Tusk thotë se Rusia po përpiqet ta dobësojë Bashkimin Evropian
Liderët e BE ranë dakord në Bruksel të qendrojnë të bashkuar në politikën ndaj Moskës. Ato e kritikuan ashpër bombardimin në Aleppo. Por për sanksionet të reja kundër Rusisë ata nuk ranë dakord.
“Liderët e BE theksuan se të gjitha llojet e akteve armiqësore, nga shkelja e hapësirës ajrore në fushatat propagandistike, sulmet kibernetike, ndërhyjnë në proceset e brendshme politike të BE dhe përtej”.
Kryetari i Këshillit të BE, Donald Tusk, e bëri këtë të ditur në një konferencë shtypi. “Duke parë këto shembuj, është e qartë se strategjia e Rusisë është që ta dobësojë Bashkimin Evropian.”
Tusk tha se synimi i BE nuk është krijimi i tensioneve me Rusinë. Ai tha se “BE është gjithmonë i gatshëm që të hyjë në dialog, por ne nuk do të bëjmë kompromis me vlerat ose parimet tona.” “Prandaj ne ramë dakord që t’i përmbahemi kursit dhe mbi të gjitha të ruajmë unitetin në BE”, tha më tej Donald Tusk.
Megjithatë, për sanksionet të reja kundër Rusisë shtetet e BE-së nuk ranë dakord në Bruksel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministrja britanike, Theresa May, presidenti i Francës, François Hollande dhe liderë të tjerë patën kërkuar në fillim të takimit mbajtjen e një qendrimi të ashpër dhe të qartë ndaj Rusisë, kundër mënyrës “jonjerëzore” të veprimit të Rusisë, siç u shpreh Merkel.
Por jo të gjithë partnerët e ndoqën vijën e fortë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Italia, Hungaria, Greqia edhe të enjetn(20.10) u shprehën kundër sanskioneve të reja ndaj Rusisë. Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, që është më i zëshmi në kundërshtimin e sanksioneve ndaj Rusisë tha se aktualisht nuk ka kuptim kërcënimi i Rusisë me sanksione. Ajo që ka rëndësi është një armëpushim i qendrueshëm dhe një proces për një tranzicion politik, tha ai. Sipas kancelarit të Austrisë, Christian Kern, askush në “diskutimin e gjatë për Rusinë” në Bruksel nuk kërkoi sanksione të reja ndaj Rusisë.
Por për kancelaren gjermane, Angela Merkel, opsioni i sanksioneve nuk është eleminuar. Merkel tha para medieve, se konkretisht sanksionet do të diskutohen po të vazhdojë me të njëjtin intensitet bombardimi i Aleppos. Atëherë do të shtrohet pyetja: “po tani, çfarë na mbetet të bëjmë?”