Trump: E drejta ime të ndaj informacione sekrete me Rusinë
Donald Trump ka mbrojtur atë që e cilëson si të drejtën e tij absolute për të ndarë të dhëna me Rusinë, ndërkohë që dy zyrtarë të lartë të administratës së tij, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Herbert Raymond McMaster, dhe Sekretari i Shteti, Rex Tillerson, u përpoqën t’i hidhnin poshtë si të pavërteta raportet e medieve amerikane, sipas të cilave, kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka përcjellë informacione tepër sekrete zyrtarëve rusë gjatë një bisede në Zyrën Ovale.
“Si president desha të ndaj me Rusinë, dhe kam të drejtën absolute ta bëj një gjë të tillë, fakte të lidhura me terrorizmin dhe sigurinë e fluturimeve ajrore. Janë disa arsye humanitare, përpos kësaj, dua që Rusia ta përshkallëzojë luftën e saj kundër ISIS-it dhe terrorizmit”, thuhet në mesazhin e Trump.
Raporti i “Washington Post”, i përcjellë më pas edhe nga “New York Times” e media të tjera, pretendon se Trump ka nxjerrë informacione të fshehta lidhur me një komplot të Shtetit Islamik, të përqëndruar – sipas shkrimit, – te përdorimi i laptopëve në avion.
Të dhënat e nxjerra nga presidenti, sipas “Washington Post” mund të vënë në rrezik një burim zbulimi me rëndësi të madhe lidhur me ISIS-in, si dhe mënyrën me të cilën ishte siguruar ai informacion.
Lëvizja e Trumpit, në thelb nuk është e paligjshme, sepse presidenti amerikan e ka autoritetin për të ndarë informacione, edhe nëse konsiderohen sekrete. Por lëvizja është kritikuar ashpër nga demokratët, e ka shtyrë edhe vet eksponentë të Partisë Republikane, të kërkojnë shpjegime.
Një diplomat i lartë i NATO-s, i cituar nga “Reuters”, mësohet të ketë thënë:
“Nëse është e vërtetë, kjo ka për ta lëkundur shumë besimin e aleatëve, që edhe kështu shqetësohen nga ideja e ndarjes së informacioneve më delikate”.
Clinton, kundër Trump. Zyrtarizon lëvizjen “Përpara së bashku”
Hillary Clinton ka nisur zyrtarisht rezistencën ndaj presidentit Donald Trump. Ish-kandidatja për presidente e Shteteve të Bashkuara ka krijuar një organizatë të re politike, synimi i së cilës është të nxisin shtetasit amerikanë të përfshihen në politikë dhe të mbështesin grupet që kundërshtojnë Trumpin nga larg.
Lëvizja “Përpara së bashku” e rikthen kështu praktikisht ish-Sekretaren e Shtetit në arenën politike të vendit, pas disfatës përballë miliarderit republikan në presidencialet e nëntorit.
“Nga marshimi i grave drejt aeroporteve, ku komunitetet i mirëpresin emigrantët dhe refugjatët, deri te takimet në hollet e bashkive, amerikanët po flasin e po e ngrënë zërin e tyre më fort se më parë”, shkroi ajo në një “e-mail” drejtuar mbështetësve të vet.
“Sfidat, me të cilat përballet vendi, janë reale, – shton Clinton. – Nuk përshkruhet me fjalë ajo që mund të arrijmë, nëse do të hyjmë në betejat e së ardhmes me pasionin dhe vendosmërinë që ndiejmë sot”.
Demokratja 69-vjeçare përmendi 5 grupe me prirje majtiste, që do t’i mbështesë lëvizja e re. “Organizata, – sqaroi ajo, – është e përkushtuar ndaj avancimit të atij vizioni që fitoi 66 milionë vota në zgjedhjet e fundit”. Shifër kjo, që i referohet qartazi fitores së saj me votë popullore ndaj faktit. “Ky fakt vazhdon ta irritojë së tepërmi presidentin Trump”.
Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Ahrens e kritikoi lëvizjen e Clintonit, e tha se po të ishin të zgjuar, demokratët do ta kuptonin se është koha për të lëvizur përpara pa ish-Zonjën e Parë.