Tregtarët e vd**jes po trajtohen me humor
Nga Redjon Shtylla
Ja ku jemi sot, sërish për një skandal që ka shqetësuar mbarë shqiptarët. Me dramën therëse sesi jeta tek Onkologjiku shihej si një letër e bardhë, ku mjekët dhe personeli shënonte shifrën monetare me të zezë që kërkonte të kapte.
Zbulimi i skandalit në të vetmin spital publik që trajton sëmundjen e kancerit, nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dokumentuar sesi tek Onkologjiku ka një buxhet minimal, s’ka aparatura! Pacientë që nuk marrin shërbime, s’ka poltronë për kimioterapi etj fakte të rënda, që askush nuk doli për ti folur, por sot po shahen dhe po bëjnë analiza nëpër studoi televizive.
Nëse dy vite më parë ishte ”Tirja”, një infermiere në pension që negocionte kanalizimin e kimioterapisë në spitalet e klinikat private, sot janë mjekët që janë të akuzuar që kanë luajtur me jetën e personave me kancer, si të jenë tregtarë të vdekjes.
Por, le të ndalemi pak tek një e vërtetë e pamohueshme. Skandali nuk nisi sot, por sot që u zbulua, po kthehet në një teledramë. Mjeken Alketa Pere po e kthejnë në një personazh komik dhe pa frikë në fenomen social në imitim. Figura të ekranit po imitojnë dialogun që mjekja pati me gazetarët për fotot, për të folurin e saj që pikërisht këtë kërkoi, të merren me pjesën argëtuese, dhe jo me skandalin më të madh, që atje tek Onkologjiku ”të vrasin”.
Po merren me mjekun Edmond Gashi, që iku me vrap nga Gjykata, iku për mish tek një lokal, bëri këtë dhe bëri atë. Kudo në rrjete sociale sheh foto të mjekjes Pere që janë të modifikuara, të kuruara, që aktore imitojnë të folurën e saj dhe është një dramë më vete sesi në të gjithë këtë skandal të madh, sepse të bësh pazar me jetën, është fundi i njerëzimit dhe i detyrës së mjekut. Me këtë që po i bëhet mjekes Pere, që po e kthejnë në fenomen argëtues, nuk ka vend për koment. Të mos merresh me kancerin që është tek bluzat e bardha dhe të merresh me humor, tregon sa shumë e duam jetën e tjetrit, për sa kohë nuk jemi prekur ne. A e tillë shoqërie jemi ne? Që në vend që të ngrihemi, merremi me humor?
Si është e mundur që opozita merrem me djegie gomash tek bashkia e Tiranës dhe nuk fiton kapital politik nga skandali më i madh, që në një spital publik luhet me vdekjen? I kujt është faji? I popullit? I opozitës vetë që nuk po e bën dot kauzë për disa arsye të vetat? Fakti që kjo qeveri ka kaq shumë skandale dhe korrupsion, këtu është problemi i opozitës që nuk di të ristrukturohet dhe nuk di të bëjë kauza. Ky është fakti.
Krimi i Onkologjikut është një lojë masakre, që duhet ti jepet fund, pa u shuar jetët e të tjerëve. Sot më shumë se kurrë, duhet të ngrihemi në këmbë, dhe për këtë duhet që opozita të zgjohet.