Tym Kosove

 

Nga Ilir Levonja

E kam theksuar disa herë, ne shqiptarët kemi probleme me lirinë. Liria na verbon. Eshtë një soj ekstaze që na deh. Na marrëzon. Na bën të dhjesim mbi gjithë mburrjet shekullore. Mbi gjithë krenarinë zhurmë madhe. Mbi vetveten, të bindur. Madje mbi vetveten më shumë se mbi armikun. Ndaj armiku më i egër i shqiptarëve është po shqiptari.

1) Ndërsa ish kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj ndukte mikrofonin. Një goxha bjonde, mashkull femër, ndukte nga poshtë. Poshtë banakut. Një mister galerish minierash. Errësirën e dhunës. I ndizte fitilin një bombe gazi lotësjellës. Një gjysmë bjonde tjetër, gjuante me sende, fasadën. Apo panelin e burrave kuvendarë. Në fakt duhet thënë, panelin e burrave katundarë. Por më vjen turp nga vetja. Më vjen keq që, nën emrin apo përcaktorin katundar, rrimë akoma në province. Në atë province të cilën mbetën duke e shtrydhur. E rishtrydhur katundarët me kollare. Që varin mureve të shtëpisë dhe fb, foto me flamurin e Sklëndërbeut. Por pa harruar edhe Kuranin. Me zallin fanatic të Lindjes së Mesme. Me sh esnafllëkun e diktatorit të Koresë së Veriut. Përdorimi i femrave shik. Kamikazeve me kostume një ngjyrësh. Bjonde ose brune.

2)Për çfarë na duhen grate në Kuvend? Një pyetje që të lodh. Por të mbush dhe me humor. Ka përgjigje dhe batuta. Na duhen për të ndukur nga poshtë. Për shukur, shkundur, e shkulur flokësh, xhaketash. Për akte kamikazësh. T'u mësojnë fëmijëve se si hidhet një bombë gazi lotësjellës. Bash mu aty, në Kuvendin e burrave të parë. Në Kuvendin e kohës së elektronit. Mund të marrin tema dhe ide. Mund të zhvillojnë subjekte në këtë të tashme, kohën e tyre moderne. Të cilën ne ua kujtojmë me krahasim. Me tonën, atë të zbatharakëve. Dhe tani u themi atyre se janë me fat. Pasi kanë plot lodra. Punon Japonia dhe Kina për ta. Ne vetëm dimë të rrihemi. Ndaj gratë e Kuvendit u japin tema dhe ide me veprimet e tyre prej sharlamentare. Mund të ndërtojnë video me luftra gazi lotësjellësh. Mund t'i hedhin këto video në youtube. Mbase marrin klikime. Fitojmë ndonjë lekë. Kushedi, u jepet dhe shanci. Të ikin…, kësaj Kosove apo Shqipërie në tërësi. Sepse, vatani u mjafton vetëm për në korniza muresh. Për t'u ngjyrosur. Vatani është në letër.

3)Në tërësi politika shqiptare. Ajo e fasadave …, ajo që i jep mend edhe suksesit europian apo botëror. Raporton kancelarive të Europës. Sidomos fushatave për përfshirje më të lartë të grave në politikë dhe vendimarrje. E bën këtë kur Europa apo e bota nuk e ka si kusht. Por thjesht këshillon. Dhe përdor terma korrekt, si përshembull përfshirje më të gjërë të grave etj. Por ne trumbetojmë si fushatistë të përjetshëm. Me entuziazëm, po.

Dhe zgjedhim. Zgjedhim gra të forta. Gra me muskuj. Kamikaze. Që heqin bokshet, që kanë harruar turnet, që vendosin  pudër me shumicë si e si të vrasim në mënyrë spektakolare.  Pasi na është rrënjosur që nga koha e ''largët'', kur përmbysnim diktaturën në atdheun amë. Dhe atë serbe në pjesën e epërme, Kosovë. Që sot i  themi Kosovo me dashuri profetike. Se në politikë duhen të qënie të forta. Në politikë, forca bën udhë. Jo logjika. Dhe rezultati. Një luftë e pashtershme, mes ishëve dhe pushtetit. Mes pushtetit pasardhës dhe atyre që bëhen isha. Dhe krah tyre gra kamikaze. Kështu në Shqipëri. Kështu në pjesën e epërme të saj, në Kosovë.

4)Pse nuk mësohemi me lirinë? Pse kemi probleme me lirinë. E para është e thjeshtë. Urrejmë njëri-tjetrin. E dyta është fakti real që ideatorët e gazit lotësjellës janë dy ish luftëtarë. I pari protestuesi i përjetshëm Albin Kurti. Dhe i dyti, i ashtuquajturi Ramboja shqiptar Rramush Haradinaj. Akoma kujtojnë se janë në front. Akoma nuk po kuptojnë se edhe në front vjen një çast kur i thua vetes mjaft. Sidomos komandantët. Dhe se të rrëzosh një qeveri me metodat e frontit, nuk i shërben as popullit e as vendit.

Por ripushtimit. Dhe në liri, një shtetar i tillë është armiku i vendit të tij. 

SHKARKO APP