Trokitja e së Përtejmes

-Esse

Nga Artur Zheji

Shpesh e më shpesh më përforcohet një ide. Duket sikur më e shumta e veprimeve tona nuk është tjetër veçse një mënyrë që të harrojmë të Përtejmen. Pikërisht çastin pra, që Shpirti ndahet nga trupi (për ata që e besojnë këtë), kur trupi ngrin dhe Qënia pushon së qëni.

Nëse do të përqendroheshim në këtë të vërtetë të pakthyeshme, që nuk mund të blihet me asgjë dhe që ndodh pashmangërisht se kush je dhe çfarë pushteti ke ndër të gjallët, nëse do të përqendroheshim pra te ky udhëtim i Fundit, ndoshta do ta kishim të vështirë të jetonim “njerëzorçe” të përditshmen tonë shpesh e më shpesh mjerane dhe të varfëruar.

Me njerëzorçe nënkuptoj këtë pothuajse marrëzi të përditshme, ku ne nxjerrim si shpatë apo si pushkë, egoizmin tonë, etjen, urinë dhe epshin për t’u shfaqur, për të nënshtruar më të dobëtit, për të adhuruar përmes këtij nënshtrimi të të tjerëve, apo nënshtrimit edhe të një populli të tërë, vetveten. Për të shijuar sa më shumë dhe pangopshmërisht, përmes gëlltitjes, prekjes apo seksit, porcione kënaqësie, e me një fjalë, për të përftuar në fund të fundit gjithë atë konstelacion impulsesh që përbëjnë jetën, në luftë të përçastëshme me vdekjen.

Por më të shumtët, për të përftuar shijet e jetës, sidomos ushqimin, prekjen dhe seksin, janë gati të jetojnë çnjerëzisht, njerëzorçen e tyre, kurrizulur, gojëmbyllur, në përgjumje dhe nënshtrim, nga frika se kjo apo ato fije që na lidhin me jetën, mund të hollohen aq sa të këputen dhe në këputje, në këputjen e fijeve që na lidhin me jetën pra, të shuhet burimi nga ku përcillen këto impulset e shijshme të jetës që njohim.

Porse duke jetuar me çdo kusht këtë “njerëzorçen” tonë të përditshme, mjerisht vërej se në të vërtetë, duke mos e shmangur dot gjithsesi atë që një Ditë do të trokasë, e më pas do të vijë pashmangshmërisht, kalimin e Përtejshëm, ku me të Përtejshmen nënkuptohet, ose e Përjetshmja ose Asgjëja, simbas besimit apo mosbesimit të çdonjërit, ne i lejojmë vetes dhe atyre që na rrethojnë, e sidomos atyre që kemi mbi vete e mbi fuqitë tona, të përdhosin, të shkelin apo të përçudnojnë Njerëzoren, që duhet të ketë në thelb të vet Njerëzorçja jonë e përditshme.

Por duke vigjëluar, në këto kohë të afërta me njëra-tjetrën, kalimin në të Përtejmen e prindërve të mi, të cilët, thellë-thellë, në adhurimin dhe dashurinë time të dikurshme fëminore, i pandehja të Pavdekshëm, si edhe vetë pandehemi të tillë nga pak çdo ditë, pa e pohuar me zë të lartë, që të përballojmë kësisoj ditën e re, e duke ndenjur më shumë se asnjëherë në prag të të “Dyja Botëve”, vura re nevojën e madhe për të rritur me çdo kusht praninë e Njerëzores, në të përditshmen e njerëzorçes sonë.

Sepse e Pashmangshmja do të vijë gjithsesi.

Sado të përpiqemi ta shtyjmë. Sado përpiqemi ta largojmë me shumë fjalë të pakuptimta që përdorim ditë pas dite.

Përtej përpjekjes për t’u shpërqendruar mbas gjërave të “mëdha”, mbas epsheve dhe etjeve që na japin në këmbim iluzionin e Përjetësisë, të shtuarit e Njerëzores në të gjithë ne, e sidomos në mendjet e pashëruara të nepsqarëve që na sundojnë më së shumti, do të ish edhe për ata vetë një Paqe, që e bën më të lehtë kalimin në të Përtejmen.

Besomëni për këtë. Për të Mirën tuaj.

Gazeta Mapo

SHKARKO APP