Trump mund të mos njoh zgjedhjet nëse humbet me dyshim
Zoti Trump ka bërë akuza disa herë gjatë fushatës për manipulim votash, ka kritikuar ashpër shtypin duke thënë se është ai që po i manipulon votuesit duke mbështetur hapur kandidaten demokrate dhe mbrëmë në debat, i pyetur në se do ta pranonte apo jo rezultatin ai e la të hapur mundësinë e mospranimit të rezultatit.
“Përgjigjen do ta jap kur t’i vijë koha. Do ju mbaj në pritje”, tha ai.
Ishte pikërisht ky koment i pazakontë për sistemin politik amerikan, që ka ngjallur vëmendje të madhe. Disa figura republikane u përpoqën ta sqarojnë menjëherë, ndoshta edhe ta zbusin disi, ndërsa demokratët e kanë përcjellë me shqetësim.
Menjëherë pasi u fikën dritat e sallës së debatit, kandidati i zotit Trump për nënpresident, Mike Pence u përpoq të zbuste bujën që ka shkaktuar kjo temë:
“Transferimi paqësor i pushtetit në Shtetet e Bashkuara është një ndër tiparet më dalluese të eksperiencës amerikane. Ajo që tha Donald Trumpi sonte, e kam shkruar këtu: ‘Do ta diskutoj këtë çështje kur t’i vijë koha’. Ai është kandidat për president; ka çdo të drejtë të shohë dhe të analizojë si shkuan zgjedhjet. Nganjëherë dalin rrethana të jashtëzakonshme, këtë e pamë në vitin 2000 kur Al Gore deklaroi se kishte humbur, pastaj u tërhoq nga deklarata e parë dhe çështja u zgjidh nga Gjykata e Lartë”.
Zoti Pence i interpretoi komentet e kandidatit republikan si një pasqyrim i shqetësimeve për njëanshmëri në media dhe për presion nga grupe interesi që kanë derdhur para në fushatën presidenciale. Ai përmendi edhe raste manipulimesh me votën që do të analizohen pas zgjedhjeve.
Një interpretim të ngjashëm ofroi edhe senatori republikan Jeff Sessions, këshilltar i zotit Trump:
“Ai do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, s’ka rrugë tjetër. Por mendoj se ashtu si në rastin e Al Gorit, nëse zgjedhjet nuk i duken të drejta, nëse ka arsye ligjore për t’i sfiduar, ai do t’i sfidojë. Pra nuk do të premtojë se do t’i njohë zgjedhjet në një klimë ku beson se po shpalosen shumë gjëra që e bëjnë të papërshtatshme të bëjë premtime”.
Djali i kandidatit presidencial Donald Trump, Jr u bëri jehonë shqetësimeve të të atit për manipulimin e votës:
“Po flisja me një gazetar para pak minutash dhe e pyeta: ‘Nëse do të ketë manipulime në masë, a pritet që përsëri t’i pranojmë rezultatet?’ Gazetari më tha: ‘Po, Duhet t’i pranojmë’. Amerika nuk është e tillë. Është një realitet i pështirë kur media përhap një mendësi të tillë”.
Komentet janë analizuar gjerësisht si kërcënimi më i madh që Donald Trumpi i ka bërë sistemit demokratik amerikan. Presidenti Barak Obama u ndal në veçanti në këto komente, duke i bërë thirrje kandidatit republikan të ndalte ankesat për integritetin e zgjedhjeve, ende pa filluar votimet. Dje në komentet pas debatit, demokratët thanë se zoti Trump e ka bërë prej kohësh këtë kërcënim:
“Ai kërcënon integritetin e procesit. E ka thënë këtë kur ishin 17 kandidatë republikanë në debat. Ai ishte i vetmi që tha se nuk do t’i njihte rezultatet. Ai ka treguar se është i gatshëm të shkëputet me grupin e tij; me këto komente Trumpi po përgatit terrenin për të formuar një parti të tretë”, tha aktivisti Jesse Jackson.
Kryetarja në detyrë e Komitetit Demokratik Kombëtar, Donna Brazile tha se fjalët e Trumpit vënë në pikëpyetje autoritetin e Amerikës:
“Kam shkuar gjithandej në këtë vend dhe nëpër botë për të diskutuar si i zhvillojmë zgjedhjet. Ne jemi shembull për botën. Është e turpshme kur kandidati i njërës prej partive kryesore në zgjedhjet presidenciale minon demokracinë amerikane”.
Ky ishte debati i fundit mes kandidatëve presidencialë. Kur mbeten më pak se tre javë deri në zgjedhjet e nëntorit, një anketë e rrjetit televiziv CNN tregon se 52% e të anketuarve mendojnë se kandidatja demokrate Hillary Clinton e fitoi debatin, ndërsa 39% përgjigjen se fitorja i takoi zotit Trump.