“Tregtarët” e dyshimit politik
Nga Arben Isaraj
Gusht dhe shumë vapë.
Avullon gjithçka, nga maja e këmbës deri në majë të kokës.
Çarje….krisje….inat…tradhti… nxehje gjakrash….divorce dhe kurorëzime të reja politike….. pazare….hatërmbetje….prishje …mos….na …. asgjë…. pse…..!!!???
Kemi një grup njerëzish, karizmatikë dhe oratorë, të cilët po na dalin në media, si ekspertë dhe flasin për çështje nga më të “nxehtat” e kësaj stine, por, që në të vërtetë duken sikur paguhen për të përhapur panik, krijuar çoroditje dhe për të minuar besimin qytetar mbi çdo gjë.
Këta janë “folës mercenarë” të punësuar nga korporatat e politikës apo biznesit lidhur me të, të cilët shpërndajnë çdo orë e çdo ditë, informacion negativ e të dyshimtë ose të rremë.
Frika, pasiguria dhe dyshimi janë në përgjithësi, përpjekja e tyre për të ndikuar në perceptimin publik, mbi këdo dhe mbi gjithçka.
Gushti përvëlues po ikën e bashkë me të edhe vapa.
Zoti na ruajt, ç’tregti vjen prapa.