Trumpi urdhëron ndërtimin e murit me Meksikën

Kritikët e quajnë një mision me rrezik maksimal, por Presidenti i SHBA i përmbahet premtimit të fushatës elektorale: gardhi në kufirin me Meksikën duhet të kthehet në mur.

Me nënshkrimin e një dekreti të posaçëm presidencial, Donald Trumpi ndërmori hapin e parë për të ndërtuar një mur kufitar me Meksikën. Presidenti i SHBA nënshkroi një urdhër për fillimin e këtij projekti shumë të diskutueshëm. Për vënien në jetë të këtij premtimi elektoral, ekspertët llogarisin shpenzime që do të kapin shumën e 40 miliardë dollarëve. Trumpi do ta vërë gurin e parë për murin që këtë vit. “Ai do ta frenojë vërshimin e drogave dhe të kriminalitetit”, tha zëdhënësi qeveritar Sean Spicer për murin.

Kufiri midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara ka një gjatësi prej 3200 kilometrash. Një pjesë e tij është e siguruar me gardhe kufitare dhe barrikada. Synimi është që të pengohet tregtia ndërkufitare me droga ilegale si dhe kalimi i kufirit prej personave pa leje qendrimi.

Para të hedhura krejtësisht dëm – paralajmërojnë ekspertët

Por ekspertët e konsiderojnë ndërtimin e murit, për shpalljen e të cilit Trumpin e brohoritën në fushatë disa herë mbështetësit e tij, si para të hedhur dëm. Në rajone malore dhe në shkretëtira ai praktikisht nuk ka efekt, thonë ata. Atje ai mund të ngrihet vetëm me vështirësi të mëdha dhe me shpenzime tepër të mëdha, argumentojnë ekspertët.

Edhe vetë sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Kelly, që ka qenë gjeneral i forcave të armatosura, deri tani është treguar i kujdesshëm me shprehjet për këtë temë. “Një barrierë fizike në vetvete nuk do të bëjë punë”, tha ai para senatit.

Ndërtohet lehtë – thotë Trumpi.

Por Presidenti i ri të paktën deri tani tregohet krejt i paimpresionuar nga rezervat. Stacionit televiziv ABC ai i tha se dëshiron të fillojë menjëherë me planifikimin. Dhe dëshiron ta ndërtojë murin sa më shpejt që të jetë e mundur, ndoshta brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Përsa i përket zbatimi teknik të këtij plani, Trumpi u shpreh i pashqetësuar. “Ndërtimi i tij është mjaft i lehtë”, tha ai. Dhe Meksika do t’i paguajë shpenzimet në një moment të mëvonshëm – dhe do t’i paguajë “100 përqind”.

Deri tani ai megjithatë po has në kundërshtim maksimal për këtë pikë: qeveria e Meksikës ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Meksika nuk do të paguajë për ndërtimin e murit.

SHKARKO APP