Trump ose Clinton – nis faza e nxehtë
Të dy kandidatët presidencialë janë kaq të ndryshëm, sa njeriu duhet ta kishte të lehtë të vendoste. Por amerikanët që duan vërtet ndryshim nuk kanë vërtet alternativa, mendon Miodrag Soric.
Dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA gjithçka duket e mundur. Hillary Clinton kryeson në anketime – por vetëm lehtë. Para së gjithash, sepse ajo i ka nën kontroll demokratët. Partia e saj është e organizuar mirë, shumë më mirë se republikanët që veprojnë në mënyrë konfuze. Clintoni e di nga përvoja e saj si funksionojnë zgjedhjet presidenciale. “Arka e luftës” e saj është e mbushur mirë.
Krejt ndryshe te Donald Trump-i: në shtete të rëndësishme si në Florida ose në Ohio ai thuajse nuk ka ekip elektoral. Pjesë të establishmentit republikan janë distancuar nga ky person i huaj për ta, preferojnë të angazhohen në zgjedhjet e kongresit që zhvillohen njëkohësisht. Gjithsesi Trumpi ka mbështetës besnikë: shumica janë të bardhë, njerëz që nuk kanë mbaruar shkollën e lartë, shumë punëtorë, nivelin e ulët të shtresës së mesme. Interesante është edhe që Trumpi po gjen së fundi mbështetës edhe në radhët e ushtarakëve aktivë ose ish-ushtarakët. Kjo të tërheq vëmendjen, sepse Clintoni ishte senatore dhe ministre e Jashtme dhe për çështjet e sigurisë mund të besosh se ajo ka një lloj kompetence. Por ajo bën pjesë te “fajkonjtë” e politikës së jashtme. Megjithatë tek ekspertët e sigurisë po shtohen dyshimet për faktin nëse Amerika do të jetë në gjendje t’i financojë edhe më tej luftërat e saj matanë detit, në një kohë kur vetë infrastruktura apo sistemi arsimor në vend janë në gjendje të mjerueshme.
Fjalë të forta, të cilat thuajse askush nuk i merr seriozisht
Meqenëse kjo të siguron mbështetje, edhe Donald Trumpi hiqet në fushatën elektorale si dorë e fortë. Por shumë nuk i marrin tepër seriozisht shprehjet e tij. Nëse ka gjë, për të cilën Trumpi është i bindur është: SHBA duhet të përqendrohen në forcimin e ekonomisë vetjake. Këtë ka parasysh në radhë të parë ai, kur thotë “Amerika e para” në aktivitetet elektorale. Në këto ditë kandidatët kanë nisur fazën e nxehtë të fushatës elektorale. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë amerikanë janë të zhgënjyer nga ajo që ofrojnë partitë. Përsa i përket përmbajtjes dhe personelit. Trump-i, i cili formulon pa ndërprerje parulla kundër të huajve në një vend, i cili historikisht është vend i migrantëve. Hillary Clinton, të cilën nuk e do askush, së cilës nuk i beson gati askush. Ish-First Lady dhe ministrja e Jashtme, mishërim i klasës politike në pushtet, e cila është pasuruar në kurriz të të gjithëve dhe prej së cilës njerëzit në fakt duan të shpëtojnë.
Duelet televizive mund të vendosin për gjithçka
Vendimtare javët që vjen do të jetë si do të ndahen të dy kandidatët në duelet televizive. Po të ndodhë ndonjë atentat i madh terrorist, nga kjo besohet se do të përfitojë Trumpi. Ai përpiqet të profilizohet si person i “ligjit dhe i rendit”. Hillary Clinton do të fitojë përfundimisht përparësi, kur të harrohen afera e E-maileve të saj ose skandali i Benghasit.
8 nëntori nuk do të sjellë vërtet një fillim të ri në politikën e SHBA. Në rastin më të mirë do të kemi një “edhe më tej kështu”. Sepse megjithë zgjedhjet përpara vetes, shumë amerikanë kanë ndjesinë se nuk kanë vërtet alternativa para vetes.