U ndanë supërçiftet yje shqiptare

 

 

Në një kohë të shkurtër, brenda dy muajsh, faqet e showbiz-it shqiptar u mbushën me lajme mbi jetën private të katër personazheve. Krejt papritur si rrufe në qiell të hapur, mësuam se modelja Aurela Hoxha, këngëtarja Soni Malaj, Rovena Dilo dhe moderatorja Floriana Garo, sa hap e mbyll sytë u deklaruan beqare. Historitë e tyre të dashurisë, të njohura mirë nga publiku, kishin shoqëruar paralelisht karrierën e gjithësecilës. Por pas divorcit, asnjëra nuk mori përsipër të sqarojë thashethemet mbi tradhëtinë, xhelozinë apo ndarjen që erdhi si rezultat i “karriera mbi të gjitha”. Femrat e ekranit lanë në errësirë fansat, të cilëve, këtë herë, ndryshe nga koha kur u tregonin se ishin të kompletuara në çdo drejtim, duket se i manipuluan, duke iu shfaqur të dhëna pas profesionit. 

Në fillim, Aurela Hoxha fliste për një marrëdhënie të pastër, mes dy të rinjsh që u njohën në shkallët e pallatit. Ajo e sapo ardhur në Tiranë dhe ai po ashtu nga Tropoja, rastisën komshi dhe nisën dashurinë e tyre gati 13 vjeçare. Prej 10 vitesh të martuar, në fund të verës, ish-bashkëshorti i modeles iu drejtua gjykatës me pretendimin se Aurela nuk përmbush detyrimet familjare. Modelja duket se nuk e vuri ujin në zjarr edhe pse thashethemet që citoheshin në shkrimet e ndarjes, e sulmuan si tradhëtare. Këtë pjesë, ajo deshi ta mbajë private, ndërsa për publikun si për t’u shfajësuar, u kujdes t’i dhurojë foto seksi në rrjetet sociale. 

Soni Malaj dhe ish-bashkëshorti i saj Mirko u njohën në spektaklin e Vera Grabockës, “Dancing With the Stars”. Më shumë se të gjithë, ndarja e tyre për shkak se edhe historia e dashurisë lindi në skenë, mori një reagim publik. “Mbaroi dashuria”, u detyrua të ngrejë zërin këngëtarja, kur mediat rozë hodhën dyshime se Soni braktisi babain e vajzës Anna, për hir të karrierës. Çifti jetoi plot 5 vjet mes Italisë, Spanjës dhe Tiranës, por me sa duket, martesa e tyre nuk pati shpëtim dhe po ashtu, Soni vazhdoi normalisht aktivitetin në rrjetet sociale, si për të hequr vëmendjen e publikut dhe mediave nga divorci shkruan lapsi.al

Rovena Dilo prej kohësh nuk po kalonte kohë të mira në jetën e saj. Pas problemeve që pati në verë mbi pronësinë e lokalit, “fati i keq” sërish nuk iu kursy. Partneri i saj Florian Riza iu drejtua gjykatës, ku kërkoi divorcin pas 10 vitesh marrëdhënie me Rovenën. Ish-futbollisti i njohur pretendoi në kërkesë-padi se martesa e tyre kishte humbur kuptimin dhe ishte kthyer thjesht në diçka formale. Përkundër publikimit të faksimiles në media, Rovena Dilo nuk bëri asnjë përpjekje të qartësojë arsyet e ndarjes me partnerin, por këngëtarja u hodh në krahët e një tjetri, kësaj here për të vallëzuar në skenë. Me pjesën artistike, po njësoj si koleget e saj, Rovena Dilo u mundua ta anashkalojë situatën jo të mirë në të cilën publikisht, u gjend papritur. 

E fundit por jo më pak e habitshme, është ndarja e moderatores së “Jo Vetëm Modë”, Floriana Garo. Durrsakja 28-vjeçare nisi historinë e dashurisë me ish-partnerin në Amerikë, braktisi jetën atje për t’u rikthyer në Shqipëri, ndërsa mediatizimi i divorcit është i freskët fare. Ashtu si koleget, as Floriana nuk deshi të shprehet për arsyet që e çuan në ndarjen me të fejuarin, milionerin Tedi Ngjela. Edhe pse mediat shkruan se marrëdhënia e tyre kishte 6 muaj që ishte ftohur, për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe karrierës së moderatores, ajo nuk i dha asnjë shpjegim fansave, të cilëve nuk kishte lënë gjë pa iu rrëfyer nga raporti me Tedin.

Njëjtë si Aurela, Soni dhe Rovena, Floriana Garo, bëri si e shurdhët përballë artikujve që hapën faqet e para të gazetave. Ajo vazhdoi normalisht aktivitetin, pa dhënë asnjë shpjegim për ndjekësit të cilët meritojnë të informohen gjithashtu për jetën private, si atëherë kur personazhet tona të showbiz-it, ua serivirin si për të treguar se janë të plotësuara në çdo drejtim.

SHKARKO APP