Tre sugjerime shtesë për reformën në drejtësi
Le të marrim një aspekt me rëndësi në pritshmërinë afatgjatë të reformës, – prurjet e reja në sistemin gjyqësor. Praktikat e viteve të fundit dhe ato të pranuara edhe nga komisioni i ekspertëve në reformën aktuale në drejtësi e bazojnë Shkollën e Magjistraturës si burimin e vetëm të prurjeve të reja në sistemin gjyqësor. E thënë me fjalë të thjeshta, gjyqtarët e rinj do të duhet të jenë detyrimisht të diplomuar në këtë shkollë, pra të jenë magjistratë. Ky përcaktim përbën risi dhe shënon shkëputjen afatgjatë formale nga modelet eksperimentale të tranzicionit, – emërimet për shkak të kontributeve politike, prurjeve nga “kurset 6 mujore” etj. Praktika të tilla kanë aplikuar edhe disa vende të tjea ish komuniste, gjithësesi midis modeleve të tyre dhe modelit tonë gjenden dallime jo të pakta qoftë edhe formale.
Që Shkolla e Magjistraturës të bëhet burim kryesor për një sistem gjyqësor funksional e profesional vetë shkolla duhet të jetë “shkollë elitë” në Shqipëri. A është e tillë aktualisht? Jo. A kemi kapacitete për ta bërë të tillë? Personalisht e shoh me rezervë. A kemi platforma dhe projekte konkrete për këtë ndryshim thelbësor në cilësinë dhe integritetin e saj. Fatkeqësisht, ende jo. Shkolla e Magjistraturës është e një cilësie të mirë, më të mirë sesa shumica e universiteteve periferike apo të mbyllura, gjithësesi, një lexim i shpejtë i drejtimit dhe menaxhimit të saj në vite tregon se krijimi dhe funksionimi i saj ka qenë kryesisht eksperimental. Le të kujtojmë se drejtues kryesor, ligjërues apo anëtarë bordi të saj në dekadën e fundit kanë qenë edhe disa figura nga më militantet të partive politike, pa merita profesionale dhe as akademike, deri edhe juristë të avancuar ne karrierë për shkak të shërbimeve politike për të kuptuar produktin e pritshëm te saj. Aktualisht ajo drejtohet nga një profesionist, por më shumë sesa shpresa tek individi i mirë, duhet të kemi garancinë e sistemit të mirë funksional të saj. Ndaj ky institucion meriton një strukturë bashkëkohore mësimi, investime më të mëdha profesionale dhe rritje të kapaciteve konkurruese. Praktika e emërimit të tyre mbi hartën e vendeve vakante, (shpesh të shpallura në formë klienteliste dhe me skema të gatshme), meriton gjithashtu një sistem të ri më transparent, më konkurrues dhe më integral në sistem. Numri i studentëve pjesëmarrës është minimal, i mjaftueshëm për të “furnizuar” numerikisht vendet vankate në sistemin gjyqësor, por i pamjaftueshëm për një sistem shumë më konkurrues.
Në modelet bashkëkohore diploma juridike dhe as diploma në magjistraturë nuk është e mjaftueshme për të formësuar gjyqtarin që fiton mandat të përjetshëm, sic ndodh me sistemin tonë gjyqësor. Do të duhen vite praktike dhe investimi profesional, testime dhe kualifikimi, në mënyrë që niveli profesional të arrijë nivelin që shoqëria pret nga dikush që jep drejtësi, krijon besim dhe integritet. Ndaj edhe ndryshimi cilësor në magjistraturë do të duhej të ishte pjesë e reformës në drejtësi, pjesë e rëndësishme e sistemit të cilësisë, investimit dhe promovimit, si dhe një synim afatgjatë e i qëndrueshëm. Aktualisht kjo nuk është bërë dhe askush nuk flet për të.
Së dyti, cdo vit disa qindra të rinj shqiptarë përfundojnë studimet juridike në universitete europiane dhe amerikane. Ata kanë shkuar atje me investimet e tyre familjare, kanë konkurruar dhe kanë arritur të fitojnë dhe të diplomohen. Në fund të procesit ata kanë diferencë formimi me studentët e diplomuar në universitetet shqiptare aq sa është diferenca midis universitetit shqiptar dhe universitetit europian apo amerikan ku ata diplomohen. Gjithësesi, ky investim cilësor dhe i gatshëm, kjo pasuri profesionale dhe humane, nuk është ende objekt shqyrtimi dhe përdorimi pozitiv edhe si aset për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ata nuk trajtohen nga legjislacioni aktual, nuk konkurrojnë apo nuk kanë mundësi promovimi në magjistraturë, dhe mund të mbeten jashtë sistemit, vetëm për shkak të diplomës, e cila për ironi, është shumëfish më e mirë, më me prestigj dhe më bashkëkohore sesa diploma shqiptare. Edhe kjo pikë thelbësore për kapacitete njerëzore të reformës do të duhej të ishte pjesë e debatit për reformën në drejtësi, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Së fundi, bota shqiptare është gjeografikisht dhe potencialisht e vogël, dhe kur ajo ndahet në disa shtete të vogla, bëhet edhe më e vogël në aftësinë konkurruese dhe aftësinë krijuese. Shqipëria e Kosova janë dy shtete, kanë dy gjykata kushtetuese, dy gjykata të larta, më shumë se 500 gjyqtarë aktivë dhe disa qindra juristë në funksione të tjera drejtuese apo profesionale në drejtësi. Duke supozuar se ata zgjidhen me konkurs, atëherë rezulton se për rreth 1400-1500 vendet në gjyqësor, prokurori, etj, konkurojnë mesatarisht 8-10 herë juristë më shumë. Një lexim i rotacioneve në sistemet gjyqësore në dy vendet rezulton se ka pasur të njëjtin tipar negativ: riciklim emrash për shkak të mungesës së prurjeve të reja, si dhe një cilësi profesionale deri në mesatare, duke na privuar nga shansi për krijimin e elitave juridike si shkencë e si profesion. A kemi vertetë kapacitete të tilla konkurruese në një popullsi kaq të vogël, apo garat janë fiktive dhe diplomat juridike janë aq masive sa sasia dominon mbi cilësinë? A nuk do të ishte më produktive që dy vendet, dy qeveritë, të bashkëpunoni për një sistem formimi juridik më produktiv dhe më funksional?
Ka praktika të mira nga vende të tjerta dhe ide që qarkullojnë në nivele akademike e institucionale, por që ende nuk merren në konsideratë. Për shembull, Universiteti i Prishtinës i ka propozuar prej kohësh Tiranës zyrtare një draft konkret bashkëpunimi. Sipas tyre, nuk ka sens që në Prishtinë, Tiranë, Prizren, Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë, Ferizaj, etj, të ketë fakultete juridike publike që kryjnë funksione promovuese më vehte, kanë programe masteri apo doktorature më vehte. Thjesht, për 22 programe të avancuara studimi në këto universitete duhen së paku 350 pegagogë të zgjedhur, shifer që nuk e kanë as Tirana dhe as Prishtina. Për rrjedhojë, “gjenden” profesorë për të dhënë mësim, kryesisht lektorë të rinj në moshë, pa përvojë profesionale e jetësore, pa botime akademike, shume prej tyre juristë administrate apo nga radhët e avokatëve, pa u thelluar kështu në cilësinë e produktit që ata arrijnë të japin. Ideja e Prishtinës ishte e thjeshtë: le të krijojmë të gjithë së bashku një program cilësor doktorimi në shkencat juridike, dhe të krijojmë një fond te posacëm për të tërhequr staf pedagogjik te huaj, ose shqiptarë të suksesshëm në karrierë që punojnë ne qarqe akademikë në perëndim. Aktualisht janë rreth 42 të tillë, shumica të emigruar pas viteve ‘90 dhe që kanë CV akademike shumë më mbresëlënëse sesa kolegët e tyre në Tiranë e Prishtinë. Ideja nuk ka marrë përgjigje pozitive nga Tirana, as mbështetje nga universitetet. Secili do dhe këmbëngul të vijojë “më vehte”, pra të japë diploma të vetat, pavarësisht cilësisë, dhe pavarësisht privimit nga nevoja jetike që kemi për një elitë të re akademike dhe profesionale edhe në fushën e drejtësisë.
Ide e sugjerime të tilla, si këto tri të përmendura më lart, së paku duhen shqyrtuar. Janë aplikuar në Kroaci, Polo
ni, Estoni, etj dhe kanë pasur sukses. Në Shqipëri ende as nuk janë dëgjuar. Vetë reforma e nisur ka nevojë për një reformim në koncept dhe sjellje, në prioritete e synime. Mbi të gjitha, debati aktual për reformën në drejtësi duhet të jetë shumë më horizontale, më e thellë, më afatgjatë dhe më dukshëm jashtë interesave të vogla të ditës.
Konsensusi politik ka vlerën e tij, sepse duhen votat në parlament ose në referendum, por konsensusi për një elitë të re juridike, për gjyqtarë e prokurorë që nuk dinë vetëm të dënohnë por edhe të prodhojnë akte juridike, që te kenë aftësi të bëjnë punë më cilësore sesa aktiviteti rutinë në kafe, zyra apo salla gjyqssore. Asnjë sistem, sado i mirë që të jetë në letër nuk mund të jetësohet me sukses dhe nuk mund të jetë funksional e afatgjatë nëse nuk prodhon konkurrencë reale vlerash, nëse nuk mbështetet nga buxhete të qëndrueshme dhe strategji afatgjata, nëse nuk ka në dispozicion kapacitetet e duhura njerëzore dhe nëse nuk del jashtë rrethit vicioz dhe praktikës abuzive ricikluese që kemi prodhuar pa sukses prej 25 vitesh edhe në Shqipëri. (Shekulli)