Treni i sherrit

Prag konflikti mes Serbisë dhe Kosovës. Kush po i rikthen tensionet e vjetra në Ballkanin e ri?

Nga Qamil Xhani

 Kosova dhe Serbia dje kanë qenë në prag lufte. Një tren serb, dhuratë e qeverisë ruse, i mbushur me pankarta “Kosova është Serbi”, me zyrtarë dhe gazetarë serbë, u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës. Treni përuronte pas 18 vjetësh rihapjen e linjës që ishte jashtë funksionit mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas zyrtarëve serbë, treni ishte një urë lidhëse mes dy vendeve. Por një ‘urë lidhëse’ që në fakt minon më tepër marrëdhëniet që nuk kanë qenë ndonjëherë të mira mes Serbisë dhe Kosovës. Përderisa në gjithë vagonët e trenit kishte parulla kundër shtetit të Kosovës, ajo që ka bërë dje Beogradi mban vetëm një emër; provokimi ndaj shqiptarëve.

Qeveria e Kosovës, edhe pse me vonesë, u vu në lëvizje ndaj idesë së serbëve. Në tren kishte parulla antikushtetuese, zyrtarë të paautorizuar që vizitonin Kosovën, kishte simbole që fyejnë shtetin.

Treni i nisur si “dhuratë” ishte shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Më saktë, një tren lufte, apo një kalë troje që bashkë me zyrtarët serbë çonte në Kosovë sherrin dhe një pretekst për konflikt të hapur. Strukturat ushtarake të Kosovës u pozicionuan në veri të Mitrovicës për çdo situatë. Ndërkohë që, edhe në territorin serb u raportua se forcat ushtarake kaluan në gatishmëri. Ushtritë u bënë gati.

Në një situatë që ndryshonte me minuta, Prishtina kërkoi ndërhyrjen e Brukselit. Por në BE duket se kjo situatë lufte nuk u konsiderua serioze. Në një deklaratë për mediat e Kosovës, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç tha se, “problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen me frymën e dialogut”. Si përherë kohët e fundit, kështu bën BE, e cila po degradon si Unitet dhe forcë vendimmarrëse. Mbrëmjen e djeshme Forcat e Armatosura të dy vendeve ishin në gjendje lufte.

Tensioni duket se është shmangur jo nga Serbia, por nga ndërhyrja e diplomatëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas kontakteve  apo dhe kërcënimeve që ndërkombëtarët kanë bërë në Qeverinë e Beogradit, Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç vendosi që treni të mos hyjë në territorin e Kosovës. Por edhe pse ishte një provokim nga ana e serbëve, Kryeministri Vuçiç e përdori situatën në favor të tij. Ai tha se janë shqiptarët ata që “po luajnë lojën e luftës”. Bashkë me këtë deklaratë nuk munguan dhe kërcënimet ndaj Kosovës dhe shqiptarëve: “Mos guxoni të sulmoni serbët, ne do të përgjigjemi”, tha Vuçiç.

Ky reagim me nota të kohës së Sllobodan Milosheviçit është një tjetër provokim në vazhdën e qëndrimeve serbe. Vetëm gjatë këtij muaji janë dy aksione të Qeverisë serbe që kërkojnë acarim dhe konflikt në marrëdhëniet me Kosovën. Rasti i parë është kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj. Pas 14-vjetësh Serbia vendosi të hapë dosjen e luftës së Kosovës, me synimin për të etiketuar shqiptarët si autorët e masakrave. Pas përplasjes që po zhvillohet në Francë, vendin, ku u arrestua Ramush Haradinaj, Serbia është hedhur në një tjetër ofensivë edhe më të rrezikshme. Treni i djeshëm drejt Mitrovicës synonte përplasjen në terren, të cilat më pas do t’u faturoheshin shqiptarëve të Kosovës.

Kjo ofensivë diplomatike dhe në terren e Serbisë, nuk mund të shpjegohet si nisma vetëm të sajat. Një shtet që deri dje kishte gjithë klasën drejtuese politike të akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për shkak të luftërave në rajon, i vetëm nuk ka kurajë të kërkojë sërish konflikt në Ballkan. Duket se pretendimet e serbëve në Kosovë frymëzohen edhe nga shtete të tjera, si dhe nga apatia e Brukselit për të ndërhyrë.  Dje, Vuçiç e ktheu nga rruga “Trenin e luftës”, por kush është garancia se Serbia nuk do të provojë të ecë sërish në shinat e konfliktit.

Ku është Edi Rama, miku i Kryeministrit serb Vuçiç, pse heshti? Pse nuk i bëri një telefonatë mikut të tij serb? Apo miqësia ka hyrë në mot akulli. Fatkeqësisht gjithë ai investim i Edi Ramës në drejtim të Serbisë, duket se ka shkuar kot.

Po vijnë kohë të reja në Ballkan.

SHKARKO APP