Tre shpulla të Bashkimit Europian kundër kryeministrit
Forum E Hënë, 26 Tetor 2020 19:54
Nga Red Varaku-
Tre personalitetet më të rëndësishme të Evropës, që merren me integrimin e Shqipërisë, Komisioneri për Zgjerimin z. Oliver Varhelyi, Raporteri për Shqipërinë pranë PE David Lega dhe Zëvendëskryetari i PPE në Parlamentin Europian Andrey Kovatchev, iu bashkuan mendimit të opozitës dhe i kërkuan Edi Ramës të mos rivotojë Kodin Elektoral pa marrë në konsideratë mendimin e Komisionit të Venecias.
Por, të tre personalitetet nuk ja kanë dalë të bindin Edi Ramën të tërhiqet nga rivotimi i Kodit Zgjedhor, sepse ai është shprehur se do t’i rivotojë këtë të enjte .
Në deklaratat e tyre ata kanë theksuar se një rivotim i tillë cënon rëndë standartet demokratike për ruajtjen e të cilave ata janë angazhuar që në fillim, kur vendosën të negocionin krizën shqiptare, pas publikimit të përgjimeve dhe protestave masive të qytetarëve shqiptarë.
Me anë të këtij refuzimi Edi Rama ka shpallur refuzimin e Partisë Socialiste ndaj Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij dhe u ka thënë atyre se nën drejtimin e tij, demokracia është një monedhë e zhvlerësuar në rajonin tonë.
Me anë të këtij refuzimi ai shpalli se është gati të braktisë vlerat euro-atlantike dhe është gati ta bllokojë interesin më të madh të popullit shqiptar, integrimin e Shqipërisë, vetëm për interesin e mbajtjes së pushtetit përmes ndalimit të koalicioneve.
Por, nëse ky nuk është më një problem për Partinë Socialiste, pasi ajo është ajo që është në raport me demokracinë dhe perëndimin, ky është një problem shumë i madh për orientimin perëndimor në Shqipëri.
Pasi Edi Rama nuk është thjesht kryetari i PS , por është një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE , që refuzon hapur standartet perëndimore.
Shqipëria është shembulli konkret përse regjimet autokratike, duhen shpartalluar sapo lindin, pasi pasojat që lënë pas, janë përtej partisë së tyre. Pra, prej sot, ai është një problem serioz për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Në këto kushte, nëse Edi Rama nuk do të ndalet në projektin e tij për asgjësimin e demokracisë dhe vazhdon të refuzojë hapur çdo standart perëndimor është e sigurtë Perëndimi do të rrisë presionin e tij
Ndaj, nuk është cudi që në ditët dhe muajt në vijim të përballet me qëndrime të padëgjuara ndonjëherë ndaj ndonjë lideri shqiptar nga Brukseli, si për shembull lënia e fatit të tij në dorën e vetë popullit shqiptar, siç lanë Çausheskun në dorën e popullit rumun!