Tre dekada më pas, Shqipëria vijon të mbetet peng i të shkuarës komuniste

Nga Altin Gjeta –
Ky muaj shënon 30-të vjetorin e Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhit, i cili sipas studiusit Neil Kritz pranë Institutit Amerikan për Paqen ishte një nga regjimet më staliniste dhe më të mbyllura në botë. Për rreth gjysëm shekulli, regjimi komunist në Shqipëri ndërtoi Sigurimin e Shtetit, një nga aparatet më shtypëse në botë i cili në fund të viteve 1980-të numëronte rreth dhjetë mijë persona të rekrutuar zyrtarisht me dosje, ndërsa më shumë se 1/3-ta e popullsisë së rritur ishte pjesë e rrjetit informativ të shërbimit famëkeq. Nën drejtimin politik të elitës komuniste, ky mekanizëm terrori llogaritet se ka ekzekutuar më shumë se 6000 persona, ka investiguar, përndjekur, burgosur dhe internuar në burgje dhe kampe ç’njerëzore me dhjetra dhe qindra mijëra të tjerë, si dhe ka mbjellë frikë dhe terror në çdo cep të Shqipërisë. Gjatë 45 viteve sundim të hekurt, e gjithë Shqipëria u shëndërrua në një kamp masiv përqëndrimi, në një Birkenau shqiptar.
Në këtë kuadër, me daljen nga kjo humbëtirë antihumane, Shqipëria kishte të gjitha kredencialet politike dhe historike për të ndjekur një model radikal dhe tranformues ndaj të shkuarës kriminale komuniste. Ruti Teitel, një nga studiuesit prominent të drejtësisë tranzitore, argumenton se dënimi i krimeve të regjimeve totalitare, vendosja e drejtësisë, zbardhja e të vërtetës dhe pranimi i abuzimeve të së shkuarës janë kushte paraprake të rëndësishme për pajtimin dhe tranzicionin e shpejtë të një shoqërie post-totalitare drejt demokracisë.
Ndërsa po përmbyllet dekada e tretë e fillimit të rënies së regjimit punist hoxhist, përkundër të gjitha pritshmërive dhe aspiratave të studentëve dhe qytetarëve që u derdhën në rrugët e Tiranës në ditët e ftohta të dhjetorit 90-të, Shqipëria është i vetmi vend pas perdes së dikurshme të hekurt që nuk ka arritur të shkëputet nga e kaluara komuniste. Ndryshe nga vendet ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, pamvarsisht se në harkun kohorë të këtyre viteve Shqipëria ka iniciuar disa masa legale që kanë synuar zbardhjen dhe dënimin e të shkurës kriminale komuniste, ajo nuk ka arritur ti implementojë këto masa. Siç edhe studiuesia Cynthia Horne pohon, Shqipëria është i vetmi vend në botën ish-komuniste që ka miratuar ligje në letër, por që ka dështuar totalisht në vënien e tyre në jetë. Gjykoj se kjo ka ardhur si pasojë e një kompleksi faktorësh.
Së pari, tranzicionit i Shqipërisë nga regjimi diktatorial hoxhit në sistemin pluralist mund të klasifikohet si një model mes atij çka Samuel Huntingon i quan ‘me negocim dhe transferim’. Shqipëria në fund të viteve 80-të ishte i vetmi vend në botën ish-komuniste që nuk kishte një disidencë të organizuar. Kjo për shkak së regjimi i kishte larë hesapet herët me elitën intelektuale anti-komuniste dhe pjesa e mbetur dhe kleri fetar ose ishte burgosur ose internuar në kampe pune ç’njerëzore. Prandaj, praktikisht vendi e kishte të pamundur bënte një përmbysje totale të nomeklaturës komuniste. Për rrjedhim, elita e re politike e pas 90-ës në një fare mënyre u detyrua të bashkëjetonte dhe bashkëndante pushtetin me zgjatimet e diktatuës. Janë pikërisht këto zgjatime që ia kanë pamundësuar Shqipërisë ndarjen me të shkuarën. Ligji i Genocidit i miratuar në 1995-ën u amendua nga mozhoranca Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës, pas ardhjes së saj në pushtet në 1997-ën, dhe pak më vonë u rrëzua komplet nga Gjykata Kushtetuese. Po të njëjtin fat pati edhe ligji i Lustracionit në vitin 2009-të. Kështu, siç edhe Helga Welsh thekson, legacia komuniste luan rol vendimtarë në qasjen e vendeve post-totalitare me të shkuarën e tyre abuzive.
Së dyti, shumë nga masat ligjore të ndërmarra në Shqipërinë post-komuniste ishin joserioze dhe të hartura keq ligjërisht. Dënimet e para të ish-nomeklaturës komuniste për abuzime ekonomike e diskredituan reputacionin e këtij procesi. Ndërkohë, një pjesë e legjislacionit është parë si e motivuar politikisht për të eleminuar kundërshtarët politikë, çka ka dobësuar mbështetjen bipartizane të nismave ligjore që synonin të adresonin të shkuarën komuniste. Pra, molepsja e politikës së të shkuarës me politikën e të tashmes në Shqipërinë post-komuniste e ka kthyer ndërmarrjen e qasjes ndaj të shkuarës në një betejë politike të pafrytshme për qëllimet transformuese të saj.
Për rrjedhim, e shkuara komuniste jo vetëm që nuk është prekur, por ajo vazhdon ta përndjekë shoqërinë shqiptare si një fantazëm. Mungesa e pastrimit të organeve të larta të shtetit nga eksponentë që i kanë shërbyer makinerisë shtypëse të regjimit komunist ka bërë që një pjesë e madhe e ‘elitës’ politike dhe administrative post-komuniste të jetë vazhdim i regjimit totalitar. Sot që flasim, disa nga institucionet më ta larta politike dhe juridike në vend drejtohen nga eksponentë të regjimit hoxhist me të shkuar të dyshimtë.
Sikur të mos mungonte kjo, paaftësia e Shqipërisë për të zbardhur abuzimet e regjimit të vjetër dhe vendosur drejtësi, ka çuar në relativizmin e abuzimeve të kohës së diktaturës dhe mbajtjen gjallë të narrativës së shtrembëruar historiografike komuniste që e portretizonte Shqipërinë socialiste si një shtet progresiv, që siguroi eliktrifikimin e vendit, shërbim shëndetësor falas, arsim për të gjithë dhe të drejtën universal të votes (për të votuar vetëm PPSH-në), duke lënë kësisoj në hije krimet, mjerimin ekonomik, social dhe politik që prodhoi ai lloj regjimi për Shqipërinë. Ishte e habitshme të shikoje argumenta të tillë të parashtroheshin para pak muajsh në një artikull të gazetës britanikë ‘The Guardian’ të shkruar nga Lea Ypi, studiuese shqiptare e teorisë politike pranë London School of Economics and Political Science. Mbajtja gjallë e kësaj narrative ka pamundësuar ndërtimin e një memorie kolektive përbashkuese mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri. Figura të tilla si ish-diktatori Enver Hoxha vazhdojnë të nderohen me portrete në duar me rastin e prememorieve kombëtare, ndërkohë që në Europën perendimore figurave Honekerit apo Çausheskut u janë rezervuar vendet në koshin e errët të historisë.
Pafuqia e Shqipërisë për të vendosur një vijë të trashë ndarëse me diktaturën komunistë ka prodhuar pasoja të rënda në procesin e ndërtimit të një demokracie funksionale pas viteve 90-të. E shkuara e diskutueshme është përdorur politikisht për të manipuluar diskursin publik me teza antipolitike për përfitime elektorale dhe për ti shpëtuar përgjegjësive reale për keq-qeverisjen e vendit. Kësisoj, 30-të vite më pas Shqipëria vijon të pluskojë në gjirizet e një tranzicioni të tejzagjatur drej askundit. Sipas historianit Alexander Etkind, nëse ne nuk arrijmë të vendosim drejtësi për krimet e kryera, të kuptojmë të shkuarën në dritën e të tashmes,, nëse ne dështojmë të mbajmë zi për dramat kolektive të kombit, në mbesim në kohën e post-katastrofës. Në një shoqëri në post-katastrofë, e shkuara na përndjek, na përçan dhe na kufizon lirinë për të zgjedhur.
Kur janë mbushur tre dekada pas ngjarjeve të dhjetorit 1990-të, Shqipëria vijon të mbetet peng i fantazmave të së shkuarës komuniste, të cilat po i përndjekin të tashmen dhe të ardhmen e saj. Të njohësh të shkuarën është liberalizuese, ndërsa të reflekotsh mbi të është përbashkuese dhe transformuese. Gjatë këtyre viteve tranzicion, shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë mbanë të bëjë as njërën as tjetrën. /Politiko.al

SHKARKO APP