Uashington-Pekin, tani vjen përplasja

Jashtë Amerika, brenda Kina? Eshtë ky skenari që duket se po përvijohet pas daljes së Shteteve të Bashkuara nga Trans Pacific Partnership. Disa prej 11 vendeve anëtare që kanë mbetur kanë ritheksuar vlefshmërinë e marrëveshjes, dhe lënë të hapur hipotezën e futjes së Dragoit kinez në zonën e shkëmbimeve të lira tregtare në Azi-Paqësor.

Një hipotezë që mban brenda shumë të panjohura, duke parë që përreth kësaj marrëveshjeje luhen dy “ndeshje” mes Uashingtonit dhe Pekinit, ajo tregtare dhe ajo politike. Pakti ishte kërkuar nga administrata Obama për t’i siguruar SHBA një portë hyrjeje më të drejpërdrejtë në Lindjen e Largme, dhe monitoruar veprimtarinë strategjike kineze në zonë, sidomos në Detin e Kinës së jugut. Amerika kishte realizuar ndërkohë një seri marrëveshjesh dypalëshe me shumë vende anëtare të TPP-së në rrafshin tregtar, që sigurisht nuk ishte e vetmja arsye e marrëveshjes. Tani Trumpi duhet të gjejë një strategji alternative për të siguruar monitorimin e rajonit nga Amerika, duke parë që Trumpi nuk ka aspak ndërmend t’i lërë dorë të lirë Dragoit.

Pekini, nga ana e tij, ka ftuar Uashingtonin që të tregojë më shumë maturi në lidhje me situatën në Detin e Kinës së jugut, duke u deklaruar “i vendosur që të mbrojë të drejtat dhe interesat e veta”.

Kjo ka qenë replikë ndaj deklaratave të bëra nga Sean Spicer, zëdhënësi i sapoemëruar i Shtëpisë së Bardhë, i cili të hënën kishte siguruar që SHBA synojnë të mbrojnë territoret në ujëra ndërkombëtare, duke përfshirë ata në Detin e Kinës së jugut. Duke parë hapjen e dyerve që Australia dhe Zelanda e Re i kanë bërë Kinës, në lidhje me shkëmbimet tregtare, loja në rrafshin politik është e destinuar të ndërlikohet për presidentin e ri të Amerikës. /bota.al

SHKARKO APP