bregu turk.
Qindra emigrantë protestues bllokuan rrugën kryesore të bregut këtë mëngjes me thirrje: “Duam të hamë”.
Një përpjekje për rivendosjen e tyre brenda një stadium për regjistrim, degjeneroi me zënka me policinë.