Tsipras fluturon tek Putini
Ndërkohë që Europa është në ankth se çfarë do të ndodhë me Greqinë, shefi i qeverisë në Athinë ka kohë për të bërë një udhëtim.
Alexis Tsipras ka fluturuar drejt Rusisë, raporton Bild.
Në kulmin e krizës, ai udhëton drejt Vladimir Putinit, shkruan kjo gazetë.
Tsipras do jetë i ftuar në një samit ekonomik në Shën Petersburg.
Një ekspert ekonomie nga Rusia, thotë se Tsipras po e përdor këtë udhëtim për t’i treguar Europës se ka edhe një kartë tjetër në dorë.
Moska nuk ofroi shumë për Greqinë gjatë vizitës së fundit të Tsipras, megjithatë u shprehën të gatshëm të financojnë paraprakisht ndërtimin e një gazsjellësi që do kalojë nëpër Greqi.
Gazsjellësi rival me TAP shkaktoi shumë reagime, sidomos në SHBA.
Rusia pretendon se pikërisht përpjekjet për të ndaluar gazsjellësin e saj të kalojë nga Greqia për në Maqedoni, shkaktuan krizën e Kumanovës.