Turisti Ben Blushi
Nga Taulant Balla
Me vjen mirë që Ben Blushin sot e solli në Elbasan ky proces kaq demokratik.
Më vjen mirë që pas më shumë se dy vitesh mungese një deputet vjen në zonë për të vëzhguar procesin dhe pastaj përballet me ata që e kanë votuar.
Më vjen keq që edhe sot pamë të njejtën estradë të cilën e dëgjojmë shpesh herë në mënyrën sesi flet Sali Berisha, i cili u zotua që do të bënte edhe revolucion për të respektuar statutin e partisë sipas Blushit.
Por ju them me bindje, PS kurrë më parë nuk ka pasur një proces kaq të mirëorganizuar, një proces që ka filluar prej 6 muajsh.
Do të kishte qenë mirë që Blushi të kishte ardhur këtu dhe të ushtronte detyrën e tij të deputetit që në ditën e parë kur filluan mbledhjet e organizatave, kur filluan anëtarësimet e reja në PS, kur u mblodhën të gjitha propozimet sipas kritereve.
Është e turpshme të akuzosh dhe të fyesh partinë tënde kur ti ke synim të bëhesh kryetar i partisë.
Nuk shahet partia kur ti dëshiron të bëhesh kryetar.
Partia duhet dhe respektohet sepse kjo parti është m eë madhja dhe e vetmja forcë udhëheqëse në vend.
Lidhur me gjithçka u tha këtu (Elbasan) edhe duke fyer kryetarin e qarkut, janë këta njerëz që së bashku me Ben Blushin kanë punuar dhe kontribuar në vitin 2013 që PS të fitonte.
Tani këta njerëz u bënë të këqinj kur në 2013-n ishin të mirë. Sa për akuzat e tjera të Blushit, janë njëlloj, fjalë për fjalë si fjalët e Saliut.
PS është një parti e cila respekton çdo normë statutore, nuk ka asnjë kandidat për delegat të PS me rekorde kriminale.
Por Blushi e ka kthyer partinë në turizëm dhe nuk i di rregullat dhe urdhrat për të respektuar të njejtat parime për dekriminalizimin edhe përsa i përket proceseve zgjedhore në parti.
Edhe ky moment sot u përdor për një qëllim personal që lidhet me një kërkesë për të garuar për kreun e PS. Por unë nuk dua të hyj në këtë interpretim sepse këtë interpretim do ta bëjë kongresi i PS.
Vetëm një njeri që nuk e njeh statutin e partisë nuk e di që Kongresi përbëhet nga delegatët.
Duhet të zgjidhen delegatët në fillim, të cilët më pas formësojnë Kongresin dhe më pas është Kongresi që do të vendosë për këto çështje, edhe për kërkesën e zotit Blushi.
Por duhet të them një gjë; Qytetarët shqiptarë kanë një kontratë 4 vjeçare me Edi Ramen kryeministër dhe këtë kontratë e kanë me Edi Ramën dhe me askënd tjetër, dhe në këtë frymë do të shprehet edhe Kongresi i PS.