Triumf i Trump
Nominimi i Z.Trump si kandidati i Republikanëve amerikanë nuk erdhi si llotari por si një përzgjedhje e lirë ndonëse jo pa diskutime. Se liria e demokracia natyrshëm mbartin dlskutim. Trump nuk vinte nga hiçi ndonëse jo nga domeni politik. Por ai ishte biri i ëndrrës që bëhet realitet në Amerikë, parajsën e mundësisë.
Nga Albina Deda
(Deputete e Partisë Demokratike)
Kisha një mijë tituj në mendje me fjalë të zgjedhura tek projektova këtë shkrim natën e daljes së rezultatit final të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Por preferova këtë shprehje të thjeshtë të anëve tona, të thjeshtë por plot emocion semantik e leksikor: Amerika votoi dhe Trump triumfoi!
Ishte një triumf i shumëfishtë individual e kolektiv duke i dhuruar të djathtës konservatore amerikane si rrallë herë Presidentin, Senatin e Kongresin. Dhe fitorja prapë si rrallë herë ka vulën e gjeninë amerikane të Donald J.Trump!
Dhe për shumë besoj se fenomeni Trump do të marrë vëmendje politike, analitike e autobiografike! Mirëpo ky aspekt nuk është as profesioni dhe as intensioni im! Diçka tjetër më mundoi të shkruaj këto rradhë natyrisht duke korreluar vendin e madh të lirisë me Atdheun tonë dhe aktualitetin e tij politik!
Nominimi i Z.Trump si kandidati i Republikanëve amerikanë nuk erdhi si llotari por si një përzgjedhje e lirë ndonëse jo pa diskutime. Se liria e demokracia natyrshëm mbartin dlskutim. Trump nuk vinte nga hiçi ndonëse jo nga domeni politik. Por ai ishte biri i ëndrrës që bëhet realitet në Amerikë, parajsën e mundësisë.
Ne si shqiptarë të njohur si pro amerikan nga më të shënjuarit në glob nuk kishte pse të skepticizoheshim nga zgjedhja e atij kombi që si askush shquhet për zgjedhjet e tij. Aq më tepër e djathta shqiptare të cilës po i jepej një bonus frymëmarrjeje, një mesazh sesi ekziston gjithmonë një risi kur ka liri!
Mirëpo si për ironi të fatit del Edi Rama dhe në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë në kulmin e fushatës në prill të këtij viti reagon paciptësisht kundër Donald Trump. Ai e bën këtë zyrtarisht nga SHBA në njërin nga rrjetet më të njohura televizive në botë, CNN!! Një reagim jo vetëm jo diplomatik por çmendurisht të dënueshëm. Po citoj mitomanin Rama…: “Nuk e kam fare problem ta përsëris në shqip dhe anglisht se Donald Trump është kërcënim për SHBA dhe nuk diskutohet dhe për marrëdhënjet shqiptaro-amerikane”.
Ky prononcim është sa i egër aq dhe qesharak. As satira e hollë e Konicës nuk do mund ta përshkruante këtë sllogan pervers. Kjo përveç se një krim i dënueshëm elektoral sipas ligjeve amerikane pikë së pari ishte krim ndaj vendit tonë edhe sikur Z.Trump të mos ishte Presidenti i 45 i SHBA.
Për fat të mirë Trump është President dhe për fat të keq Edi Rama vijon të jetë kryeministër i Shqipërisë. Në një rast të tillë nëse ai do të kishte një pikë sedre politike e njerëzore sot duhej të dorëhiqej. Por klonet e monstrat nuk njohin sedër. Gjuha e përzënjes së tyre është forca!
Partia Demokratike dhe z Basha natyrisht sot janë më të lumturuarit nga zgjedhja që bëri kombi amerikan. Gjatë gjithë fushatës ne ishim në emocion por gjithmonë të kujdesshëm e luajal. Edhe sot nuk rrëmbehemi nga euforia megjithëse është e njohur influenca amerikane tek elektorati shqiptar. Ne i besojmë votës shqiptare natyrisht të frymëzuar prej krijimit nga demokracia amerikane. Ne e kemi të qartë se miqësia shqiptaro-amerikane nuk është produkt njohjesh , miqësish , ambasadorësh apo krushqish! Të paktën prej kohës së Presidentit Willson e gjer sot miqësia amerikane na është dhënë me bujari në momente kyçe të historisë sonë kombëtare. E tillë do jetë shumë më gjatë. Natyrisht ne si opozitë kemi pse të lumturohemi por dhe të obligohemi edhe më shumë në largimin e kësaj oligarkie politiko-ekonomike që po rrënon ëndrrën demokratike. Presidenti Trump në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes tha: “Ne do ta ribëjmë ëndrrën amerikane”. Është detyra e PD-së ta ribëjë ëndrrën shqiptare.
Nuk mund t`i mbyll këto rradhë pa cekur një prononcim pak para mbylljes se rezultatit final në SHBA. Ishte Shannon Burns, këshilltar politik i Presidentit Trump i cili live për një televizion shqiptar u shpreh: “Me Shqipërinë ne do t`i ngushtojmë marrëdhënjet. Ajo që themi ne është se do ti japim fund korrupsionit të Sorosit në Shqipëri”. Kjo shprehje flet vetë siç dhe përkthen qartë guximin e marrë të kryesoristit Edi Rama…! Gjithsesi tani Trump është President. Uroj dhe shpresoj që Trump të jetë siç vetë është shprehur në fushatë: “Unë do të jem Presidenti më i mirë që Zoti ka krijuar”.